Romani i Ibrahim Kadriut “Ikja si shpëtim” është më tepër se një dramë personale dhe reperkursive që i sjell lexuesit shqiptar një dramë përplot të papritura, tronditje dhe rënie të përshkuara me kujdes të jashtëzakonshëm të penës së autorit. Ky “fat” i zi ka të bëjë me dëshpërimin, vuajtjen, humbjen personale tronditëse që përfundon shpesh me fatkeqësi rrethanore të papërballueshme, përshkruar përmes një vije të hollë narracioni që bën autorin të jetë i lexuar me një ekzaltim të veçantë
“Ikja si zgjidhje”, romani më i ri i Ibrahim Kadriut, shkrimtarit të njohur dhe më prolifik të letërsisë sonë, sjell një përballje me një fakt të pamohueshëm historik të njeriut shqiptar, në të dyja anët e kombit të ndarë. Si lajtmotiv është “fati tragjik” i brezave që përshkon përmes copëzave të fatit të karakterit kryesor të romanit, Mal Coli, dhe si personifikim i përvojave kolektive të brezave nëpër kohë, i përshkruar si paracaktim gjithëkohor, i pashmangshëm, shkatërrimtar. Ky “fat” i zi ka të bëjë me dëshpërimin, vuajtjen, humbjen personale tronditëse që përfundon shpesh me fatkeqësi rrethanore të papërballueshme, përshkruar përmes një vije të hollë narracioni që bën autorin të jetë i lexuar me një ekzaltim të veçantë. Thurja (ose thurima) në roman përthyen një mënyrë unike të të rrëfyerit dhe ndërlidhjes së ngjarjeve episodike, përshkrimit të personazheve dhe botëkuptimeve të tij si bartës i narracionit në një vepër letrare. Narracioni përbën strukturën e brendshme të tekstit dhe përcakton se si zhvillohet fabula dhe subjekti. Syzheu, si bosht i ndërtimit të brendshëm artistik, sjell përmes personazhit kryesor, rreth të cilit zhvillohet narracioni, një rrugëtim nëpër katrahurat personale, mishërimin e katrahurës kolektive të këtij milieu, me postulatin kuptimplotë të një periudhe të rëndë kolektive për shqiptarët, në të cilën: “Jashtë mureve është më tmerr... jeta jashtë burgut për shqiptarët është njësoj si në burg?”
Kapitujt e romanit janë kryesisht renditje të ndjenjës së trishtimit dhe humbjes së shpresave... një e keqe që vjen nga të qenit shqiptar, që ka përcjellë me mijëra njerëz tanë në të kaluarën e këtij trualli gjatëkohë të pushtuar. Autori ia arrin që përmes një trajtimi josipërfaqësor të psikologjisë së të burgosurit të sheshojë dilemën e tij si një eksperiment fundamental teorik dhe psikologjik, që modelon tendosjen në brendësinë e realitetit të hidhur personal dhe të interesave më sipërore të kolektivitetit. Kjo shpërfaq mënyrën se si një individ racional mund të zgjedhë në dy situata të ndryshme, duke refuzuar bashkëpunimin me dhunuesin edhe atëherë kur kjo është në interesin e tij më të mirë personal për ta bërë këtë. Romani përpunon në detaje psikologjinë e burgut dhe synimin ultimativ: “...Qelia sikur ia shtonte trimërinë, meqë mendonte se kishte arritur limitin e të keqes në burg. Nuk i mbetej tjetër veç të mendonte diçka radikale...”, thuhet në këtë kapitull të romanit. Në një diskurs më tepër kafkian e më pak oruellian, personazhi ndodhet mes përsiatjesh mbi frikën dhe limitet e saj: “Frika vinte edhe nga ëndrrat, sepse në ëndërr nuk kishte mundësi kontrolli, dhe në aso situate do të ndodhte të fliste diçka të pakuptimtë për rrethin...” nga e cila do të mund të vuante pasojat.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy shtjellim rikujton pikërisht fatet e “Procesit” të Kafkës: arsyetimet e paimagjinueshme të UDB-ashit serb dhe në vijim të Komisarit shqiptar... yshtjet për t’u futur në ingranazhin e së keqes të sistemit me tërë trashëgiminë autoritare të së kaluarës, logjikës permanente të presionit, intimidimit dhe premtimeve... që do të vinin si rezultat i “ndërrimit të identitetit”, siç do të ndodhë në fund të librit me personazhin, i cili fiton sa vlerësim dhe simpati nga ana e lexuesit në faqet e para të librit aq edhe zhgënjim dhe të papritura në vazhdim... Pse autori ka propozuar një fund të tillë – ai që nuk u përkul nga presionet e aparaturës së torturës jugosllave serbe, tani me një lehtësi të papritur shndërrohet në një bashkëpunëtor me identitet të ri të sistemit me trashëgimi autoritare të shtetit shqiptar? A është ky rezultat i shkrimit fiktiv apo realizëm praktik politik, një joshje e prodhuar me të vërtetë në brezat e mëparmë të shqiptarëve të Kosovës dhe me dashurinë zhgënjyese për Shqipërinë... Vetë lexuesi duhet të konkludojë e të zbërthejë alternativa që nuk janë thënë në roman, mes koncepteve fiktive letrare dhe shtrirjes së kontemplimit aktual.
A është e njëjta thirrje për bashkëpunim, rekrutim në sistemin shtypës jugosllav dhe tani në atë shqiptar... Tiparet mund të jenë të ngjashme, por krahasimet evidente dalin jashtë identifikimit të sistemit jugosllav të egër dhe të pamëshirshëm ndaj të burgosurve shqiptarë brenda dhe jashtë burgjeve dhe të shërbimit informativ të Shqipërisë, përkundër tipareve të egra të trashëguara nga e kaluara autoritare e sistemit... Krahasimi, megjithatë, nuk vlen, madje është i tepërt. “Ligështimi” i karakterit kryesor të romanit për të flakur parimin mbi interesin e ngushtë personal, duke u bërë pjesë e strukturave të shërbimit informativ shqiptar, për ç’gjë ishte i pathyeshëm në burgjet serbe, kufizohet me limitet e skajshme të aktualitetit dhe të realitetit aktual të “protestës për hir të protestës” në kurthin e së cilës bie personazhi, siç përshkruhet në një skaj të librit: “E merrte me mend se kjo revoltë kolektive që i kishte nxitur të dilnin në shesh kishte ndonjë arsye, por ai nuk kuptonte arsyen e saktë...” A s’është ky një postulat që qëndron kundruall realiteteve të shtetit shqiptar, të llojit që po përjeton bota shqiptare edhe sot: kotësia e protestimit me inspirime politike jashtësore si shprehje të dhunës politike kundër dhunës politike në Shqipëri...”
Romani i Ibrahim Kadriut “Ikja si shpëtim” është më tepër se një dramë personale dhe reperkursive që i sjell lexuesit shqiptar një dramë përplot të papritura, tronditje dhe rënie të përshkuara me kujdes të jashtëzakonshëm të penës së autorit...