Shtojca për Kulturë

Segoni, biografi i parë i Skënderbeut midis Novobërdës, Kotorrit e Ulqinit

Dorëshkrim i Martin Segonit

Dorëshkrim i Martin Segonit

Martin Segoni është ndër biografët më të hershëm të Skënderbeut. Ai konsiderohet autor parabarletian për të bë­mat e Skënderbeut. Ai, po ashtu, është autor i një trakti – libri interesant që do të duhej t`i shërbente kryqëzatës së inicuar nga Papa Sikti IV më 1485. Segoni, i lindur në Novobërdë, me origjinë familjare nga Kotorri, ish-kanonik i Novobërdës dhe peshkop i Ulqinit, ishte ideal për të bartur njohuritë e tij nga brendësia e Ballkanit. Andaj vepra e tij është një udhëzues e itinerar për shtigje e rrugë për një ndërhyrje ambi­cioze antiturke

Janë disa personalitete, në fakt familje nga Boka e Kotorrit, që kanë pasur rol të jashtëzakonshëm dhe kanë dhënë kontribut të madh në marrëdhëniet kulturore e shpir­tërore me shqiptarët. Këta janë jo vetëm Bolicat dhe Zmajevicët e njohur, por kishte dhe individë të tjerë, si humanisti Martin Segoni, biografi i parë i Skënderbeut.

Martin Segoni (Martino Segono) është një autor hu­manist origjinal e me rëndësi për historinë e Ballkanit dhe posaçërisht për relacionet që lidhin shqiptarët me Bokën e Kotorrit.

Segoni, deri vonë i panjohur për publikun e gjerë, është një autor që ka lënë gjurmë me kontribute origjinale e autentike duke lidhur Kotorrin, Novobërdën, Ulqinin dhe më vonë edhe Venedikun e Italinë me aktivitetin e tij si klerik i lartë, autor librash e trajtesash – që hedhin dritë e dëshmojnë për një kohë të rëndësishme përthyerjesh me fillet e shtrirjes së Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit.

Segoni është edhe ndër biografët më të hershëm të Skënderbeut. Ai konsiderohet autor parabarletian për të bë­mat e Skënderbeut.

Në origjinalin latinisht, janë ruajtur këto shkrime të Segonit: Traktati mbi mbrojtjen e Otrantit dhe rregullimi ushtarak i Turkut dhe origjina e tij; Shkrimet historiko-gjeografike për rrugët nga të cilat duhen sulmuar turqit (nga viti 1522 u ribotua disa herë, por në emër të kroatit Feliks Petancic); për tokat dhe regjionet nëpër të cilat turqit mund të sulmojnë, për trevat e Dalmacisë prej të cilave barbarët ndërmarrin sulme në vende gjermane. Që të dyja këto tekste janë ruajtur në fondin e Razzit, të përkthyera italisht. Në italishte është ruajtur edhe biografia e shkurtër e Skën­der­beut: “Narrazzioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioe Alesandro Magno” (Tregim për Gjergj Kastrio­tin, nga turqit, në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh).

Udhë­zues për shtigje të ndërhyrjes ambi­cioze antiturke

Ai, po ashtu, është autor i një trakti –  libri interesant që do të duhej t`i shërbente kryqëzatës së iniciuar nga Papa Sikti IV më 1485. Segoni, i lindur në Novobërdë, me origjinë familjare nga Kotorri, ish-kanonik i Novobërdës dhe peshkop i Ulqinit, ishte ideal për të bartur njohuritë e tij nga brendësia e Ballkanit. Andaj vepra e tij është një udhë­zues e itinerar për shtigje e rrugë për një ndërhyrje ambi­cioze antiturke, që nga “kalimi afër Beogradit kah pjesa e epërme e Mezisë dhe Rodopeve, kah Thrakia”, apo “nga i njëjti Beograd përmes dardanëve e tribalëve”, dhe “nga vendi ku nga Panonia kalohet në Mezi afër qytetit Zaslon (Shabac)”, si dhe “rruga që nga Panonia përmbi Transilvani të shpie kah Thrakia e Ponti” etj. Në fakt, vepra ndahet në tri pjesë e shumë nëntituj dhe është një trajtesë kom­plekse me shumë të dhëna gjeografike, politike, historike, etnografike e njohuri të tjera që janë një burim i jashtë­za­konshëm e interesant për këtë kohë. Vepra në fjalë, pra, është më shumë se itinerar; është një traktat që gjerësisht flet për otomanët dhe prejardhjen e tyre, sistemin ushtarak, administrativ, historinë e rajonit dhe shumë aspekte të tjera të dobishme për planet papale, mu në vigjilje të depërtimit dhe etablimit të otomanëve në Ballkan dhe të afrimit të tyre në Adriatik. Për më tepër, vlera e përshkrimit të gjerë gjeo­grafik të Ballkanit, që nga via Egnatia, Vlora-Apollonia, e deri te “ngushtica Propontide”, Kroacia, “malet Krbave”, Beogradi, bashkimi i Drinit, Thrakia, Maqedonia, e deri te përmendja e Maltës e Konstandinopojës – janë një material me plot vlera të gjeografisë historike.

Ky traktat dhe përgjithësisht vepra dhe personaliteti me rëndësi i Martin Segonit ishte fare i panjohur për opi­nionin deri vonë. Atë e “zbuloi” më 1981 autori italian nga Milano, Augostino Per­tu­si, me veprën e tij (Mar­ti­no Se­go­no di No­vo Br­do, vesco­vo di Dul­cig­no, un uma­ni­sta ser­bo-dal­ma­ta di tar­do Qu­a­tro­cen­to,).

Vepra e harruar dhe debati për origjinën

Vepra dhe personaliteti i Martin Segonit duken të humbur e të harruar, por ai nuk ishte shkrimtar i panjohur në histori. E citonin në veprat e tyre historianët dhe shkrim­tarët e mëdhenj humanistë, si: M. A. Sabeliko, M. Beçike­mi, P. Jovius, M. Orbini etj. Vepra jo komplete e Segonit, pjesërisht është e ruajtur në latinishten origjinale, diçka e përkthyer në italishte, e ruajtur vetëm nga historiani italian S. Razzi në Kotorr më 1589. Disa vepra të tij na kanë mbe­tur të njohura vetëm sipas titujve. Nga dorëshkrimet e ruajtura dihet fare pak për jetën e Martin Segonit.

Në fakt, ashtu si e analizon edhe Čirkovići, Segoni duket se është përdorur madje edhe nga autori i njohur i shek. XVI Mavro Orbini në “Regnum Slavonie”. Këtë e kishte bërë në mënyrë indirekte duke folur për kufijtë e Mezisë, kur thirret në përshkrimin e Petančić “De itineribus in Turciam libellus” (1522.), që praktikisht dihet se është vepër e Segonit. Në një zbërthim të mëtutje­shëm, sipas Čir­kovićit, del se ky ndërmjetësim i veprës është bërë për­mes Antonius de Petonza presbyter, po ashtu nga Novo­bërda. Čirkovići supozonte se familjet e dy priftërinjve nga Novobërda – Segoni e Petonza – mund të kenë qenë të lidhura dhe familjarisht dhe se kjo do të mund të ishte rruga e shkëmbimit të dorëshkrimit të veprës së Martin Segonit te Feliks Petančići. Në fakt, te vepra e Orbinit gjendet edhe përmendja rrethanore e Petancio-s, kancelarit, miniaturistit, kaligrafit e diplomatit në kalimin e shekujve XV- XVI.

Me aq sa dihet, Martin Segoni, biri i Joan de Segonis nga Kotorri, kanonik i Shën Mërisë në Novobërdo, dok­toroi për drejtësi e teologji në Universitetin e Padovës më 18 shkurt 1475. Segoni zuri vendin e peshkopit të Ulqinit, pas vdekjes së Martin Bergamos më 1481, pasi Novobërdo kishte rënë në duar të osmanëve. Ishte një prelat i lartë kur ndërroi jetë më 1482 ose 1485. Me sa mund të kuptohet, Antonius de Petonza presbyter, po ashtu, klerik nga Novobërda dukej të ishte një i afërm, ndoshta edhe familjar i Segonit, i cili atij i solli 100 dukatë gjatë studimeve në Padovë.

Origjina e Segonit ka qenë pjesë e një debati histo­rianësh të ndryshëm, që herë e kanë nxjerrë dalmat, herë arbër, sllav, madje edhe serb etj. Por, vetëtitullimi që i ka bërë në vepër Martin Segoni vetes: nationem Catharensis origine autem Serviani - mbase lë më pak dilema. Po ashtu, vendlindja e prejardhja e tij është ngatë­rruar - Kotorri me Novobërdën. Segoni nuk duket mbiemër sllav, gjithashtu ai ishte katolik, madje klerik i lartë, që jetoi në Novobërdë, Kotorr, Ulqin e Padovë, gjë që ka bërë të ketë edhe më shumë dilema e interpretime rreth origjinës së tij.

Në fakt, në dorëshkrimin origjinal, autograf, që ruhet në bibliotekën Ambrosiana të Milanos, në fillim të dorë­shkrimit Segoni u vetëpërshkrua si:

Opuslum reverndi domini

Domini Martini de Segonis

nationem Catharensis origine autem Serviani

ex Novomontio altier Novabrdo dicto

Dei gratia episcope Olchiensis

At Beatissimum Sixtum IV Romanum Pontificem

Segoni është familje që haset në dokumente të ndry­shme në Kotorr. Duket se ajo është shpërngulur në një moment të favorshëm në Novobërdë ku edhe mund të ketë lindur Martin Segoni dhe ku ishte edhe prift. Duket se Se­gonët janë larguar nga aty me ardhjen e otomanëve dhe janë tërhequr në origjinë, Kotorr, respektivisht në Ulqin e më vonë edhe në Itali.

Rrjedhimisht, të dyja –  Kotorr-Novobërdë – duken si një binom i pashmangshëm i Segonëve.

Në fakt, Segonët përmenden në dokumente kotorrase në shek. XV-XVI. kështu, në relacionet e rektorit e pro­vidurit venecian në Kotorr Andrea Valerio, më 1536 sillet “Vincetio Segoni fiol de Zoan salinar di Cattaro”. I njëjti përmendet në shkresat e shitblerjes në Kotorr më 29 tetor 1526, kur i shet bijve të Ludvig de Pontas (Franciso et Ludovico eius fillis presentibus) një pjesë të shtëpisë në Kotorr, përmes gjykatësit me origjinë arbërore, Ilija Zaguri.

Vepra e Segonit për Skënderbeun, po ashtu, ka nxitur debate ndër historianë. Por, me sa duket ajo është biografia e parë për Skënderbeun dhe si e tillë paraqet një vlerë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Artikujt e tjerë nga Ylber Hysa për Kotorrin: