Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Guri i rëndë

Ramiz Abdyli

Ramiz Abdyli (10 nëntor 1944 – 24 shkurt 2026)

“Siç dihet, historia jonë kombëtare është parcializuar dhe akoma nuk e kemi të shkruar një histori të unifikuar kombëtare. Megjithatë, unë përpiqem që t’u sugjeroj historianëve të rinj që çdo vepër e shkruar prej tyre të jetë ‘një gur i rëndë që duhet të ketë peshë të veçantë’”, kishte thënë historiani i shquar, Ramiz Abdyli, i cili vdiq të martën e kaluar. Janë të shumtë historianët e brezave të rinj, por edhe studentët shqiptarë që shkelën në pragun e shtëpisë së tij. Në njërin prej takimeve të fundit që e kemi pasur me profesor Abdylin në shtëpinë e tij në Prishtinë, në tryezën e punës qëndronte dorëshkrimi voluminoz Ky “gur i rëndë” akoma s’e ka parë dritën e botimit

Në fillim të javës që e lamë pas në Prishtinë në moshën tetëdhjetenjë vjeçare u shua historiani i njohur Ramiz Abdyli (1944 – 2026). Njëri prej rrëfimeve të para që profesor Ramizi e kishte dëgjuar nga pleqtë e fshatit, por edhe të familjes në vendlindjen e tij në Llojan të Kumanovës, edhe pse shumë i zverdhur, por që ishte ruajtur ndër breza ishte për llojanasit e dikurshëm të besimit ortodoks që të veshur me tirq e plisa të bardhë të dielave shkonin për t’u lutur në një “kishë sllave”. Llojani – vendlindja e profesor Ramizit – përveç tjerash është i njohur për pasuritë nëntokësore që në shekullin XIX, por edhe më herët ishin në duart e familjes së njohur hebraike Alatini me seli në Selanik, por edhe për rrushin që fshati e ka prodhuar qysh nga mesjeta dhe dëshmi për këtë mund të gjenden edhe në kartat kishtare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tema e diplomës: “Pavarësia e Shqipërisë”

Profesor Ramiz Abdyli shkollimin fillor e nisi në Llojan, më pastaj e vijoi në Miratoc të Preshevës, ndërsa Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup e mbaroi në vitin 1963.

“Ishin vite të vështira ato. Përveç skamjes ato ishin vite të paragjykimeve e besëtytnive që keq e kishin ngulfatur shoqërinë e atëhershme shqiptare të viseve lindore”, do të rrëfente më vonë ai.

Paralelisht me ndjekjen e studimeve për histori (1964-1968) që i përfundoi në Universitetin e Shkupit, prof. Ramizi tashmë kishte botuar në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” disa shkrime që kryesisht temë e kishin pjesëmarrjen e shqiptarëve në Luftën Antifashiste. Përveç saktësisë në shpalosjen e ngjarjeve të ndryshme, jo rrallëherë mbeti i dëshpëruar kur nga tekstet e origjinale të dërguara në redaksi në vend të shprehjes “qarqet serbomëdha” do të zëvendësohen me “qarqet eksploatuese kapitaliste”.

Nga koha e studimeve në Shkupin a pas tërmetit të fuqishëm, studenti i ri Abdyli nuk do ta harrojë kurrë mentorin e tij dhe profesorin e njohur Hristo Poljanski, që përveç zgjerimit të njohurive kishte shprehur interesim serioz që studenti i tij për temë diplome ta kishte “Pavarësinë e Shqipërisë”. Pra diçka e rrallë për rrethanat e atëhershme kur merret parasysh se erërat e politikës rankoviqiane nuk kishin pushuar akoma.

Popullarizimi i luftës antifashiste dhe pjesëmarrja e shqiptarëve

“Shqiptarët e viseve lindore ishin të përfshirë në krahun e luftës antifashiste shumë më tepër se sa na viset tjera, sepse vetë rrethanat në tokat e tyre ishin specifike. Gjendja nuk ishte sikur në Kosovë dhe gjetiu ku Italia dhe Gjermania e ushtronin pushtetin me mënyra krejtësisht të tjera nga ato që Bullgaria i zbatonte në viset lindore. Pushteti okupues bullgar ishte edhe më mizor se sa ai i mëparshmi, pra i Mbretërisë së Jugosllavisë”, sqaronte ai për vitet e para kur zë fill hulumtimi i së kaluarës së shqiptarëve të viseve lindore.

Kështu njëri ndër librat e parë të profesor Abdylit ishte ai për heroin kumanovas Bajram Shabanin. Historisë së Maqedonisë së pas Luftës së Dytë Botërore e cila e fitoi shtetësinë pa i kaluar etapat e zakonshme ashtu siç i kaloi Kosova, duke filluar njëherë si krahinë e më vonë si Krahinë Autonome i mungonin personalitete të mirëfillta me çka të justifikohej ky “kërcim drejt në shtet” prandaj qarqet e atëhershme hezitonin që heronjve “maqedono – vlleh” t’ua bashkëngjisin edhe ata shqiptarë.

“Librit për Bajram Shabanin, por edhe hulumtimet e tjera që i bëra për Luftën e Dytë Botërore iu qasa me kujdes, sepse qarqet antishqiptare qysh nga vitet e para të pasluftës, ishin të interesuara që shqiptarët t’i përjashtonin nga pjesëmarrja e tyre në luftën antifashiste, kuptohet me qëllim të justifikimit të sjelljeve agresive dhe të trajtimit të tyre si element jo i besueshëm jo vetëm i Maqedonisë së atëhershme por edhe të Jugosllavisë”, kujtonte ai hapat e parë në zbardhjen e së kaluarës së shqiptarëve të viseve lindore midis viteve 1941 – 1945.

 “Bashkëbiseduesit apo dëshmitarët e gjallë shqiptarë simpatizantë të dikurshëm dhe pjesëmarrës të luftës të cilët i takoja, ishin të dëshpëruar deri në skajshmëri sidomos kur e kujtonin fatin e Kosovës, ndërsa dëshmitarët joshqiptarë më pranonin në bisedë vetëm kur nuk kishin nga t’ia mbanin”, rrëfente ai duke e kujtuar edhe një episod kur i kishte trokitur në derë një pjesëmarrësi të luftës në Beograd.

“Ai ishte Zhika Nikoliq, që më vonë doli hapur kundër shqiptarëve, kundër Kosovës, edhe pse shqiptarët e kishin strehuar dhe madje shpëtuar prej forcave bullgare. Ishim marrë vesh që të më priste në banesën e tij në Beograd. Zhika, një katundar i dikurshëm tashmë kishte avancuar në gradën e gjeneralit të ushtrisë jugosllave dhe e kishte veshur uniformën që të ‘mburrej’ para një shqiptari“, rrëfente profesor Abdyli më vonë.

“Pa një pa dy, Zhika më sulmoi se historinë e Luftës së Dytë isha duke e shkruar shtrembër se ashtu e kishin informuar ‘shokët’ që i kishte poshtë prandaj përkundër që kisha kaluar aq rrugë, ai nuk ishte i gatshëm të përgjigjej në pyetjet e mia. Fadil Hoxha për të ishte vetëm një nacionalist shqiptar dhe aspak komunist”, ishin fjalët me të cilat profesor Abdyli ishte përcjellë nga gjenerali çetnik i kamufluar me uniformë ushtarake jugosllave.

Nga kjo ngjarje nuk kaluan shumë vjet kur në mbledhjen e Organizatës së Luftëtarëve në Preshevë, në mars 1988, njëri prej “luftëtarëve” të dikurshëm serbë e sulmoi publikisht punimin e historianit dr. Ramiz Abdyli me temën “Presheva gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945”, thuhej në shtypin e kohës. Ky dorëshkrim sot gjendet në Bibliotekën e Preshevës.

Shumë tituj dhe punime – arkivat si burim dhe zhgënjim

Lista e librave dhe e punimeve që profesor Abdyli i shkroi dhe publikoi është shumë e gjatë, por ne do t’i veçojmë studimet: “Hasan Jakup Ferri – një jetë për atdhe”, “Trojet Lindore shqiptare në kryengritjen e përgjithshme (1912)”, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910” I dhe II (botuar edhe në maqedonisht), “Shkupi në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881)”, “Klubi Bashkimi i Shkupit (1908-1912)” e të tjerë.

Gjatë hulumtimeve për studimin “Hasan Jakup Ferri – një jetë për atdhe” botuar në vitin 2019, profesor Abdyli për disa ditë qëndroi në Arkivin Shtetëror në kryeqendrën e dikurshme të Malit të Zi në Cetinë.

“Në fillim më pritën shumë mirë por pastaj filloi ai mosdurimi tipik i fqinjëve tanë kundër nesh. Përgjegjësi i arkivit e shqiptonte emrin e Hasan Ferrit – Aso Feroviq, unë e shqiptoja ashtu siç është origjinal në shqip. Pas dhjetë ditëve të hulumtimit i sigurova materialet e nevojshme arkivore por edhe shtypin e kohës. Në ditën që po e përmbyllja punën time, përgjegjësi i arkivit ma bëri me dije se qëllimisht nuk më kishte treguar se edhe ai me profesion ishte historian dhe nuk ishte njeri i dërguar në atë post nga partitë politike! ‘Mirë që qenkemi kolegë’, ia ktheva dhe tani për këtë edhe po ua shpalosi edhe titullin e librit se si tingëllon në shqip dhe në gjuhën malazeze”, kujtonte profesor Abdyli.

Kështu një jetë e kaluar nëpër arkiva barte pas vete edhe dështimet. Një i tillë i kishte ndodhur profesor Abdylit në Arkivin Shtetëror të Beogradit të pas viteve të nëntëdhjeta.

“Arkivi Shtetëror i Serbisë gjendet në Zheleznik. Para viteve të nëntëdhjeta kam qëndruar atje të mos them me qindra herë, por tani ishte hera e parë që po shkoja atje pasi ishte shpërbërë ish-Jugosllavia. Nuk më duheshin shumë materiale por qëllimi i vajtjes ishte verifikimi i disa të dhënave për librin dyvëllimësh ‘Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910’. Pasi u ula në tryezën e punës dhe mu sollën materialet, posa e nisa shfletimin e tyre mu afrua një zonjë e cila u prezantua si drejtoreshë e Arkivit duke më kërkuar ‘falje’ për kinse mosnjohjen e procedurës nga nëpunësi që mi kishte sjellë materialet dhe më tha ‘se tashmë pas shpërbërjes së shtetit kanë ndryshuar edhe rregullat e shfrytëzimit të materialeve arkivore, prandaj më duhet të bëj sërish kërkesë në përputhje me rregullat e reja’. Ky njëherësh ishte qëndrimi im i fundit në Beograd”, kujtonte ai.

Historia kombëtare dhe “gurët e rëndë”

Janë të shumtë historianët e brezave të rinj, por edhe studentët shqiptarë që shkelën në pragun e shtëpisë së profesor Ramiz Abdylit edhe pas pensionimit të tij. Me modesti dhe sjelljen e një intelektuali të mirëfilltë ai nuk pushoi së ndihmuari kolegët e tij të rinj me këshilla e sugjerime.

“Siç dihet historia jonë kombëtare është parcializuar dhe akoma nuk e kemi të shkruar një histori të unifikuar kombëtare. Megjithatë, unë përpiqem që t’u sugjeroj historianëve të rinj që çdo vepër e shkruar prej tyre të jetë ‘një gur i rëndë që duhet të ketë peshë të veçantë’”, kishte thënë ai.

Në njërin prej takimeve të fundit që e kemi pasur me profesor Abdylin në shtëpinë e tij në Prishtinë, në tryezën e punës qëndronte dorëshkrimi voluminoz që njëherësh ishte edhe vepra e shkruar kundër autorëve - akademikëve të Shkupit dhe qëndrimeve të tyre të paraqitura në Enciklopedinë tanimë mjaft të përfolur sa i përket paraqitjes të së kaluarës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ky “gur i rëndë” akoma s’e ka parë dritën e botimit…