Vetëm trembëdhjetë vjet pas Luftës së Parë Botërore, pra sipas të dhënave të fundit të vitit 1931, Rrethi i Prishtinës përfshinte sipërfaqe prej 994 kilometra katrorë, përbëhej prej 8 komunave dhe 133 vendbanimeve. Në të kishte 9385 shtëpi, ndërsa numri i përgjithshëm i banorëve ishte 57 855 prej të cilëve të përkatësisë myslimane ishin 58 për qind, 36 për qind të krishterë ortodoksë dhe 5 për qind katolikë. Por, në administrimin e Rrethit të Prishtinës nuk mund të flitej shqip dhe në të nuk kishte asnjë shqiptar. Në kohën e degradimit dhe përpjekjes së shpërbërjes së Prishtinës si qendër me rëndësi, atë e ka vizituar shkrimtarja, gazetarja dhe udhëpërshkruesja britanike Cicily Isabel Fairfield, e njohur si Rebecca West. Ka një përshkrim për kafehanet dhe kamerierin
Pas tre vjetëve të kaluar nën okupim, në vjeshtën e vitit 1918, të nisura nga Selaniku në Prishtinë, hynë forcat e ushtrisë franceze të cilat më pas ia dorëzuan pushtetin administratës së dikurshme të Serbisë. Mirëpo, edhe luftimet e vjeshtës së vitit 1918 në Prishtinë morën shumë jetë njerëzish.
“Te kryeshefi i stacionit të Prishtinës, ndodhen 691 persona të zënë robër. Të gjithë ata u janë lënë në dispozicion Divizionit Jugosllav për t´i angazhuar në punë në hekurudhë dhe punë tjera. Qysh sot formoni tri çeta prej robërve të luftës… nëse ka tenda të mjaftueshme këto tri çeta staciononi jashtë Prishtinës, nëse ato mungojnë atëherë vendosni robërit e luftës brenda qytetit. Duhet urdhëruar që qytetin ta pastrojnë të zënit robër, në radhë të parë t’i varrosin të vrarit dhe të digjet bërlloku. Për të gjitha këto duhet raportuar te kryshefi i stacionit. Urdhri më i detajuar rreth angazhimit të të zënëve robër do të arrijë më vonë” është urdhri i 25 tetorit të vitit 1918, pra i riokupimit të Prishtinës pas Luftës së Parë Botërore.
Në administrimin e Rrethit të Prishtinës s’flitej shqip
Në vitet në vijim pas përfundimit të luftërave, Prishtina si qendër diplomatike, ekonomike por edhe kulturore u ngufat nga aparatura okupuese ushtarake dhe policore, nënkuptohet me shqiptarët e përjashtuar nga çdo nivel i pushtetit qoftë politik apo të ndikimit të tyre në rrethanat ekonomike të qytetit.
Vetëm trembëdhjetë vjet pas Luftës së Parë Botërore, pra sipas të dhënave të fundit të vitit 1931, Rrethi i Prishtinës përfshinte sipërfaqe prej 994 kilometra katrorë, përbëhej prej 8 komunave dhe 133 vendbanimeve. Në të kishte 9385 shtëpi, ndërsa numri i përgjithshëm i banorëve ishte 57 855 prej të cilëve të përkatësisë myslimane ishin 58 për qind, 36 për qind të krishterë ortodoksë dhe 5 për qind katolikë. Por, në administrimin e Rrethit të Prishtinës nuk mund të flitej shqip dhe në të nuk kishte asnjë shqiptar! Kryeshef i rrethit të Prishtinës ishte Zh. Jovanoviq, referentë të tij ishin M. Damjanoviq, S. Mihajloviq, I. Svetec dhe M. Dragoviq. Prej shërbimeve ekzistonin ajo tatimore, e kadastrës, e kontrollit financiar, më pastaj ekzistonte spitali dhe shtëpia e shëndetit. Pushteti ishte kujdesur që në Prishtinë të instalohej gjykata e shkallës së parë.

34 xhami, 6 kisha pravosllave, gjimnazi dhe 34 shkolla fillore
Sa u përket objekteve fetare në tërë rrethin e Prishtinës ekzistonin 34 xhami dhe 6 kisha pravosllave. Prej shkollave ekzistonte një gjimnaz dhe 34 shkolla fillore… Ndërsa si objekte industriale ekzistonin 6 mullinj dhe një minierë thëngjilli. Prej Rrethit të Prishtinës eksportoheshin farëra, kafshë dhe perime. Të dhënat e mësipërme i përkasin Rrethit të Prishtinës, ndërsa vetë Prishtina si qendër i kishte 3142 shtëpi me 16 948 banorë. Nga 76 rrugë që i kishte qyteti vetëm 10 prej tyre ishin të shtruara me kalldrëm.
Në kohën e degradimit dhe përpjekjes së shpërbërjes së Prishtinës si qendër me rëndësi, kryeqendrën e Kosovës e ka vizituar shkrimtarja, gazetarja dhe udhëpërshkruesja britanike Cicily Isabel Fairfield, e njohur si Rebecca West (1892 -1983)
“...edhe fshati më i vogël e di se çka është kamerieri”
“Pasi turqit kanë qenë në Ballkan – dhe atje ku janë turqit janë kafenetë, bile edhe fshati më i vogël e di se çka është kamerieri për dallim prej Perëndimit ku prezenca e tij nuk dëshmon që njeriu gjendet në një vend bukur të rëndësishëm dhe me autoritet”, ka shkruar West duke e pritur servimin e drekës në restorantin e një hoteli të Prishtinës, në gjysmën e dytë të viteve ‘30 të shekullit XX.
“Më të pranuar porosinë, kamerieri e ktheu çarçafin e tryezës dhe para meje u shfaq një damkë e qartë e verës, e madhe dhe dekoruese, të cilën për disa ditë radhazi e kishin zbardhuar rrezet e diellit… kjo do të thotë që njerëzit akoma nuk e kanë mësuar se çarçafët e tryezave duhet të jenë të pastër”, ka përfunduar West, ndërsa ne jemi të bindur se në atë lokal të hotelit lere që nuk ka pasur të punësuar prishtinas por aty ndoshta rrallë për të mos thënë fare nuk ka shkelur këmba e prishtinasve.
“Pronari i hotelit është shumë krenar me pozitën e tij dhe vendin se ku jeton. Atij as që i shkon ndërmend të kërkojë falje, ashtu siç vepruan pronarët e hoteleve në disa vende tjera të cilat m’u dukën shumë me vend dhe të bukura”, e ka portretizuar Rebeka West edhe sjelljen dhe gjendjen e okupuesve të Prishtinës.
Ndërsa se si jetohej atëbotë në Prishtinë dëshmi është një shkrim në gazetën “Vardar” të datës 12 tetor 1936. Sipas artikullit të kësaj gazete “në buxhetin e atij vitit për Prishtinën ishin paraparë të ndaheshin 20 000 dinarë, para këto që do t’u jepeshin si ndihma banorëve të varfër. Sipas vlerësimeve zyrtare llogaritej se në Prishtinën e asaj kohe, rreth 6000 banorë jetonin në varfëri të skajshme.
Pra janë këto të dhëna të viteve ndoshta ndër më të vështira në historinë e Prishtinës, të Kosovës por edhe të shqiptarëve që mbetën jashtë Shqipërisë, shtuar këto edhe fushatën e dëbimit të shqiptarëve drejt Turqisë që pikërisht ndodhte krahas urisë dhe epidemive që ishin si rezultat i rrethanave të padurueshme jetësore.
Të kujtojmë se në vitin 1910 në Prishtinë jetonin 18 174 banorë, ndërsa në vitin 1921 Prishtina i kishte 14 290 pra 3884 banorë më pak.
Prandaj, nuk do të gabonim nëse do të vlerësonim se kryeqendra e sotme e Kosovës, Prishtina që nga vjeshta e vitit 1912, duke mos llogaritur vitet 1941 – 1944, qëndroi nën okupim deri në verën e vitit 1966. Që prej kësaj kohe Prishtina jo vetëm që u ringjall dhe u ringrit por siç dihet ia doli që të shndërrohej edhe në “Pijenmont” të të gjithë shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme.
