Në një kabllogram të Ambasadës Gjermane në Beograd të përgatitur nga diplomati i saj Th. Schmitt, pas një udhëtimi zyrtar në Prishtinë, Kosovë, më 11 e 12 dhjetor 1991, jepen detaje të rëndësishme rreth vizitës së tre diplomatëve evropianë në Kosovë. Pjesa më domethënëse e dokumentit lidhet me takimin e diplomatëve perëndimorë me Ibrahim Rugovën, i cili u paraqet atyre një qëndrim fleksibël për të ardhmen e Kosovës: nëse Jugosllavia mbetej e bashkuar, Kosova duhej të bëhej republikë e barabartë; nëse ajo shpërbëhej, shqiptarët kërkonin shtet të pavarur apo bashkim me Shqipërinë dhe trevat shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni. Rugova nuk e përjashtonte ndarjen e një pjese të veriut të Kosovës, por theksonte se vetëm Leposaviqi kishte shumicë serbe
Në vitin 1991, Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë por shkonte drejt shpërbërjes përfundimtare. Rënia e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë jo vetëm që përshpejtoi tendencat për vetëvendosje ekzistuese dhe tensione nacionaliste ndërmjet tetë njësive përbërëse të Jugosllavisë, por çoi edhe në dhunë të hapur dhe në shkëputje.
Në këtë proces shpërbërjeje, roli i Gjermanisë së sapobashkuar u bë vendimtar për njohjen e Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnjë Hercegovinës nga BE-ja dhe vendet tjera jashtë kontinentit evropian.
Hans Dietrich Genscher, ministri i atëhershëm i Gjermanisë, ishte bërë protagonisti kryesor në politikën e Bashkësisë Evropiane, duke imponuar dinamikën e njohjen së shpejt të Sllovenisë dhe Kroacisë, me qëllim që konflikteve të armatosura të nxituara nga Beogradi t’u jepej karakter ndërkombëtar. Prej atëherë filloi të përhapej legjenda se Gjermania përmes njohjes së “nxituar” të Kroacisë dhe Sllovenisë e shkaktoi shpërbërjen e Jugosllavisë.
Histeria antigjermane në Beograd
Veçmas në Beograd po përhapej një histeri antigjermane, pasi në këtë mënyrë po minoheshin planet hegjemoniste të Millosheviqit dhe të APJ-së, e cila në këtë periudhë ishte nën kontrollin e Beogradit, në kohën kur atë e kishin braktisur ushtarët dhe oficerët sllovenë, kroatë, shqiptarë dhe boshnjakë. Në librin e saj “Tragjedia ballkanike”, Susan Woordward shkruan se përderisa qëllimi i Qeverisë së Gjermanisë ishte t’i jepte komunitetit ndërkombëtar më tepër hapësirë për të ndërmarrë aksione, ata ishin të akuzuar të kenë motive të larta – madje duke përhapur frikën se “Shprehitë e vjetra të Grossdeutschland nuk kanë vdekur”. Ky ishte keqkuptim totalisht i pathemeltë që vazhdon të qarkullojë edhe sot si një legjendë.
Në këtë kohë, krahas diplomacisë gjermane ishte gazetari i njohur Viktor Meier – korrespondenti i përhershëm për Evropën Juglindore i gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), i cili pati ndikim të jashtëzakonshëm për sensilbilizim. Asokohe Meier kishte botuar një artikull me titullin në dukje tautologjik: “Ballkani po bëhet sërish Ballkan”. Edhe nëntitulli ishte enigmatik: “Vepra e Zhivkovit, Ceaușescut dhe Miloševićit”. Sipas Meierit, rajoni gjeografik i Ballkanit po kthehej sërish në një shëmbëlltyrë të stereotipit negativ me të cilin tradicionalisht ishte lidhur: ryshfet, gjakmarrje, korrupsion, dhunë, prapambetje dhe delire nacionaliste për epërsi.
Riballkanizimi i Ballkanit, zbarkimi i diplomatëve në Prishtinë
Viti 1989, sipas tij, shënonte fillimin e një riballkanizimi të Ballkanit – në kuptimin më të keq të fjalës.
Por, në këto rrethana kur lufta ishte përhapur tashmë në Kroaci dhe pritej edhe në Bosnjë-Hercegovinë, problemi i Kosovës vazhdonte të ziente gjatë fillimviteve 1990-të. Për këtë arsye, shumë diplomatë evropianë dhe amerikanë vazhdimisht po zbarkonin në Kosovë, ku pritej të shpërthente në çdo moment për shkak të politikave represive të MiIlosheviqit. Ky regjim kishte goditur shkollat shqipe dhe të gjitha institucionet publike ishin serbizuar, pasi shqiptarët ishin dëbuar nga jeta publike dhe po kërcënoheshin me mbijetesës fizike. Mbyllja e shkollave shqipe në Kosovës, ngjashëm si në periudhën midis dy luftërave botërore, kishte synim të dobësonte ndjenjën e identitetit kombëtar shqiptar edhe nëpërmjet stimulimit të epërsisë së identifikimit kolektiv të bazuar në religjion. Prandaj, elita politike dhe intelektuale shqiptare etabloi me sukses sistemin paralel, ndërsa në politikën kosovare u ndërtua orientimi properëndimor si rezon shtetëror, teksa mërgata shqiptare e Kosovës dërgonte fshehurazi financa për mbijetesën e sistemit paralel, i cili ishte më shumë se rezistencë kundër politikave arsimore të imponuara nga Serbia. Ishte kryesore për të mbrojtur identitetin kombëtar.

Refuzimi i Kosovës për përfshirje në luftë më 1991
Sipas ambasadorit amerikan, Warren Zimmerann, (Orgins of Catastrophe), “fytyrat e ndryshme të nacionalizmit në Jugosllavi ishin të dallueshme: në Slloveni ishte tërheqës dhe i përmbajtur, në Serbi dhe Kroaci, agresiv dhe ekspansionist. Por, në Kosovë, ekzistonte një fytyrë e tretë. Modeli për nacionalizmin shqiptar në Kosovë nuk ishte ballkanik, por i frymëzuar nga lufta për pavarësi e kombeve të Afrikës dhe Azisë kundër sundimit kolonial në vitet 1950 dhe 1960. Strategjia shqiptare e rezistencës paqësore ndaj dominimit serb u frymëzua nga Mahatma Gandhi”. Ishte pikërisht kjo strategji përse Kosova dhe lidershipi i saj refuzuan të hynin në luftë më 1991. Në një takim në janar të vitit 1991 në Stubiçke Toplice, Kroaci – një moment vendimtar që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së Kosovës në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë, presidenti kroat Franjo Tugjman dhe disa nga gjeneralët e tij, përfshinin premtime për furnizim me armë nëse shqiptarët do të angazhoheshin në luftime kundër forcave jugosllave, nuk ia dolën të bindin lidershipin kosovar për hapjen e “frontit jugor.” Elita e atëhershme politike e Kosovës ishte e vetëdijshme për rrezikun e hapjes së një fronti të tillë, që do të zhvendoste luftën nga veriu në jug dhe, siç konstatohet edhe në një kabllogram gjerman, “një luftë e armatosur do të sillte masakra ndaj elitës shqiptare, duke e hedhur kombin shqiptar mbrapa për 90 vjet.”
Megjithatë, edhe më tej nuk përjashtohej mundësia e një lufte të armatosur në Kosovë, ku aty po mbretëronte një gjendje e vërtetë aparteidi dhe një “atmosferë koloniale”.
“Zyrtarët serbë ishin arrogantë dhe shpesh abuzivë. Shqiptarët ishin të tensionuar, flisnin me zë të ulët sikur pajisjet përgjuese të ishin kudo. U njoha me përvojën që të më çonin në ndonjë projekt ekonomik të tipit Potemkin nga mikpritësit serbë. Zyrtarët shqiptarë të niveleve më të ulëta ndiqnin në heshtje dhe me zemërim, por sapo serbët largoheshin, shpërthenin në zemërim ndaj politikave imperialiste të Serbisë”, shkruan Zimmermann.
Pritjet e shqiptarët kur rasti i Kosovës po rrëshqiste në periferi
Në këtë periudhë interesimi për Kosovën ishte i lartë edhe në mesin e diplomatëve të tjerë evropianë, përkatësisht edhe gjermanë, të cilët, megjithatë pas rastit të njohjes së Sllovenisë dhe Kroacisë, po tregoheshin më të përmbajtur. Por, në dosjet e Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme Gjermane ekzistojnë akte interesante të cilat ndihmojnë për ta konstruktuar rolin dhe angazhimin e diplomacisë gjermane për Kosovën. Bazuar në materialin tani në dispozicion, mund të shihet qartë se cila ishte gjendja reale në Kosovë dhe çfarë pritjesh kishin shqiptarët në rrethanat kur rasti i Kosovës po rrëshqiste në periferi.
Në këtë kohë, ashtu si politika amerikane dhe e shumicës së vendeve të BE-së, edhe ajo gjermane nuk e vinte në pikëpyetje sovranitetin serb në Kosovë, por mjaftohej me idenë e mundësisë së rivendosjes së një autonomie, ndërkohë që shqiptarët nuk hiqnin dorë nga ambicia e tyre për një republikë të pavarur apo edhe bashkim me Shqipërinë. Ndërkohë, Kosova kishte pavarësinë e saj nga Republika e Serbisë në tetor të vitit 1991. Pikënisja e këtij zhvillimi ishte shfuqizimi i statusit të autonomisë, në mars 1989 nga presidenti serb, Sllobodan Millosheviq. Pas kësaj pasoi një “serbizim” i të gjitha sferave të jetës; shqiptarët u përjashtuan nga jeta publike dhe ekonomike. Kushtetuta e re e Republikës së Serbisë e vitit 1989 solli një centralizim të legjislacionit. Njëkohësisht, pretendohej se të drejtat e krahinës, ashtu siç ishin kodifikuar në Kushtetutën federale jugosllave të vitit 1974, nuk do të cenoheshin. Megjithatë, krahina u degradua “në kundërshtim me kushtetutën jugosllave në një pjesë de facto pa të drejta të Serbisë, ku popullsia shqiptare iu nënshtrua represionit më brutal”.
Por, jo vetëm Beogradi, por as Komuniteti Evropian nuk e mbështeti pavarësinë e Kosovës. Konferenca e paqes e ministrave të jashtëm të Komunitetit Evropian në Hagë, me çka Beogradi vetëm sa e përshkallëzoi represionin dhe përndjekjen kolektive të shqiptarëve të Kosovës.
“Qeveria serbe në Beograd, në fazën përgatitore, ia doli me sukses t’i pengojë përfaqësuesit e krahinave autonome të marrin pjesë. Delegacioni serb në negociata, edhe në Hagë, arriti të bllokonte vazhdimisht çdo përpjekje për rikthimin e vetëqeverisjes në Kosovë.”
Në këtë konferencë u krijua një Komision i Arbitrazhit (Badinterit) për të shqyrtuar çështjet juridike lidhur me njohjen e republikave përbërëse të Jugosllavisë. Komisioni përfundoi se krahinat autonome, si Kosova dhe Vojvodina, nuk mund të trajtoheshin si republika federale. Shtetet e Komunitetit Evropian ndoqën rekomandimet e këtij komisioni dhe refuzuan kërkesën për pavarësinë e Kosovës të paraqitur më 21 dhjetor 1991.
Ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë pas kësaj kohe ishte gjithnjë e më e kufizuar. Por vizitat e diplomatëve perëndimorë ishin intensive. Kjo gjë shihet qartë edhe nga volumi i akteve të arkivuara për Kosovën në Arkivin Politik të Ministrisë Federale të Jashtme të Gjermanisë në Berlin, të cilat , ato që tani janë dispozicion, hedhin dritë më të plotë për pozicionin e diplomacisë gjermane si dhe për pritjet e mëdha dhe pa mbulesë të shqiptarëve se Gjermani dhe vendet të tjera do të mund të bënin diçka konkrete për ta ndaluar regjimin represiv të Millosheviqit.
Në një kabllogram të Ambasadës Gjermane në Beograd të përgatitur nga diplomati i saj Th. Schmitt, pas një udhëtimi zyrtar në Prishtinë, Kosovë, më 11 e 12 dhjetor 1991, P. L., përfaqësues i përhershëm i Ambasadës Norvegjeze, dhe sekretar i Ambasadës Britanike, jepen detaje të rëndësishme rreth vizitës së tre diplomatëve evropianë në Kosovë – nga Gjermania, Norvegjia dhe Britania e Madhe – në një periudhë kur situata politike dhe e të drejtave të njeriut në Kosovë ishin përkeqësuar në mënyrë dramatike.
Diplomatët përballë Rugovës dhe ideja e ndarjes së veriut
Pjesa më domethënëse e dokumentit lidhet me takimin e diplomatëve perëndimorë me Ibrahim Rugovën, i cili u paraqet atyre një qëndrim fleksibël për të ardhmen e Kosovës: nëse Jugosllavia mbetej e bashkuar, Kosova duhej të bëhej republikë e barabartë; nëse ajo shpërbëhej, shqiptarët kërkonin shtet të pavarur apo bashkim me Shqipërinë dhe trevat shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni. Po ashtu, Rugova nuk e përjashtonte ndarjen e një pjese të veriut të Kosovës, por theksonte se vetëm Leposaviqi kishte shumicë serbe, dhe pranon “idenë e ekstraterritorialitetit për manastiret serbe dhe të drejtat e pakicave në një Kosovë të pavarur.”
Kabllogrami pasqyron gjithashtu perceptimin që diplomati gjerman krijoi për dëshirën e përgjithshme të bashkëbiseduesve shqiptarë për bashkim me Shqipërinë, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike të saj. Po ashtu, Schmitt dokumenton represionin ndaj shqiptarëve: shkarkime, arrestime arbitrare dhe bastisje nga policia serbe.
Në pjesën tjetër të raportit, theksohet takimi me Veton Surroin, i përshkruar si bashkëbisedues i preferuar i diplomatëve për shkak të gjuhës angleze dhe nivelit të tij intelektual. Megjithatë, një zyrtar në Bon e kishte cilësuar atë si “maksimalist”, çka sugjeron se brenda diplomacisë gjermane përpunoheshin deri në detaje qëndrimet dhe pozicionet e figurave politike shqiptare.
Në këtë kabllogram, diplomati gjerman bën një vlerësim të drejtpërdrejtë: për Gjermaninë, çështja e shqiptarëve në Kosovë nuk është vetëm një temë politike, por një çështje e të drejtave të njeriut, dhe trajtimi i tyre nga Serbia përfaqësonte “një turp për të gjithë Evropën”.
Ky kabllogram mbetet një dëshmi e rëndësishme për qëndrimet gjermane dhe perëndimore ndaj Kosovës në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe tregon qartë se shqetësimet për të drejtat e shqiptarëve ishin tashmë evidente në qarqet diplomatike, ndonëse jo domosdoshmërisht të ndjekura me veprime konkrete në atë kohë.
Sipas kabllogramit të Ambasadës Gjermane në Beograd, që mban datën 11 e 12 dhjetorit 1991, diplomati gjerman, Schmitt, ka zhvilluar një udhëtim zyrtar të përbashkët në Prishtinë më së bashku me P. L., përfaqësues i përhershëm i Ambasadës Norvegjeze, dhe sekretar i Ambasadës Britanike. Diplomatët kishin udhëtuar nga Beogradi në Prishtinë. Bazuar në kabllogramin e diplomatit gjerman dërguar Ministrisë së Jashtme Gjermane, diplomatët perëndimorë në Prishtinë kishin zhvilluar shumë takime, përfshirë me Ibrahim Rugovën, që në atë kohë, ishte lider i padiskutueshëm i shqiptarëve në Kosovë.
Duke shmangur interpretimet e njëanshme, në këtë kabllogram mësojmë se takimi i parë ishte zhvilluar me Ibrahim Rugovën, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fehmi Aganin, zëvendëskryetar, Shaqir Shaqiri, anëtar i kryesisë së LDK-së dhe Hivzi Islami, kryetar i Partisë Fshatare të Kosovës,
Sipas kabllogramit. R..., i cili e dominoi bisedën, paraqiti kërkesat politike të LDK-së për ndryshime politike në formën e tri opsioneve:
a. Nëse Jugosllavia do të vazhdonte të ekzistonte, atëherë Kosova, do të duhej të përfshihej si republikë e barabartë pa ndryshuar kufijtë.
b. Nëse kufijtë brenda Jugosllavisë do të ndryshonin sipas parimeve etnike, këto parime duhet të aplikohen edhe për territoret e banuara nga shqiptarët, që do të sillte bashkimin e Kosovës me pjesët e banuara nga shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni.
c. Nëse Jugosllavia do të shpërbëhej plotësisht, atëherë kërkohej një shtet i pavarur gjithëshqiptar.
Sipas këtij raporti të diplomatit gjerman, një rikthim në situatën e vitit 1988 shihej, në rastin më të mirë, vetëm si pikë hipotetike fillestare për ndryshime të mëtejshme.

“Eksterritorialiteti për manastiret serbe... në Kosovën e pavarur”
Për sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës, sipas raportit Rugova u tregua fleksibël, por kishte thënë se vetëm një komunë (Leposaviqi) kishte shumicë serbe. Sipas dokumentit në fjalë, po ashtu citohet që Rugova të ketë thënë se “eksterritorialiteti për manastiret serbe dhe të drejtat për pakicat sigurisht që do t’u jepen në një Kosovë të pavarur.”
Me interesimin e diplomatit gjerman nëse shqiptarët kishin kontakte dhe komunikim me palën serbe, zyrtarët shqiptarë kishin bërë të ditur se as LDK-ja dhe as Partia Fshatare nuk kishin aktualisht ndonjë kontakt me palën serbe. Dhe se kontakti i fundit, sipas dokumentit, thuhet se kishte qenë dy bisedime të pasuksesshme me zyrtarin serb, Koshutqi, lidhur me problemin e arsimit.
Ky dokument, po ashtu, shpërfaq edhe pozicionin e elitës kosovare rreth rolit të Tiranës zyrtare. Sipas tyre, “angazhimi i qeverisë shqiptare për Kosovën konsiderohej i sinqertë. Në Shqipëri ekziston konsensus se Kosovës duhet t’i ndihmohet. Një bashkim me Shqipërinë, ndonëse është dëshirë e shumëkujt, në realitet shihet si i pamundur. Komunikimi me Shqipërinë ishte ende i përkohshëm. Komunikim përmes Frankfurtit, faks përmes SHBA-së. U vlerësua se Kongresi gjithëshqiptar i planifikuar nuk do të mbahej në atë formë, shihej si një ide spontane e disa intelektualëve, pa përgatitje serioze. LDK nuk ishte e përfshirë në përgatitjen e tij”, thuhet midis të tjerash në këtë raport të Ambasadës Gjermane në Beograd dërguar Ministrisë së Jashtme Federale në Bonn.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë