Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Mitrovicën tashmë e pushtoi Serbia përmes refugjatëve”

mitro

Mitrovicë, janar 1916 (Foto e Koleksionit të fotografive të Ushtrisë së Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Burimi: Biblioteka Kombëtare e Austrisë, Vjenë)

“Kalojnë dy ditë para se të na thuhet se në rrugën nga Rashka janë duke vërshuar refugjatët dhe kështu Mitrovicën tashmë e pushtoi Serbia përmes refugjatëve. Nga ora në orë, qyteti mbushet plot: në rrugët e ngushta, kolonat ndalen; pafundësisht, drejt konakut të vjetër, i cili u bë prefekturë, dhe drejt kazermave ku gjithnjë qëndrojnë autoritetet ushtarake, ngrihet turma e zymtë e ushtarëve të armatosur ose të paarmatosur, rekrutë, refugjatë dhe të huajt e zënë robër në eksodin e përgjithshëm. Kazerma e madhe është plot, ndërtesat publike janë plot. Ne strehohemi ku të mundemi, te banorët, myslimanë apo të krishterë, serbë, shqiptarë apo turq. Një shi i akullt bie dhe secili është i kënaqur nëse ia del të sigurojë një çati për veten e tij…”, shkruante diplomati francez Auguste Boppe për Mitrovicën e fillimit të Luftës së Parë Botërore

Ikja vazhdon

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dëshmi për gjendjen në Mitrovicën e fillimit të Luftës së Parë Botërore ka lënë edhe diplomati francez Auguste Boppe (1862-1921) në librin e tij “À la suite du gouvernement Serbe de Nich a Corfou: 20 octobre 1915 - 19 janvier 1916”,  të botuar në Paris në vitin 1917.

“Një kazermë e madhe ende e lyer si nga koha e turqve me të verdhë dhe ndërtesa e madhe e konakut pranë së cilës ngrihet një minare e zënë majën e bregut mbi të cilin, në qendër është një fushë e gjerë e prerë nga Ibri dhe dega e tij Sitnica dhe mu aty shtrihet Mitrovica. Pazari është i gjerë, i gjallë, rruga plot zhurmë. Ky qytet duket se ka pamjen e tij normale”, janë imazhet e para të përshkruara nga Boppe. “Mitrovica është e qetë ndërsa Serbia është e trazuar dhe në Mitrovicë një shqiptar ulur këmbëkryq duke i kaluar kokrrat e tespiheve nëpër gishta shikon nga dyqani i tij se si fare pranë i kalojnë përfaqësuesit e huaj dhe ai nuk çuditet. Ai do të shikojë me të njëjtën qetësi arritjen e turmave të refugjatëve, ushtrisë, qeverisë… Ai do të shikojë edhe atëherë kur ata do të largohen dhe prapë do të qëndrojë i pandjeshëm sepse ‘ashtu është e shkruar’”!

Do të donim të kalonim nëpër këto lagje piktoreske të Mitrovicës para se të binte nata. Vështrimi ndalet në një grup shtëpish me dritare të mbuluara me moucharabié, një lloj dritareje e rrethuar nga një rrjetë druri e gdhendur, që gjendet në katet e sipërme të një ndërtese, ndonjëherë e zbukuruar me xham të pikturuar. Shpeshherë janë përdorur si mbrojtje nga era dhe për ftohje pasive) e vjetër, me çati dhe tenda të lyera me ngjyra të ndritshme, atje pak më tej një minare e një xhamie e rrethuar nga ca shtëpi të vjetra në atë formë dhe e gjetur në mes të njërit prej krahëve të Ibrit, si një ishull misterioz të cilit mund t’i qaset vetëm nëpërmes një ure druri që kërcet... Dita mbaron shumë shpejt, dhe është për të ardhur keq që në kohën e darkës ne duhet të shkojmë në Klubin e Oficerëve, vend ky që pushteti na i ka caktuar si vendtakim. Këtu i gjetëm anëtarët e trupit diplomatik, përfshirë edhe ata me të cilët ishim ndarë në Kralevë  dhe të cilët po e prisnin zhvillimin e ngjarjeve në Mitrovicë”, shkruan ai. Rrëfimi vazhdon.

“Lufta për bukë ka filluar, miell nuk ka”

“Kalojnë dy ditë para se të na thuhet se në rrugën nga Rashka janë duke vërshuar refugjatët dhe kështu Mitrovicën tashmë e pushtoi Serbia përmes refugjatëve. Nga ora në orë, qyteti mbushet plot: në rrugët e ngushta, kolonat ndalen; pafundësisht, drejt konakut të vjetër, i cili u bë prefekturë, dhe drejt kazermave ku gjithnjë qëndrojnë autoritetet ushtarake, ngrihet turma e zymtë e ushtarëve të armatosur ose të paarmatosur, rekrutë, refugjatë dhe të huajt e zënë robër në eksodin e përgjithshëm. Kazerma e madhe është plot, ndërtesat publike janë plot. Ne strehohemi ku të mundemi, te banorët, myslimanë apo të krishterë, serbë, shqiptarë apo turq. Një shi i akullt bie dhe secili është i kënaqur nëse ia del të sigurojë një çati për veten e tij… Hoteli ‘Bristol’, i rekuizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për të shërbyer si mensë për diplomatët, nuk mund të mjaftojë për të përmbajtur oficerët e reparteve angleze, franceze, rusët, anëtarë të misioneve mjekësore të huaja. Infermierët që vijnë atje pretendojnë pak ushqime që tani për çdo ditë shiten me çmime më të shtrenjta. Lufta për bukë ka filluar, miell nuk ka. Të mbingarkuara, autoritetet nuk janë më në gjendje të përmbushin nevojat e ushtarëve dhe refugjatëve… Derisa një tregtar shqiptar në një moment ka mungesë vëmendjeje; njëri nga ushtarët kap një lakër dhe ikën me vrap, më pastaj një tjetër mekanikisht vepron si i pari, një tjetër e imiton atë, një i tretë tashmë e ka futur në gojë lakrën që ka marrë nga balta para këmbëve të tij dhe bile as që i bie në mend të largohet… Ministrat, aleatë po përgatiten për nisje. Në dyqanet e pazarit, ne nuk shohim që diplomatët po pajisen për karvanët e ardhshëm; dikush blen një shale turke, këpucët të mëdha të prodhuara në Amerikë për ushtarët serbë, një tjetër blen çorape të trasha shqiptare... Duke kaluar nëpër Mitrovicë, fare pa u ndalur kalojnë dhe vazhdojnë rrugën gratë e ministrave serbë… Në Rashkë, në fakt, situata ishte bërë e vështirë, ushtria u tërhoq në luginën e Ibrit dhe austriakët kishin futur nën kontroll Ivanjicën me një lëvizje qarkore që kishte qenë shumë e rrezikshme. Disa oficerë të Shtabit të Përgjithshëm tashmë kishin filluar ta humbnin besimin. Në një këshillim, në prani të Regjentit, më 5 nëntor kishte debate të nxehta. Orë pas ore, situata po përkeqësohej: Mitrovica kërcënohej njëkohësisht si nga austriakët ashtu edhe nga shqiptarët që po përparonin nëpër luginën e Ibrit, austriakët që po i afroheshin Novi-Pazarit dhe bullgarët që po e sulmonin Grykën e Kaçanikut për disa ditë rresht… Duket se zgjatja e qëndrimit tonë në Mitrovicë, njëkohësisht e rrezikon rënien në duar të armikut. Të gjithë janë të habitur se pse qeveria qëndroi kaq gjatë në Rashkë”, shkruan diplomati francez Auguste Boppe.   

 Topat e ushtrisë serbe të konfiskuar në Mitrovicë, janar 1916 (Foto e Koleksionit të fotografive të Ushtrisë së Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Burimi: Biblioteka Kombëtare e Austrisë, Vjenë)

Nikolla Pashiq: Duhet të ikim

Diplomati francez Auguste Boppe shkruan se në mbrëmjen e datës 12 nëntor, zoti Pashiq dhe ministrat e tij më në fund mbërritën në Mitrovicë, ku më 14 iu bashkua edhe Shtabi i Përgjithshëm. Sipas tij më 15 nëntor pasdite, mbërrini edhe regjenti.

“Kjo ditë u mbyll në pasiguri të madhe. Nuk dimë asgjë specifike, por jemi të shqetësuar: ndiejmë se diçka po ndodh. Si para ashtu edhe pas darkës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme deklaroi se nuk kishte marrë asnjë informacion të ri mbi situatën ushtarake. Megjithatë, ai është i befasuar që zoti Pashiq nuk është kthyer ende nga prefektura ku është në takim me Shtabin e Përgjithshëm dhe regjentin… Rreth orës nëntë e gjysmë, zëvendësatasheu ushtarak i legatës hyri fluturimthi në dhomën time: ‘Duhet të ikim!’ Bullgarët kanë zënë pozicionin e Gjilanit: ata tani lehtësisht mund ta kalojnë Grykën e Kaçanikut. Nuk ka kohë për të humbur. Shtabi i Përgjithshëm do të niset nesër në mëngjes: misionet tona do të bëjnë përgatitjet e tyre sonte dhe do të nisen për në Prizren gjatë ditës…. Nëpër rrugët e shkreta dhe të errëta, me fener në dorë, shkoj te ministri i Punëve të Jashtme. Te dera e tij, e gjej kolegun tim rus, i cili tashmë ishte informuar për situatën nga atasheu ushtarak. Ministri ishte tërhequr në dhomën e tij. E nxorëm jashtë, për çudi ai nuk di asgjë, megjithatë është i befasuar nga mungesa e vazhdueshme e z. Pashiq... Pa humbur kohë i bën thirrje kryetarit të Këshillit dhe shpejt na thuhet se zoti Pashiq është larguar nga prefektura dhe do të kthehet. Në orën njëmbëdhjetë e gjysmë, ai shfaqet i zbehtë, duart i dridheshin… Sikur fjalët i rëndonin dhe duke na i shtrënguar duart, me gjysmë zëri pëshpëriti: ‘Gjilani është marrë prej bullgarëve; duhet të ikim; Nesër në mëngjes, duhet të jeni në stacion në orën tetë, një tren special do të na çojë bashkë me Shtabin e Përgjithshëm në Lipjan, prej ku me veturë do të nisemi për Prizren. Dhe z. Pashiq prapë me një zë të thellë e të ngadaltë, i përsëriti fjalët: ‘Duhet të ikim’”, shkruan diplomati.

Mitrovica në vitet 1918 – 1924

Tre vjet më vonë qysh në javën e parë të tetorit të vitit 1918, në Mitrovicë nisën përgatitjet për rikthimin e pushtetit okupues. Mirëpo, në dy vjetët e ardhshëm Mitrovica do të militarizohet aq shumë saqë nuk besohet se përgjatë shekullit XX qyteti të ketë qenë i pushtuar prej forcave të ndryshme të uniformuara por edhe të bandave të ndryshme çetnike. Sipas raporteve diplomatike, disa njësi të ushtrisë franceze hynë në Mitrovicë më 22 tetor të vitit 1918. Mirëpo, një javë para hyrjes së armatës franceze në qytet, në Mitrovicë dhe rrethinë vepronin çetat e komitëve siç i quante Qeveria e Serbisë që akoma ndodhej në ishullin e Korfuzit. Shtabi i ushtrisë serbe kishte kërkuar nga komanda franceze “se gjithçka që do të ndodhte rreth Mitrovicës, qeveria duhej të informohej me kohë”. Po ashtu vetë kreu i ushtrisë së Serbisë e bënte të njohur se Mitrovica në të ardhmen do të shndërrohej në seli të njërit prej divizioneve të ushtrisë serbe ndonëse marshimi drejt Mitrovicës i ushtrisë serbe kishte nisur vetëm në javën e tretë të tetorit.

 “Që nga ora 6 e 30 minuta të mëngjesit Divizioni Jugosllav është në lëvizje në Mitrovicë”, raportohej në mënyrë të vazhdueshme nga Shtabi i Ushtrisë serbe. Ndërsa qysh në ditët e para të vendosjes së qytetit nën rrethana të rendit ushtarak mitrovicasit u angazhuan në përmirësimin e hekurudhës së dëmtuar në drejtimin Mitrovicë – Shkup. Por, mllefi i akumuluar i ushtarakëve serbë për tre vjet tani duhet të zbrazej. Kështu njëri prej gjeneralëve serbë shtabi i të cilit kishte qëndruar në Mitrovicë në vjeshtën e vitit 1915, vojvoda Mishiq tani komandant i Divizionit Jugosllav më 7 nëntor të vitit 1918, në ora 23 e 10 minuta të mbrëmjes, si masë të vënies së situatës nën kontroll në Mitrovicë dhe rrethinë e kishte dhënë urdhrin që “si pengje mund të merreshin krerët shqiptarë por edhe ata me autoritet dhe më pastaj ata të internoheshin në ndonjë vend tjetër”.

Në një vendim të kësaj kohe, bëhet e ditur se fillimisht ishin emëruar kryeshefat e rretheve të Drenicës dhe Vushtrrisë. Kryeshef i rrethit të Drenicës u emërua Angjellko Neshiq dhe i Vushtrrisë, Cvetko Stamenkoviq një ish-nëpunës i policisë. Ndërsa ndarja territoriale nuk pësoi ndryshime thelbësore dhe Mitrovica si seli e rrethit ngeli pjesë e qarkut të Zveçanit. Qarku  përbëhej prej 8 komunave dhe 130 vendbanimeve. Kryeshef i rrethit të Mitrovicës u emërua Z. Karajojiçiq.

Mosbindja e shqiptarëve në brigjet e majta të Sitnicës

Në javën e parë të nëntorit të vitit 1918, forcat e ushtrisë e kishin ndërmarrë aksionin e çarmatosjes së mitrovicasve. Fatkeqësisht, ky aksion nuk do të jetë as i pari e as i fundit, sepse aksione të tilla do të ketë në vazhdimësi. Kështu kur aksioni kishte nisur, sipas burimeve ushtarake serbe që janë të arkivuara, rezistencë serioze kundër forcave të ushtrisë kishin afruar banorët e bregut të majtë të Sitinicës.

“Atje ku shqiptarët u revoltuan, pra në bregun e majtë të Sitinicës duhet përdorur një batalion dhe çarmatosja të nisë në ora 7 të mëngjesit në datën 9 nëntor. Aksioni i çarmatosjes duhet të jetë i shpejtë dhe energjik. Të gjithë krerët e kryengritjes pas arrestimit duhet të dorëzohen në zyrën e kryeshefit të rrethit në Zveçan”, thuhej në urdhrin e ndihmësit të kryeshefit të Regjimentit të XXI me seli në Mitrovicë, majorit Dragan Vojniq. Mirëpo se çarmatosja nuk shkonte ashtu siç ishte planifikuar e dëshmon raporti i kryeshefit të rrethit të Zveçanit, Dragoviq i datës 5 dhjetor ku përveç tjerash ai shkruan se “shqiptarët e armatosur mbetën zotërues të situatës. Ushtria dhe topat u kthyen prapa. E lus kreun e ushtrisë që të ndërmarrë masa që ta kthejë në vend autoritetin e ushtrisë por edhe të pushtetit. Nuk duhet të lejohet që shqiptarët të mbeten të bindur se ushtria është tërhequr nga paaftësia e saj” – ka raportuar Dragoviq.

Edhe pse mungon raporti i detajuar, megjithatë është për të besuar se situata rreth çarmatosjes së mitrovicasve dhe sjellja brutale e pushtetin e kanë nxitur edhe reagimin e diplomacisë ndërkombëtare. Sipas një raporti në pranverë të vitit 1919, në Mitrovicë ka qëndruar atasheu ushtarak i Francës, majori Karbonie.

“Ai e ka për qëllim që të njihet me gjendjen aktuale, pasi diplomacia italiane ka shpërndarë informacione se trupat tona por edhe ato malazeze kanë kryer masakra mbi shqiptarët. Majori Karbonie do të mbërrijë në Mitrovicë më 22 prill të vitit 1919”.

Mitrovicë, 1920

Ferhat Draga dhe vazhdimi i aktiviteteve kombëtare

“Prej të gjitha kolonive më së shumti patën sukses ato në Kosovë. Toka atje është e kualitetit më të mirë, në veçanti përgjatë lumit të Sitnicës… Kushtet klimatike janë të volitshme, uji është i shëndetshëm dhe me bollëk. Rrugët janë të mira dhe të mjaftueshme. Në Kosovë është vendosur elementi ynë më i mirë edhe jo vetëm prej një zone apo krahine të vendit, por prej të gjitha anëve”, ka shkruar Gjorgjo Kërstiq, njeriu më përgjegjës për kolonizimin e viseve shqiptare midis dy luftërave. Në anën tjetër komandantët e ushtrisë ishin acaruar tej mase për mosbindjen dhe rezistencën që shqiptarët e afronin në mënyrë të vazhdueshme.

“Jam i mendimit që rrethet Mitrovicë, Podujevë dhe Vushtrri duhet të çarmatosen plotësisht. Për këtë nevojitet një aksionin i rrufeshëm nga Prishtina, Novi Pazari dhe Kurshumlia”, i drejtohej ministrit të ushtrisë nga Shkupi, gjenerali Vasiq në fillim të gushtit 1919.

Ndërsa sa u përket mitrovicasve, pra përveç mosbindjes ndaj pushtetit të ri, duke u mbështetur në raportet e karakterit ushtarak kuptohet të kundërzbulimit, njëri prej reagimeve nga ana e tyre ka ardhur krejtësisht në lidhje me ngjarjet e karakterit të zhvillimit të jetës tregtare në qytet në vjeshtën e vitit 1919. Në raportin e adjutantit të komandës ushtarake, Llazar Jov, Gjorgjeviq thuhej “se referenti i komunës së Mitrovicës, Misha Brankoviq i kishte raportuar atij se në zyrën e tij kishin ardhur Ibrahim Deva, Ibrahim Çerkezi por edhe disa figura të njohura të Mitrovicës dhe ata kishin kërkuar që të tërhiqej vendimi për mbylljen e dyqaneve mitrovicase ditën e diel dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodhte, atëherë ata nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse në qytet mund të plasë ndonjë revoltë. Mirëpo, Brankoviqi ishte i bindur se figurat e njohura shqiptare në Mitrovicë paraprakisht kishin qenë në konsultim te Ferhad bej Draga”. Në raport më tej thuhet se serbët e Mitrovicës janë të bindur që asnjë kryengritje as në Drenicë e as në Shalë nuk mund të nisë pa marrë leje këtu në Mitrovicë dhe rol kyç në to kanë Ferhat bej Draga dhe Ibrahim Deva”.

Vetëm dy javë më vonë, përgjegjësit e lartë të ushtrisë ishin të bindur se Ferhat bej Dragën dhe krerët e tjerë mitrovicas duhej internuar, por tashmë edhe lista ishte zgjeruar nga se përmendeshin Mulla Ahmeti, Riza Efendia, Tafil Beu.. Komanda ushtarake serbe në fund të raportit e tërhiqte vërejtjen se të lartpërmendurit ishin duke u angazhuar të organizonin kryengritje të përmasave më të mëdha me qëllim të nxitjes së Fuqive të Mëdha që të intervenonin në favor të Shqipërisë.

Ndërsa, siç dihet angazhimi i atdhetarit Ferhat bej Draga u kurorëzua me formimin partisë së “Xhemijetit”. 

“Gjashtëdhjetekatër përfaqësues myslimanë në Kongresin e mbajtur në Shkup e kanë zgjedhur për kryetar Ferhat bej Dragën”, raportohej nga ish – kryeqendra e Vilajetit të Kosovës në gjysmën e dhjetorit të vitit 1919.

Përkundër militarizimit të Mitrovicës dhe politikës së egër që u zhvillua në Kosovën e atëhershme, fundi i vitit 1924 e gjeti qytetin e Mitrovicës me 2007 shtëpi dhe me 7923 banorë por se qyteti tashmë ishte ngulfatur nga ngecja ekonomike dhe jo perspektiva e ilustron fakti se përgjatë tërë vitit 1927 midis hebrenjve të Mitrovicës kishte pasur vetëm një kurorëzim të një çifti, dy raste të vdekjes dhe tri lindje. Numri i mitrovicasve të punësuar ishte i ulët dhe ai mund të krahasohej me qendrën e Kumanovës (1264 të punësuar) por mund të ishte inkurajues me numrin e të punësuarve në Prishtinë ku të punësuar ishin vetë 885 veta. Në Mitrovicë të punësuar ishin 1 650 veta. Fjala është për qytetarë të punësuar që njëherësh e paguanin edhe sigurimin e rregullt. Ndërsa, një vit më vonë duke u mbështetur në të dhënat zyrtare Mitrovica numëronte 418 zanatlinj, më shumë se Prishtina ku ishin regjistruar 278 zanatlinj, por më pak se në Manastir ku ishin 876 dhe Tetovë me gjithsej 486 zanatlinj. Megjithatë në nivel të Kosovës, për nga numri i zanatlinjve Mitrovica e zinte vendin e dytë, menjëherë pas Prizrenit me 462, ndërsa Gjilani ishte i fundit me 125 zanatlinj të regjistruar.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë