Shtojca për Kulturë

Mall-et na bashkojnë

Shopmall

Ironikisht, për atë çfarë kanë ëndërruar ta bëjnë forcat progresive, dashamirësit e pajtimit ndëretnik dhe ideatorët e një Kosove multietnike, për krejt këta mbi 20 vjet të pasluftës, po e bën kapitalizmi, nën kushtin e një qëllimi të përbashkët tregtar!

Qendrat e mëdha tregtare, Mall-et, janë shndërruar në hapësira të lira exterritorialiteti, ku shqiptarë e serbë qarkullojnë, takohen dhe bashkohen përreth interesit të përbashkët: shitblerjes. Mallet janë ajo utopia e bashkëjetesës ndëretnike që realiteti i jashtëm përpiqet ta krijojë, por që kurrë s’ia ka dalë ta bëjë realitet. Si të ishin tempuj religjiozë, Mall-et janë bërë “commonground”-e që bashkojnë shqiptarët e serbët, e i zhveshin nga urrejtja, mosdurimi e përbuzja etnike. Dhe mbi të gjitha, ato janë hapësira ku njerëzit nuk ndihen të kërcënuar nga prania e tjetrit

Historia e bashkëjetesës shqiptaro-serbe në Kosovën e pasluftës ka natyrisht shumë nuanca, ngërçe e plot të panjohura. Përpjekjet politike dhe ajo urgjenca e sforcuar (kryesisht nga ndërkombëtarët) për përmirësim të raporteve ndëretnike e për krijimin e një klime normaliteti, zor se ka funksionuar dhe rezultatet janë relativisht të vogla. Kjo sepse, shqiptarët dhe serbët s’kanë pasur qëllime të njëjta politike, s’kanë besuar në njëri-tjetrin dhe kanë ëndërruar e projektuar të ardhme të ndryshme. Dhe natyrisht, kanë pasur një të kaluar traumatike, që ka qëndruar si mur ndarës, stoik, i gatshëm që t’i bëjë ballë çdo lloj përafrimi dhe çdo lloj sensi të normalitetit. 

Serbët në Kosovë kanë vazhduar të jetojnë në getot e tyre, të painteresuar për atë se çfarë ndodh përreth, dhe në përpjekje të vazhdueshme për t’i rezistuar integrimit e angazhimit në jetën sociale e politike përtej-serbe, atë të dominuar nga shumica shqiptare. Ata kanë vazhduar të jetojnë mbi besimin e krisur se Serbia sërish do të kthehet në Kosovë (me ushtri e milici, natyrisht), për t’ua kthyer fuqinë, dinjitetin e pushtetin e dikurshëm mbi shumicën. Shqiptarët ndërsa, nuk ua kanë pasur nevojën serbëve lokalë, me qejf do t’i kishin përzënë nga Kosova, siç kanë bërë me një pjesë të madhe të tyre pas luftës. Megjithatë, meqë përzënia nuk ka qenë e s’është opsion tani, serbët trajtohen sall si “kuota”, si kuota politike për t’i përmbushur disa obligime kushtetuese e disa kërkesa të ndërkombëtarëve. 

Kjo histori e mosdurimit dhe e një bashkëjetese të zorshme, gati-gati të dhunshme, vazhdon pak a shumë edhe sot. Megjithëse, gjërat kanë filluar të përmirësohen në shumë drejtime. Dhe, nëse jo më shumë shembuj, ka së paku një, ku bashkëjetesa e pamundur në realitet, aty është e prekshme, funksionale. 

Qendrat e mëdha tregtare, Mall-et, janë shndërruar në hapësira të lira exterritorialiteti, ku shqiptarë e serbë qarkullojnë, takohen dhe bashkohen përreth interesit të përbashkët: shitblerjes. Mallet janë ajo utopia e bashkëjetesës ndëretnike që realiteti i jashtëm përpiqet ta krijojë, por që kurrë s’ia ka dalë ta bëjë realitet. Si të ishin tempuj religjiozë, Mall-et janë bërë “commonground”-e që bashkojnë shqiptarët e serbët, e i zhveshin nga urrejtja, mosdurimi e përbuzja etnike. Dhe mbi të gjitha, ato janë hapësira ku njerëzit nuk ndihen të kërcënuar nga prania e tjetrit. 

Ironikisht, për atë çfarë kanë ëndërruar ta bëjnë forcat progresive, dashamirësit e pajtimit ndëretnik dhe ideatorët e një Kosove multietnike, për krejt këta mbi 20 vjet të pasluftës, po e bën kapitalizmi, nën kushtin e një qëllimi të përbashkët tregtar! Por cili mund të jetë ai qëllimi i përbashkët shqiptaro-serb, në realitetin përtej-tregtar të Mall-eve që mund të përçojë normalitet në raportet shqiptaro-serbe? Përgjigjja me gjasë nuk gjendet te përpjekja e dhunshme për t’i bindur serbët që të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës, por po ashtu, as te refuzimi i serbëve për ta njohur e pranuar realitetin e ri të republikës. E tanishmja nuk i bashkon, aq më pak e kaluara, por ndoshta mund t’i lidhë e ardhmja, shpresa për një Kosovë që ka përqafuar disa rregulla, si ato që ofrojnë Mall-et sot: krijimi i një ambienti të sigurt, ku përkatësia etnike, gjuha dhe çfarëdo dallimi tjetër bëhet i parëndësishëm dhe ku njerëzit ia kanë nevojën tjetrit e mund të mbështeten në njëri-tjetrin.