“Në shpatet drejt Mitrovicës, vreshtat janë të gjelbra… Së pari kaluam nëpër vreshta…Poshtë nesh në jug shtrihet Mitrovica… Pas një ore të mirë ecjeje të shpejtë, arritëm në periferi të qytetit. U ula në majën më të lartë për të pushuar… Poshtë në rrëzë të kodrës, lumi Ibër derdhet në lumin Sitnicë, i cili vend është shënuar nga një shkëmb i madh. Mitrovica, me shtëpitë, xhamitë dhe ndërtesat publike, qëndron e bardhë para meje, sikur të ishte një libër i shkruar që qëndronte i hapur. Mezi mund t'i thosha lamtumirë kësaj pamjeje të mrekullueshme”, ka shkruar një udhëtar i Austro-Hungarisë së atëhershme, pas vizitës së tij në Mitrovicën e vitit 1907.
“Në Mitrovicë është një divizion dhe komandanti është Shemsi Pasha i famshëm, frika e shqiptarëve. Ai është trupshkurtër por i shëndetshëm dhe i fortë. Thuajse gjithë jetën e tij e ka kaluar në konflikte. Prandaj, ai është gjithkund në Drenicë, në Prizren, në Lumë, në Gjakovë e Pejë, por edhe në kufirin malazez... Edhe pse mezi e shkruan emrin e tij në turqisht, megjithatë flet për mrekulli serbisht. Në Mitrovicë, serbët po ndërtojnë një kishë unike si në bukuri, ashtu edhe në madhësi...Tregtia në këtë qytet është shumë e gjallë...ndërsa jeta është pak më e lirë se në qytetet e tjera turke, ku në mbrëmje të gjithë mblidhen nëpër shtëpitë e tyre, kështu që nuk ka asnjë shpirt të gjallë në rrugë...”. E tillë ishte gjendja në sytë e të huajave vetëm një vit më vonë, pra në Mitrovicën e vitit 1904.
Pavarësisht kundërshtimit të reformave, shenjat e dezintegrimit të pushtetit ekzistues osman në tokat shqiptare, tashmë ishin evidente. Në anën tjetër, qarqet politike dhe kishtare të Serbisë së atëhershme nuk u zmbrapsën dhe me takt nisën t’i realizonin planet e tyre, në radhë të parë me një bazë përplot ngjyrimesh fetaro-nacionaliste, por me veprime aq të maskuara saqë ngritja e objekteve fetare por edhe hapja e shkollave serbe në Vilajetin e Kosovës, fillimisht do të bartnin frymë kinse iluministe, ndërsa qëllimi përfundimtar i realizimit të këtyre projekteve ishte përgatitja e zgjerimit territorial të Serbisë.
Qershor 1904: “Në Mitrovicë ka filluar ndërtimi i kishës”
“Në Mitrovicë ka filluar ndërtimi i kishës me material të gurit. Planin e kishës që do të ngrihet nuk e kam parë, por sipas asaj që e shoh se si është duke u ndërtuar atëherë mund të them se kisha e këtushme do të jetë e ngjashme me kishën e Graçanicës”, thuhej në njërin prej raporteve konsullore serbe në javën e tretë të qershorit të vitit 1904. Bile për t’i përcjellë punët më për së afërmi, në gjysmën e tetorit të vitit 1904, në Mitrovicë qëndroi vetë konsulli Spaljakoviq.
“Në Mitrovicë i vizitova njerëzit tanë, mësuesit, priftërinjtë, nëpunësit dhe qytetarët tjerë autoritativë. Gjithashtu e vizitova kishën e re dhe të vjetrën. Deri më tani si objekt i kishës kishte shërbyer një shtëpi përdhesë që ishte në gjendje të mjerë, bile kur e vizitova këtë shtëpi nuk u përmbajta dhe iu thashë serbëve të atjeshëm ‘se është e padenjë që ata t’i luteshin Zotit në një objekt të tillë, se për këtë duhet të turpëroheshin prej konsullit rus’. Ankesat e tyre ishin se ata nuk kishin mjete ndërsa unë ua ktheva se kjo nuk ishte e vërtetë, sepse për vete dinin të bënin pallate, ndërsa si faltore e kishin zgjedhur ndërtesën më të keqe në tërë Mitrovicën. Më pastaj ata më çuan për ta parë kishën e re, e cila e tëra është prej guri. Gjysma e saj tashmë ka përfunduar dhe ajo ndodhet në një vend të ngritur, kështu që do të jetë një kishë e madhe dhe e bukur. U gëzova pamasë që mitrovicasit do ta kenë një kishë të tillë, pasi për nga rëndësia politike Mitrovica gjendet në kryqëzimin e rrugëve, më pastaj siç dihet këtu zhvillohet propaganda austriake, që më pastaj përhapet drejt jugut. Mitrovica duhet ta ketë kishën më të madhe dhe më të bukur të kësaj pjese të eparkisë Rashkë – Prizren, prandaj edhe punimet duhet të përfundojnë sa më parë. Mitrovicasit më thanë se ju (qeveria e Beogradit) iu keni premtuar atyre ndihmë në para. Këtë ma vërtetoi edhe z. Orllov (konsulli rus) pasi të njëjtën gjë qytetarët ia kishit thënë edhe atij, por duke biseduar rreth kësaj çështje, z. Orllov më porositi se paratë e dërguara për ndërtimin e kishës, në asnjë rast nuk duhet t’iu besohen (serbëve) mitrovicasve, pasi ata janë të pasigurt dhe mund t’i harxhojnë paratë së koti, ndërsa kisha të mos përfundohet përnjëherë. Më tej z. Orllov më shpjegoi se në të kaluarën ata kishin vepruar ashtu, prandaj paratë që do të dërgohen për ndërtimin e kishës duhet t’i dorëzoheshin atij, bile aq më mirë Konsullatës Ruse. Më pastaj secili punëtor (serb lokal) pas punëve të kryera do të paguhet në bazë të llogarive të sakta që vetë ata do t’i sjellin në konsullatë”. Por, konsullata ruse në Mitrovicë nuk mjaftohej me kaq, pasi paralelisht me ngritjen e kishës në Mitrovicë zhvillohej edhe aksioni i futjes së armëve dhe kufiri verior i Vilajetit të Kosovës tashmë ishte vënë në rrezik serioz prej bandave të armatosura të përkrahura me para dhe armë nga Beogradi të cilat vepronin në koordinim të plotë me qarqet diplomatike ruse duke filluar nga Kostandinopoja por edhe kryeqendrat e kohës në Ballkan. Në rrjedhën e kësaj bashkërenditjeje të aktiviteteve gjithandej viseve shqiptare u ngritën edhe komitetet e Lëvizjes Çetnike, ndërsa në Kosovë ato ishin më të fuqishme anekënd kufirit të Vilajetit të Kosovës. Kështu në njërin prej telegrameve që konsulli rus në Mitrovicë, Orllov e kishte pranuar në javën e fundit të tetorit të vitit 1904, nga ambasadori Zinojev në Stamboll, ky i fundit pyeste se “pse nuk po informohej për çetat serbe në Sanxhakun e Novi Pazarit, të cilat kishin vrarë aq ushtarë turq dhe për të cilat vrasje tashmë në Stamboll kishin arritur raportet e konsullit austriak”.

Refuzimi i kërkesës së hebrenjve për zhvendosjen e ditës së pazarit
Në rrjedhën e organizmit të jetës fetare dhe zhvillimeve ekonomike në Mitrovicën e dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XX, vlen të përmendet edhe kërkesa e hebrenjve të këtushëm që të bëhej zhvendosja e ditës së pazarit. Duke e konstatuar numrin e hebrenjve në Sanxhakun e Prishtinës, në njërin prej raporteve diplomatike të fillimit të maji të vitit 1905 thuhej “se në këtë sanxhak janë rreth 300 hebrenj, prej të cilëve tri familje jetojnë në Mitrovicë, ndërsa të tjerët në Prishtinë. Ata që jetojnë në Mitrovicë vitin që shkoi kanë kërkuar që dita e pazarit të mos jetë ditën e shtunë siç ishte deri më tani, por të caktohet e premtja apo e diela, por ata nuk patën sukses, sepse për të premten e kundërshtuan turqit, ndërsa për të dielën, serbët”.
Sipas historianes hebraike Zheni Lebl (1927 - 2009), hebrenjtë në qytetin e Mitrovicës nisën të vendosen vetëm pak vjet pasi u hap linja hekurudhore që e lidhte këtë qendër me Selanikun.
Familjet Ruben dhe Bivas ishin të parat që u vendosën nën nënqiellin mitrovicas dhe menjëherë pas tyre ato u pasuan nga familjet Koen dhe Axhies. Më i dalluari ndër ta ishin rabini Johanan Ruben i cili u shërbeu hebrenjve në Mitrovicë deri në vitin 1915.
Reflektorët e qarqeve të Beogradit drejt Lëvizjes Shqiptare
Në anën tjetër krahas futjes së armëve në Vilajetin e Kosovës, reflektorët e qarqeve të Beogradit ishin të përqendruar drejt Lëvizjes Shqiptare.
“Është fakt se sot, popullsia që flet shqip që nga Mitrovica e deri në Epir është duke ngritur krye. Duke e lënë anash Shqipërinë, ne duhet të kemi kujdes për ‘Arnautllëkun’ dhe ‘Arnautët’ që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me serbët në ‘Serbi të Vjetër’”, porosiste konsulli Spaljakoviq në verën e vitit 1905.
“Mitrovica është pika më e rëndësishme e Turqisë Veriore. Rrugët kryesore tregtare për në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Pejë, Shqipëri kryqëzohen këtu. Mallrat për rajonet më të largëta ngarkohen dhe shkarkohen këtu…Kjo është arsyeja pse Mitrovica është një qytet jashtëzakonisht i gjallë, ….Mitrovica ka shumë hane, kafene turke, por për fat të keq nuk e ka asnjë hotel ku mund të kalohet nata. Në Mitrovicë ndodhen konsullata e Austro-Hungarisë dhe e Rusisë, më pastaj këtu është edhe një kazermë e madhe, pasi këtu gjendet garnizoni kryesor ushtarak drejt Sanxhakut dhe Malit të Zi. Më thanë se nuk ishte e këshillueshme të dilja vetëm nga Mitrovica, por këtë çështje ma zgjidhi konsulli austriak Zambur i cili ma ofroi si shoqërues një nga njerëzit e tij të besueshëm.... Një burrë shqiptar i armatosur më siguroi qysh para se të nisemi se tashmë ishim të sigurt. Kaluam shpejt Urën e Vjetër mbi lumin që e ndan Mitrovicën në dysh. Në anën tjetër të Ibrit, ngrihet një pjesë e re e qytetit, e banuar vetëm nga muhaxhirët nga Bosnjë-Hercegovina. Të gjitha rrugët në këtë pjesë janë të rregulluara shumë mirë, por ka edhe shtëpi të bukura e të reja. Në shpatet drejt Mitrovicës, vreshtat janë të gjelbra… Së pari kaluam nëpër vreshta…Poshtë nesh në jug shtrihet Mitrovica… Pas një ore të mirë ecjeje të shpejtë, arritëm në periferi të qytetit. U ula në majën më të lartë për të pushuar… Poshtë në rrëzë të kodrës, lumi Ibër derdhet në lumin Sitnicë, i cili vend është shënuar nga një shkëmb i madh. Mitrovica, me shtëpitë, xhamitë dhe ndërtesat publike, qëndron e bardhë para meje, sikur të ishte një libër i shkruar që qëndronte i hapur. Mezi mund t'i thosha lamtumirë kësaj pamjeje të mrekullueshme”, ka shkruar një udhëtar i Austro-Hungarisë së atëhershme, pas vizitës së tij në Mitrovicën e vitit 1907.
Mitrovica e dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XX
Megjithatë edhe pse kriza brenda Perandorisë osmane nuk reflektohej aq në mirëqenien ekonomike të Mitrovicës dhe banorëve të saj, kjo qendër po e përmbyllte dhjetëvjetëshin e shekullut XX duke qenë qytet i militarizuar. Këtë e vë në spikamë francezi Gabriel Louis-Jaray (1878 – 1954) i cili në verën e vitit 1909 u prit nga kajmekami i Mitrovicës, Hajdar Beu.
“Ai më premtoi dhe unë menjëherë e mora lejen të shkoj të shoh personazhin më interesant në Mitrovicë, Xhavit Pashën...Në kodër, pranë kazermës, një ndërtesë e re dhe ende e pastër është selia e divizionit të tij. Nga zyra e tij, e mobiluar në stilin perëndimor, shihet qyteti bardhë e gjelbër, i ndarë nga ujërat gjarpëruese të Ibrit... Ai më foli për fushatën që sapo ka nisur kundër shqiptarëve”.
Pra edhe nga përshkrimi i Jarayt duket qartë se Xhavit Pasha më tepër ishte i shqetësuar dhe i luftonte me bindje “armiqtë e brendshëm” në rastin konkret shqiptarët se sa i interesonin rreziqet jetike që tashmë i kanoseshin Turqisë Evropiane.
“Tregu është shumë i gjallë dhe në mbrëmje rrugët janë plot me një turmë njerëzish, nga më të ndryshëm; boshnjakët myslimanë, duke ikur nga Bosnja austriake, e kanë gjetur një strehë të përkohshme ndërsa presin që qeveria t'i vendosë në tokat aty pranë. Dhe në të vërtetë në rrethinat e qytetit toka tani punohet prej bujqve të kombësive të ndryshme. Pronari më i madh i tokave në Mitrovicë, është Fuat Pasha...
Në përfundim të vizitës së tij në Mitrovicë, Gabriel Louis-Jaray e ka përshkruar qëndrimin në konsullatën austro-hungareze në Mitrovicë.
“Konsullata ku unë darkoj në mbrëmje, është një rezidencë komode dhe njëkohësisht qendra më e mirë e informacionit. Këtu konsull është zoti Rudnay. Qeveria e Vjenës vendos në këto poste vëzhguese agjentët e saj më të mirë dhe nuk kursehet në shpenzime. Politika e informatorëve ballkanikë ka qenë gjithmonë e vlerësuar në Ballplatz…”.
Jo shumë kohë nga qëndrimi i Jarayt, hebrenjtë në qytetin e Mitrovicës vazhduan t’i përforconin themelet e tyre Edhe pse ndërtesa e sinagogës ishte pronë e Bashkësisë së hebrenjve, përveç se që në vitin 1910 në qytet ishin të regjistruar 93 qytetarë hebrenj, po në këtë vit zyrtarisht figuron edhe ekzistimi i tokës apo pronës ku ishin të vendosura varrezat e hebrenjve. Në shkollat ekzistuese të Mitrovicës së dhjetëvjetëshit të parë të shekullit të XX –të, mësimin e vijonin 38 nxënës hebrenj: 5 në shkollat fillore, 5 në shkollat fillore për vajza, 3 në shkollat qytetare, 11 në gjimnaz dhe 14 në shkollat e mesme.