Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Identiteti i myslimanëve të rinj dhe kundërthëniet e blerjes së besimit

Shkup, 1926

Shumica e të konvertuarve nuk vinin nga shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë, por nga grupe që synonin mobilitet social dhe integrim në strukturat administrative, ushtarake dhe ekonomike të Perandorisë Osmane. Kjo gjetje sfidon interpretimet tradicionale që e shpjegojnë islamizimin kryesisht përmes varfërisë ose detyrimit (Në foto: Shkup, 1926)

Edhe pse të konvertuarit në islam merrnin para ose veshje nga thesari osman, akademiku Anton Minkov argumenton se këto nuk duhet të interpretohen si “blerje e besimit”, por si pjesë e një tradite islame të mbështetjes së anëtarëve të rinj të komunitetit. Në përfundim, Minkovi konstaton se islamizimi në Ballkan nuk ishte thjesht një proces individual i ndryshimit të besimit, por një fenomen i institucionalizuar shoqëror, në të cilin shteti osman, autoritetet fetare dhe rrjetet e patronazhit bashkëpunonin për integrimin e të konvertuarve

Kapitulli i pestë i librit “Konvertimi në Islam në Ballkan: Peticionet kisve bahası dhe jeta shoqërore osmane (1670–1730)” – botoi: “Dituria Islame”, Prishtinë, 2025, f. 332 – është ndoshta pjesa më origjinale e kësaj vepre të akademikut bullgar Anton Minkov, sepse ai nuk merret më vetëm me motivet e konvertimit, por me mënyrën se si islamizimi u shndërrua në një institucion shoqëror dhe administrativ në Perandorinë Osmane. Sipas autorit, në fund të shekullit XVII dhe fillim të shekullit XVIII konvertimi në islam nuk përfaqësonte vetëm një akt individual fetar, por ishte bërë pjesë e mekanizmave të integrimit social të shtetit osman.

Zvogëlimi i popullsisë jomyslimane

Minkovi argumenton se përmes praktikës së peticioneve kisve bahası shteti osman krijoi procedura të formalizuara për njohjen, dokumentimin dhe shpërblimin e të konvertuarve. Analiza e burimeve tregon se dokumentet e ruajtura përfaqësojnë vetëm një pjesë të procesit real të islamizimit, ndërsa rënia e numrit të peticioneve pas viteve 1730 shpjegohet jo vetëm me humbjen e dokumenteve, por edhe me zvogëlimin gradual të popullsisë jomyslimane nga e cila mund të vinin konvertime të reja.
Në qendër të kapitullit qëndron analiza e 635 peticioneve që lidhen me 755 të konvertuar. Sipas Minkovit, këto peticione pasqyrojnë një praktikë të institucionalizuar, përmes së cilës të konvertuarit jo vetëm regjistroheshin zyrtarisht, por përfitonin edhe mbështetje materiale dhe qasje në rrjetet e patronazhit. Institucioni i kisve bahası mbështetej në tri elemente themelore: dokumentimin formal të konvertimit, patronazhin shoqëror dhe shpërblimin simbolik ose material. Këta faktorë e bënin islamizimin pjesë të një procesi më të gjerë integrimi në komunitetin mysliman dhe në strukturat e shtetit osman.

Shpërblimet me para e veshje nga thesari osman

Peticionet tregojnë se shumë të konvertuar kërkonin mbështetjen e figurave me ndikim, duke e lidhur konvertimin jo vetëm me identitetin fetar, por edhe me mobilitetin shoqëror. Në këtë kuptim, Minkovi e interpreton islamizimin si një mekanizëm që u mundësonte individëve të hynin në rrjetet e patronazhit dhe të përfitonin mundësi të reja sociale e administrative. Edhe pse të konvertuarit merrnin para ose veshje nga thesari osman, autori argumenton se këto nuk duhet të interpretohen si “blerje e besimit”, por si pjesë e një tradite islame të mbështetjes së anëtarëve të rinj të komunitetit.
Në përfundim, Minkovi konstaton se islamizimi në Ballkan nuk ishte thjesht një proces individual i ndryshimit të besimit, por një fenomen i institucionalizuar shoqëror, në të cilin shteti osman, autoritetet fetare dhe rrjetet e patronazhit bashkëpunonin për integrimin e të konvertuarve. Megjithatë, përdorimi nga autori i termit “nomenklaturë” për përshkrimin e elitës osmane mbetet i diskutueshëm, pasi ai lidhet kryesisht me sistemet komuniste të shekullit XX dhe krijon një analogji jo plotësisht bindëse në kontekstin osman.

Edhe Islamizimi në Ballkan midis detyrimit, shpërblimit e vullnetit Shtojca për Kulturë 1 j. më parë Islamizimi në Ballkan midis detyrimit, shpërblimit e vullnetit

Imazhi kolektiv i të konvertuarve

Kapitulli i gjashtë përbën një nga pjesët më inovative metodologjikisht të studimit, pasi Minkovi aplikon një qasje prosopografike për të rindërtuar profilin kolektiv të të konvertuarve që paraqitën peticione kisve bahası. Analiza e tij tregon se shumica e të konvertuarve nuk vinin nga shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë, por nga grupe që synonin mobilitet social dhe integrim në strukturat administrative, ushtarake dhe ekonomike të Perandorisë Osmane. Kjo gjetje sfidojnë interpretimet tradicionale që e shpjegojnë islamizimin kryesisht përmes varfërisë ose detyrimit dhe mbështet tezën e autorit se konvertimi lidhej ngushtë me mundësitë e avancimit shoqëror.

Sipas të dhënave të paraqitura, shumica e të konvertuarve rezultojnë beqarë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme ishin gra, veçanërisht të veja, gjë që sugjeron se statusi social ndikonte në prirjen për t’u integruar në komunitetin mysliman. Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me origjinën gjeografike të konvertuesve. Minkovi vëren se një pjesë disproporcionale e tyre vinin nga qendrat urbane, sidomos nga Stambolli dhe rrethinat e tij, duke argumentuar se afërsia me institucionet shtetërore krijonte kushte më të favorshme për konvertim sesa mjediset rurale. Shumica e atyre me origjinë të identifikueshme vinin nga Ballkani, çka autori e lidh me shkallën e avancuar të islamizimit në rajon gjatë kësaj periudhe.

Një aspekt me interes është analiza e identitetit të të konvertuarve. Duke u mbështetur në peticionet, Minkovi argumenton se pranimi i islamit shoqërohej me adoptimin e elementeve të traditës islame, por jo domosdoshmërisht me asimilim etnik ose turqizim. Ky vëzhgim ka rëndësi për debatet historiografike mbi raportin ndërmjet islamizimit dhe identitetit etnik në Ballkanin osman. Në aspektin fetar, autori konstaton se shumica e të konvertuarve vinin nga komunitetet ortodokse, megjithëse dokumentet dëshmojnë edhe raste konvertimesh nga komunitetet armene dhe hebraike.

Megjithatë, analiza ka edhe kufizime metodologjike. Peticionet kisve bahası përfshijnë vetëm ata individë që iu drejtuan drejtpërdrejt sulltanit për mbështetje ose shpërblim, prandaj mostra nuk mund të konsiderohet plotësisht përfaqësuese për të gjithë të konvertuarit në Ballkan. Pavarësisht kësaj, kapitulli forcon argumentin qendror të Minkovit se islamizimi nuk mund të shpjegohet vetëm përmes paradigmës së konvertimit të detyruar, por duhet kuptuar edhe si proces mobiliteti social dhe integrimi institucional në rendin osman.

Pjesa përmbyllëse e librit sintetizon argumentin qendror të Minkovit se islamizimi në Ballkan ishte një proces gradual dhe shumëdimensional, i lidhur me integrimin në strukturat shoqërore, ekonomike dhe institucionale të Perandorisë Osmane. Sipas autorit, konvertimi nuk mund të reduktohet në një akt të izoluar fetar, por duhet kuptuar në kontekstin e transformimeve më të gjera që përshkuan shoqërinë osmane ndërmjet shekujve XV dhe XVIII.

Kulmi i islamizimit në shekullin XVII

Edhe Toleranca fetare – vlerë autentike e shqiptarëve Shtojca për Kulturë 3 muaj më parë Toleranca fetare – vlerë autentike e shqiptarëve

Një nga përfundimet kryesore të Minkovit është se islamizimi arriti kulmin e tij gjatë shekullit XVII dhe më pas hyri gradualisht në fazën e ngadalësimit. Në kundërshtim me interpretimet që e shpjegojnë procesin kryesisht përmes dhunës ose detyrimit, ai argumenton se faktorët socialë, ekonomikë dhe institucionalë luajtën rol më të rëndësishëm në zgjedhjet e të konvertuarve. Në këtë kuadër, institucioni kisve bahası paraqitet si tregues i transformimit të natyrës së konvertimit dhe i kalimit drejt fazës së fundit të islamizimit masiv në Ballkan.

Autori e lidh rënien e numrit të konvertimeve me ndryshimet më të gjera shoqërore dhe ekonomike të Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVIII. Sipas tij, zgjerimi i mundësive ekonomike për komunitetet jomyslimane dhe ndryshimet në strukturën sociale të Perandorisë zvogëluan gradualisht përfitimet praktike që dikur shoqëronin pranimin e islamit.

Megjithatë, disa prej interpretimeve të Minkovit mbeten më tepër hipoteza sesa përfundime të provuara plotësisht. Veçanërisht argumentet që lidhin fundin e islamizimit me ndryshime ideologjike brenda elitës osmane ose me zhvillime të caktuara fetare nuk mbështeten gjithmonë në dëshmi të drejtpërdrejta burimore. Po ashtu, peticionet kisve bahası, megjithëse përbëjnë një burim me vlerë të veçantë, janë dokumente të hartuara në kontekst administrativ dhe nuk mund të konsiderohen gjithmonë pasqyrim i drejtpërdrejtë i motiveve personale të të konvertuarve.

Një meritë e rëndësishme e veprës është aparati i gjerë dokumentar. Përfshirja e faksimileve, përkthimeve të peticioneve dhe listave të njësive arkivore në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë dhe në Arkivin Osman u ofron studiuesve mundësinë të verifikojnë argumentet e autorit dhe të vazhdojnë kërkimet mbi baza burimore.

Megjithëse libri sjell kontribute të rëndësishme metodologjike dhe empirike, disa prej përfundimeve të tij nuk janë krejtësisht të reja në historiografinë ballkanike. Studiues si S. Dimitrov dhe Maria Todorova kishin ngritur më herët pyetje të ngjashme mbi lidhjen ndërmjet konvertimit, mobilitetit social dhe natyrës së peticioneve kisve bahası. Megjithatë, merita kryesore e Minkovit qëndron në analizën sistematike të një korpusi të gjerë burimor dhe në zhvendosjen e debatit nga interpretimet monokauzale drejt një kuptimi më kompleks të islamizimit në Ballkanin osman.

Përfundim

Edhe Beshlin: Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore u nxit nga politikat jugosllave Arbëri 3 j. më parë Beshlin: Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore u nxit nga politikat jugosllave

Studimi i Anton Minkovit,“Konvertimi në Islam në Ballkan. Peticionet Kisve Bahası dhe jeta shoqërore osmane (1670–1730)“, përmban më pak risi historiografike sesa mund të sugjerojë në shikim të parë, pasi një pjesë e argumenteve dhe përfundimeve të tij janë trajtuar më herët nga studiues të tjerë të historisë osmane dhe ballkanike. Po ashtu, mbështetja e theksuar në peticionet “kisve bahası“ si burim kryesor ngre disa pikëpyetje metodologjike lidhur me përfaqësueshmërinë e tyre dhe me mundësinë e përgjithësimit të përfundimeve për tërë procesin e islamizimit në Ballkan.

Megjithatë, pavarësisht këtyre rezervave, studimi mbetet një kontribut i rëndësishëm në historiografinë osmane dhe ballkanike. Merita kryesore e autorit qëndron në sjelljen në vëmendje të një korpusi burimesh relativisht pak të shfrytëzuara dhe në përpjekjen për ta analizuar procesin e konvertimit nga këndvështrimi i vetë të konvertuarve. Duke e zhvendosur debatin nga interpretimet reduksioniste të bazuara vetëm te dhuna, presioni shtetëror apo interesat fiskale, Minkovi propozon një qasje më komplekse dhe shumëdimensionale ndaj konvertimit në islam në Ballkan. Në këtë kuptim, botimi i veprës në gjuhën shqipe paraqet një kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare, pasi u ofron studiuesve, studentëve dhe publikut të interesuar qasje në një studim të mbështetur në dokumentacion arkivor osman dhe pasuron debatin shkencor mbi islamizimin në Ballkan me burime dhe interpretime që deri më tani kanë qenë pak të njohura në hapësirën shqiptare.