Katër projekte të hartuara janë jo vetëm vizion i së ardhmes, por edhe pasqyrë e qëllimit të krijimit të ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week”. Adresa e vetme e tyre është ekspozimi në muret e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, jo rruga drejt implementimit. Me prezantimin e katër prototipave në kuadër të punëtorisë “Maratona e dizajnit” është mbyllur edicioni i parë i ngjarjes dedikuar qëndrueshmërisë dhe inovacionit në industritë kreative.
Rrallë ndonjë ngjarje kulturore hap dyert e asaj që bienalja nomade evropiane “Manifesta” me edicionin e 14-të të vitit 2022 në Prishtinë e pati kthyer në atë që njihej si Qendra për Praktika Rrëfyese, por që nuk rezistoi më shumë se një vit. Hapësira është tash krejtësisht bosh. Të premten mbrëma i është thyer sado pak zymtësia me punimet e nëntë vajzave të reja që shfaqin vizionin e tyre në industrinë kreative.
“Waste to wonder machine” është emërtuar njëri projekt, ai i Agnesa Osmanit dhe Arbenita Aliut. Aty shfaqet një lloj plani sesi materialet e tekstilit mund të riciklohen duke i transformuar ato në lodra për fëmijë nëpërmjet një makine.
Arbenita Osmani, e cila ka studiuar arkitekturën, ka thënë se ideja është që kjo makineri të jetë lëvizëse dhe të vendoset nëpër hapësira që frekuentohen nga fëmijët, me qëllim vetëdijesimin e tyre mbi rëndësinë e riciklimit.
“Ideja jonë ka të bëjë me krijimin e një makine që bën riciklimin e tekstilit, në këtë rast target i kemi fëmijët të cilët në fillim mund të futin rroba të vjetra aty dhe në fund u del një lodër. Ideja është që fëmijët të vetëdijesohen dhe ta dinë rëndësinë e riciklimit dhe në të njëjtën kohë të kënaqen duke e parë duke u realizuar”, ka thënë ajo duke u shprehur se ideja e tyre nuk është e parealizueshme.
“Gjatë procesit kam ardhur në një përfundim që nja 50 për qind është gjithsesi e realizueshme. Unë mendoj që pika kyçe në riciklim është çështja e vetëdijesimit. Shumë më lehtë është për ne që të ndërrohet mendësia duke nisur nga fëmijët, nga gjeneratat e reja dhe mendoj se do të kishte njëfarë impakti nëse kjo makinë do të ishte e lëvizshme, pra nuk do të ishte statike. Ne e kemi paraparë të jetë në vende që janë më të frekuentuara nga fëmijët”, ka thënë Osmani.
Punimi tjetër nga Donjeta Imeraj dhe Hadise Kaderi shfaq një lojë mbi mjedisin e cila ka për qëllim edukimin dhe vetëdijesimin e fëmijëve mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Tjetri, me emrin “Rehaus”, punuar nga Drinilë Shala, Erblinë Shala dhe Andrra Kalludra vjen në një tjetër dimension të riciklimit. Të riciklimit të hapësirës së papërdorshme, ku Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, sipas projektit, hapësira e pashfrytëzueshme i kthehet publikut si hapësirë rekreative e pune.
E shëtitja nëpër ekspozitë përfundon te projekti i Sibel Ibrahimit dhe Erisa Gashit. Ato kanë projektuar çadrat e vendosura në hapësira publike që shërbejnë në të gjitha stinët. Janë edhe estetike, në formë gjetheje, të punuara me plastikë të riciklueshme dhe mbetje bujqësore ku në pikën më të lartë mblidhet uji nga reshjet atmosferike dhe bëhet i përdorshëm. Aty parashihen gjithashtu panele solare që më pas kthehen në energji për biçikleta elektrike, telefona, trotinete e të ngjashme.

Këto vepra janë hartuar në kuadër të punëtorisë që është mbajtur për katër ditë në kuadër të festivalit.
Mentorja e punëtorisë, Sytrime Dervisholli, ka thënë se qëllimi ka qenë që të ngritët vetëdija te publiku dhe të jepen sa më shumë informacione lidhur me mbrojtjen e ambientit.
“Përveç paneleve që ka sjellë artistë e dizajnerë, sikurse edhe arkitektë, gjithashtu kemi pasur rastin të kemi edhe një grup prej nëntë vajzash të cilat kanë aplikuar me një thirrje të hapur dhe që janë përzgjedhur. Qëllimi ka qenë që në një formë të punohet me to dhe t’i nxjerrim disa prototipa ose modele për çështje të ndryshme”, ka thënë ajo duke folur edhe për punimet.
“Janë katër grupe që kanë sjellë katër ide shumë kreative që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientit, me reduktimin e mbetjeve dhe të përçohet mesazhi që mbetjet, për dikë mund të jenë të tilla, e për dikë pasuri. Është një lëndë e parë me të cilën mund të bëhen produkte të ndryshme”, ka thënë Dervisholli më tej.
Koordinatorja e projekteve në “Dyvolab”, Sara Azemi, ka thënë se “qëllimi i ekspozitës ka qenë të bëhen disa prototipa me ide të ndryshme se si mund të përdorim mbetjen plastike ose edhe mbetje tjera për të bërë diçka të mirë për komunitetin, pra të gjendet zgjidhje për problemet që i kemi në komunitet”.
“Punëtoria është thirrur ‘Maratona e dizajnit’ dhe ka zgjatur katër ditë. Për katër ditë, për diku shtatë a tetë orë vajzat kanë punuar në grupe dhe kanë ardhur me këta prototipa përfundimtarë. Ka qenë thirrja e hapur për të gjithë, por në këto punëtori kemi pasur vetëm pjesëmarrëse vajza”, ka thënë ajo më tej duke vlerësuar se projektet do të mund t’i shërbenin në të mirë komunitetit.
Edicioni i parë i ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week” u hap me 29 shtator me temën “Hapësirat e mundësive” në kinemanë “Armata” në Prishtinë Hapja u shënua me panel diskutimi me arkitektë nga Kosova, Shqipëria e Serbia. Panelistë ishin arkitekti Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, arkitektja dhe drejtoresha ekzekutive e “Dyvo”, Nikki Murseli, arkitektja Sonila Abdalli dhe arkitektja serbe Maja Laliq.
Një ditë më pas u mbajt konferenca me temë “Kreativiteti si akt riparimi: rigjenerimi përmes dizajnit dhe etikës së materialeve”. Panelistë kanë qenë Ibrahim Beqiri nga studioja “Shape and Shade”, Zanita Halimi nga Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Erzë Dinarama, e cila sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Samuela Hidri nga “Bezhë Studio” në Shqipëri, si dhe Ariana Kuqi nga “Architecture Wave”.
Me pyetjen “A mund ta ndryshojë arti botën?” është mbajtur konferenca e tretë më 1 tetor, po ashtu në kino “Armata” me panelistë artistët Francesca Pasquali, Sislej Xhafa, Driton Selmani dhe Behare Bajraktari. Konferenca e katërt dhe e fundit e ngjarjes është mbajtur nën temën “Moda si akt i shërimit: gratë në front midis mjedisit, komunitetit dhe sipërmarrjes” me dizajneren çeke Martina Spetlova, aktivisten serbe Katarina Ejdus si dhe dizajneret Hana Zeqa e Vlera Cocaj nga Kosova.
“Prishtina Sustainable Design Week” është ngjarje dedikuar qëndrueshmërisë dhe inovacionit në industritë kreative dhe shkencat sociale.
“Duke bashkuar zëra rajonalë dhe ndërkombëtarë në dizajn, arkitekturë, modë, antropologji dhe sipërmarrje sociale, festivali krijon një hapësirë për dialog ku idetë bëhen veprime dhe veprimet frymëzojnë ndryshim”, shkruhet në prezantimin e ngjarjes që e organizon “Dyvolab”, platformë për aktivizëm kreativ.