Vepra e shkruar në fund të viteve ’70 nga Baki Jashari në ditët studentore, do të thyente paragjykimet kur së pari herë u dëgjua në Lubjanë. Qe vepra e një kompozitori shqiptar që kulmonte në Jugosllavinë e asaj kohe dhe mori tjetër kuptim. “Passacaglia” nuk u dëgjua për nja dy dekada deri të premten mbrëma. Dyshja Patrick O’Byrne dhe Artem Yasynskyy solli magjinë me “Koncert për dy piano” të Francis Poulenc e kulmimi me “Simfoninë nr. 7” të Beethovenit ia dha tonalitetin krejt koncertit me tinguj që rimojnë lirinë. E, kjo për dirigjentin serb, Premil Petroviq ka edhe një tjetër kuptim, pos jehonës së lirisë në kohë të trazuara. “Në Serbi, nuk e di kur një dirigjent shqiptar nga Kosova do të mund të dirigjojë Orkestrën Filharmonike të Beogradit. Kjo flet shumë për dallimet mes këtyre dy vendeve”, ka thënë ai
Kultura në Kosovë nuk njeh politikë. Një dirigjent serb që drejton një koncert të institucionit të më lartë shtetëror muzikor është prova. Midis veprave të repertorit botëror, i besohet edhe vepra e kompozitorit nga Kosova. Nën drejtimin e Premil Petroviqit, programi i së premtes mbrëma u hap me “Passacaglia” të Baki Jasharit dhe vazhdoi me “Koncertin për dy piano” të Francis Poulenc me solistë Patrick O’Byrne dhe Artem Yasynskyy në dialog magjik. Koncerti u mbyll me “Simfoninë nr. 7” të Beethovenit me tinguj që rimojnë lirinë që, sipas dirigjentit, i përgjigjet mirë situatës në rajon e në botë.
Në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, koncerti qe ansambël i madh tingujsh që u shndërruan në emocion e muzika në gjuhë të përbashkët përtej kufijve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe këtë koncert, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka dëshmuar fuqinë artistike përherë në rritje për të krijuar përjetime të veçanta koncertale.
“Passacaglia” e Baki Jasharit, bart atmosferë të thellë emocionale, ku shtresëzimet harmonike dhe zhvillimi gradual i temës krijojnë një lloj atmosfere thuaja meditative. Qe një hyrje që vendosi tonalitetin e koncertit të ndërtuar me ndjeshmëri e finesë artistike.
Për pjesën dërrmuese të publikut, vepra, që është prej të parave të Jasharit, ka qenë premierë. Autori i veprës ka thënë se ajo mbase është interpretuar dy dekada më parë në Kosovë.
“Përjetimi është gjithmonë emocionues, edhe sonte, veçanërisht që u interpretua nga Filharmonia e Kosovës. Nuk mbaj mend kur është interpretuar më parë, mbase para njëzet vjetësh, me dirigjentin Bahri Çela, menjëherë pas luftës”, ka thënë kompozitori e dirigjenti Baki Jashari.
Është shprehur se nuk është vepër e lehtë për t’u interpretuar.
“Përgëzoj instrumentistët për mundin. Nuk është vepër e lehtë, është në stilin ekspresionist, e shkruar në stilin tekniko-kompozicional dydekafonik, që do të thotë se është shumë specifike, kërkon thuajse matematikë brenda kompozimit. Esenca është si të nxirret muzika nga gjithë ai rregull që është shkruar. Ka qenë përjetim i veçantë edhe për publikun që mendoj që ndoshta shumë pak prej e njohin veprën”, ka thënë Jashari për veprën e vitit 1979 të cilën ka thënë se është ndër të parat vepra serioze të tij të cilën e ka shkruar gjatë studimeve në Lubjanë.
“Ajo çfarë e ka bërë të rëndësishme, se ka qenë një punë studentore në atë kohë, por ka marrë një kah shumë interesant me rastin e premierës së parë nga Orkestra e Radiotelevizionit të Lubjanës në atë kohë, sot e Sllovenisë, kur ka qenë e përzgjedhur nga një konkurs midis kompozitorëve të rinj të asaj kohe. Për mua ka qenë nder jashtëzakonisht i madh në atë kohë, pavarësisht se ishim në ish-Jugosllavi dhe unë isha shqiptar nga Kosova. Ajo i dha konotacion shumë serioz”, ka treguar Jashari.
Dirigjenti nga Beogradi që jeton e vepron në Berlin, Premil Petroviq, e ka konsideruar të shkëlqyer veprën e Jasharit.
“Kjo është hera e parë që dirigjoj një vepër të tij. Është një kompozim i shkëlqyer i shkruar në fund të viteve ’70, kur ai ishte student në Lubjanë. Për mua është shumë domethënëse që koncertin tim të parë me Filharmoninë e Kosovës ta hap me një kompozitor vendas. Dhe fakti që kjo vepër nuk është interpretuar më parë nga Filharmonia e bën gjithçka edhe më emocionuese”, është shprehur ai.
Petroviq është themeluesi, dirigjent dhe drejtor artistik i ansamblit muzikor “No Borders Orchestra” që ka bashkuar instrumentistë nga gjithë rajoni, përfshirë edhe ata nga Kosova. E ka quajtur Jasharin mik të vërtetë duke iu referuar mbështetjes së tij për orkestrën që drejton.
“Baki Jasharin e njoh prej shumë vjetësh si drejtor i Filharmonisë së Kosovës dhe ka qenë shumë mbështetës për ‘No Borders Orchestra’. Kur organizonim koncerte këtu, ai gjithmonë na ndihmonte duke lejuar muzikantët e Filharmonisë të luanin me ne dhe duke na siguruar instrumente. Një mik i vërtetë”, ka thënë ai.

Skena u gjallërua nga “Koncerti për dy piano” i kompozitorit francez Francis Poulenc. Qe një shpërthim energjie, ritmi dhe virtuoziteti. Pianistët Patrick O’Byrne nga Irlanda dhe Artem Yasynskyy nga Ukraina sollën dialog muzikor, ku bashkëveprimi i tyre i natyrshëm çoi drejt interpretimit plot ngjyra.
Për pianistin Artem Yasynskyy është hera e tretë që ka interpretuar para publikut në Prishtinë. Në maj të 2024-s ai hapi edicionin e 14-të të “Chopin Piano Festit” me koncert recital. Një vit më pas, në të njëjtin festival, qe pjesë e mbrëmjes “Schubert trio” bashkë me violonçelisten kroate, Jelena Oçiq dhe violinisten Sihana Badivuku.
Yasynskyy e ka konsideruar veprën të bukur e energjike. Se i ngjan kryeqytetit.
“Është një muzikë plot karaktere të ndryshme dhe për mua ka diçka shumë moderne, sepse në çdo pjesë ndryshon diçka. Është si të ecësh në Prishtinë: sheh pamje të ndryshme, njerëz të ndryshëm – dikush duke folur, dikush duke qeshur – dhe për mua kjo vepër lidhet në një mënyrë me vetë qytetin”, është shprehur pianisti Yasynskyy i vlerësuar nga kritika për virtuozitetin e tij.
I lindur në vitin 1988 në Donetsk të Ukrainës, fatin e kishte të shkruar qysh në fillim me pianon. Vinte nga një familje me traditë në muzikën klasike. Në moshën shtatëvjeçare do të bëhej nxënës në Shkollën e Veçantë për Fëmijë të Talentuar të drejtuar nga Akademia Prokofiev në Donetsk, e koncertin e parë do ta mbante posa t’i mbushte tetë vjet.
Pianisti irlandez Patrick O’Byrne e ka konsideruar mision të veçantë çdo interpretim në veprat me dy piano. Ka thënë se nuk është e lehtë, për shkak të natyrës së instrumentit.
“Nëse nuk e ndjeni muzikën të dy dhe të duhet vazhdimisht të sinkronizosh notat, atëherë interpretimi bëhet i ngurtë dhe jonatyral. Për të krijuar një duo natyrale, duhet të njihesh shumë mirë muzikalisht me partnerin. Unë e njoh Artemin prej 16 vjetësh. Ai erdhi në Bremen, ku unë jepja mësim, për të studiuar me mua. Ishte një pianist i ri jashtëzakonisht i talentuar dhe punuam në shumë gjëra së bashku. Ai fitoi konkurse dhe arriti suksese të mëdha”, është shprehur pianisti O’Bryne.
Ka thënë se natyrshëm ka ardhur edhe interpretimi në Prishtinë.
“Më pas më lindi ideja që të luanim së bashku në një koncert në universitet. E provuam dhe gjithçka ndodhi natyrshëm, pa pasur nevojë të flisnim. Nuk kishte nevojë të thoshim ‘nuk jemi në sinkron’ – gjithçka funksionoi vetvetiu. Kështu dhamë një koncert, pastaj edhe të tjerë – në Kore, në Azi dhe në shumë vende të tjera si duo pianistike. Prandaj u gëzova shumë kur më tha: ‘A do të vish në Prishtinë?’ – dhe unë, natyrisht, pranova menjëherë”, ka thënë ai. Që nga viti 2002, pianisti Patrick O'Byrne ka qenë profesor i pianos. Ai ka performuar në mbarë botën si solist me Orkestrën Simfonike të Zelandës së Re, “RTÉ Symphony”, “Bochumer Sinfoniker”, “New York Virtuosi” dhe “Deutsche Kammerphilharmonie” e të tjera. I lindur në Dublin dhe i rritur në Zelandën e Re, pianisti ka marrë vlerësime ndërkombëtare për interpretimet e tij të muzikës bashkëkohore, franceze dhe spanjolle, dhe repertori i tij përfshin çdo stil.
Ka thënë se historiku i veprës i përshtatet raportit midis tij dhe pianistit ukrainas.
“Sa i përket veprës së Francis Poulenc, e adhuroj. Është një vepër shumë e bukur dhe vetë kompozitori e konsideronte si më të mirën që kishte shkruar deri në atë moment të jetës së tij. Ai e kompozoi për ta interpretuar me mikun e tij Jacques Riviere dhe ata e luajtën së bashku, pasi njiheshin prej shumë vjetësh – ashtu sikurse ne. Për mua kjo është shumë e rëndësishme: një bashkëpunim i natyrshëm, pa u sforcuar”, është shprehur ai.
Në fund të interpretimit, duartrokitjet e publikut i kanë sjellë ata tri a katër herë në skenë. Derisa kanë luajtur një duet të pastër, pa ndërhyrje. Kanë sjellë “Brasiliera” të Darius Milhaud, një vallëzim plot ritëm e energji të sambas.
Dirigjenti Petroviq e ka konsideruar këtë vepër si përzierje stilesh.
“Muzika e Francis Poulenc është një kompozim i veçantë që nuk është interpretuar më parë në Kosovë. Është një muzikë e mrekullueshme franceze, një përzierje e bukur e neoklasicizmit, impresionizmit, muzikës pop të kohës dhe jazzit – një kombinim i jashtëzakonshëm me dy pianistët fantastikë që kanë ardhur: një irlandez dhe një ukrainas”, ka thënë ai.
Pjesa e dytë e koncertit ka qenë kulmi i mirëfilltë artistik. Me ritmet e saj të fuqishme dhe energjinë e pandalshme, “Simfonia nr. 7” e Ludwig van Beethoven është shpalosur si festë e gjallë e jetës dhe e lirisë.
Sipas dirigjentit, vepra është “pikërisht ajo që i dëshirojmë rajonit dhe botës”.
Ai ka thënë se ndihet thellësisht i turpëruar dhe i revoltuar nga politika serbe.
“Është një realitet i dhunshëm dhe shumë i trishtë. Ftesa e drejtorit dhe menaxherit të përgjithshëm i Filharmonisë së Kosovës që unë si dirigjent serb të drejtoj këtë Orkestër, tregon se ky vend është i emancipuar, në zhvillim, më i lirë dhe më demokratik – vlera që ne do të dëshironim për vendin tonë. Ndërkohë, në Serbi, nuk e di kur një dirigjent shqiptar nga Kosova do të mund të dirigjojë Orkestrën Filharmonike të Beogradit. Kjo flet shumë për dallimet mes këtyre dy vendeve. Ju përgëzoj për zhvillimin dhe emancipimin tuaj”, është shprehur dirigjenti Petroviq.
Pjesë e orkestrës së themeluar prej tij janë edhe violinistët Visar Kuqi, Festim Fanaj, Rron Bakalli, Pleurat Doli, Mrika Hoxha e perkusionisti Patris Berisha. Ka thënë se këta instrumentistë, me të cilët bashkëpunon prej vitesh, e kanë bërë të ndihet si në shtëpi. Por se të njëjtin raport si me ta e ka krijuar edhe me pjesën tjetër të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Kjo ia ka dhënë ndjesinë e orkestrës më miqësore që ka dirigjuar në gjithë karrierën e tij.
“...pastaj kuptova se të gjithë muzikantët janë jashtëzakonisht miqësorë dhe duhet ta them sinqerisht: kurrë më parë nuk kam dirigjuar një orkestër kaq miqësore në botë. Ata janë muzikantë të shkëlqyer, por edhe njerëz shumë të mirë, dhe kjo javë ishte thjesht e mrekullueshme”, është shprehur Petroviq.
Koncertin e ka vlerësuar dirigjenti e kompozitori i shquar, Rafet Rudi. Për të, koncerti i së premtes është dalje nga “qarku mbyllës” në repertorin e përsëritur klasik dhe romantik. Ka theksuar edhe udhëheqjen e Orkestrës nga dirigjenti serb.
“Përgjithësisht, duhet thënë se Orkestrën sikur ‘e ngjalli’ udhëheqja temperamente dhe tejet ambicioze e dirigjentit të ri serb, Premil Petroviq. Madje, edhe vetë fakti i paraqitjes të një artisti serb në skenën standarde prishtinase, ishte në një mënyrë, veçori e mbrëmjes. A thua kur do të jetë e aftë skena beogradase (e liruar nga paragjykimet e tyre mbytëse), të dëgjojë ndonjë prej artistëve kosovarë që, ndonëse jo në numër të madh, po pushtojnë skenat evropiane e botërore”, ka thënë ai, i cili si përherë, sërish ka qenë kritik ndaj kushteve në sallë të cilave u është referuar si johumane.
Filharmonia e Kosovës ka mbajtur koncert edhe të shtunën. Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës ka performuar në “Autostrada Hangar” në Prizren, nën drejtimin e Rafet Rudit.