Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Viti 1668: “I vramë turqit dhe ky heroizëm s’është parë kurrë në Kosovë”

Gravurë veneciane e Perastit sot në Mal të Zi. Viti: 1654

Në vend që të gjendet në shkrimet dhe kalendarët serbo-sllavë, Vidovdanin do ta gjejmë në traditën popullore në fund të shekullit XVII, përkatësisht në poemën së Perastit “Beteja e Kosovës” dhe “Tregimit për Betejës së Kosovës”. Në foto: Gravurë veneciane e Perastit sot në Mal të Zi. Viti: 1654

Gjurma e parë e shkruar për Legjendën e Kosovës është nga viti 1668, në një letër nga krerët e fisit të Kuçit në të cilën thuhet: “Ne i vramë turqit dhe ky heroizëm s’është parë kurrë në Kosovë”. Mendimi se Legjenda e Kosovës, pikërisht ajo pjesë e legjendës që tregon për Milloshin, erdhi gjithashtu në këtë mjedis fisnor-patriarkal nga Perëndimi mbështetet nga vepra e peshkopit malazez Vasilije Petroviq. Vetëm në fillim të shekullit XVIII, Legjenda e Kosovës u ringjall midis serbëve në Austri. Kështu pas vitit 1722, një murg i panjohur e “rishkroi” “Tregimin e Betejës së Kosovës” për manastirin e Vëdnikut. I njëjti “Tregim”, në një botim të dytë, ishte kopjuar tashmë në Rusi në vitet 1714 dhe 1715

Ndjenjat e ringjallura antiturke do të ndikojnë në mënyrë jo të drejtpërdrejt në rrjedhën e mëtejshme të Legjendës së Kosovës, e cila e priti kthimin e saj nga Perëndimi deri në shekullin e XVIII. 
Dihet që Legjenda e Kosovës ishte gjallë në Mal të Zi edhe para migrimit të Arsenije Çarnojeviqit, në gjysmën e dytë të shekullit XVII, dhe mund të ketë ardhur nga territori venecian, nëpërmes Gjirit të Kotorrit. 

Gjurma e parë e shkruar është nga viti 1668, në një letër nga krerët e fisit të Kuçit në të cilën thuhet: “Ne i vramë turqit dhe ky heroizëm s’është parë kurrë në Kosovë”. Mendimi se Legjenda e Kosovës, pikërisht ajo pjesë e legjendës që tregon për Milloshin, erdhi gjithashtu në këtë mjedis fisnor-patriarkal nga Perëndimi mbështetet nga vepra e peshkopit malazez Vasilije Petroviq, “Historia e Malit të Zi” e vitit 1754; Në të, Legjenda e Kosovës paraqitet sipas Orbinit, dhe jo, siç mund të pritej, sipas traditës popullore. Legjenda e Kosovës u mor nga Orbini edhe nga kryepeshkopi i Tivarit, Andrija Zmajeviq, kushëri i Arsenijes III, dhe u përfshi në veprën “Gjendja Botërore, e Lavdishme dhe e Virtytshme e Kronikës së Kishës” (e përfunduar në vitin 1675). Ndryshe nga Orbini, kryepeshkopi katolik Zmajević hoqi disa pjesë rreth Lazarit dhe kështu në pah doli Milosh Kobiliqi. 

Megjithatë, nuk kemi asnjë informacion se tradita e Kosovës ishte e gjallë midis serbëve në Turqi në kohën e luftës austro-turke, në fund të shekullit XVII. Mungesa e figurës së Lazarit në afresket e shekullit të XVII sugjeron se kulti i tij u neglizhua për një farë kohe. Sipas mendimit të përgjithshëm të historianëve të artit, kulti do të ringjallet vetëm pas migrimit të vitit 1690, në një kohë kur Kisha Serbe i ndërpreu të gjitha lidhjet me turqit dhe nisi një luftë të hapur kundër tyre.

Legjenda e Kosovës erdhi nga Austria e atëhershme

Vetëm në fillim të shekullit XVIII, Legjenda e Kosovës u ringjall midis serbëve në Austri. Kështu pas vitit 1722, një murg i panjohur e “rishkroi” “Tregimin e Betejës së Kosovës” për manastirin e Vëdnikut. I njëjti “Tregim”, në një botim të dytë, ishte kopjuar tashmë në Rusi në vitet 1714 dhe 1715. Duke gjykuar nga numri i madh i dorëshkrimeve të ruajtura, disa prej të cilave u bënë në Turqi gjatë shekullit XVIII, “Tregimi” ishte gjithashtu i popullarizuar midis serbëve në Perandorinë Osmane. 

Edhe Mitizimi i “heronjve” të Kosovës në Perandorinë Osmane Shtojca për Kulturë 2 j. më parë Mitizimi i “heronjve” të Kosovës në Perandorinë Osmane

Transferimi i relikteve të Lazarit dhe lëvdata për princin Llazar gjatë migrimit në vitin 1690 nga manastiri i Ravanicës në Serbi në Shën Andre, dhe më pas, në vitin 1697, kthimi i tyre në Srem, në manastirin e Vërdnikut, padyshim, pavarësisht nga Legjenda e Kosovës që arriti nga Perëndimi, megjithatë kishte ndikim në popullarizimin e kultit të Lazarit. 

Megjithatë, ky ndikim në shekullin XVIII ndoshta nuk ishte aq i rëndësishëm sa është theksuar kohët e fundit. Është harruar se manastiri i Vërdnikut, ashtu si Ravanica e vjetër, në fillim të shekullit XVIII nuk e festonte Ditën e Shën Vitit (ose Ditën e Lazarit) si festë manastiri, por Ditën e Shëlbimit. Pra duket qartë se inteligjenca e ditur klerike-civile kontribuoi në përhapjen dhe popullarizimin e Legjendës së Kosovës midis serbëve në Austri në shekullin XVIII shumë më tepër sesa  kisha dhe festat e saj.
Por kur shtrohet pyetet se nga cilat burime Legjenda e Kosovës arriti nga rajonet perëndimore te serbët ortodoksë, ndër të cilët vetëm miti i princit Lazar u kultivua në mjediset serbe në Perandorinë Osmane të atëhershme, atëherë  nuk është e lehtë të afrohet një përgjigje e qartë. Njëri prej burimeve të  legjendës, siç dihet, ishte vepra popullore e Mavro Orbinit “Mbretëria e Sllavëve”. Por a është kjo vepër e vetme? Në historinë e tij të letërsisë, Milorad Paviq tregon edhe një rrugë tjetër: se nga erdhi Legjenda e Kosovës dhe me këtë rast ai e përmend një poemë kosovare në formë dramatike, e cila, sipas tij, e ka origjinën në mjedisin katolik në Perast në gjysmën e parë të shekullit XVII. Duke krahasuar poemën me dorëshkrimin e Vërdnikut “Rrëfime (përralla) për Betejën e Kosovës”, Paviq vë re me të drejtë se disa vende pjesë të përrallës së Vërdnikut janë transferime nga dorëshkrimi i Perastit. 

Ndërsa, në studimin e tij mbi traditën e Kosovës në Dubrovnik dhe Gjirin e Kotorrit, Miroslav Pantiq e zhvendos datën e krijimit të këtij dorëshkrimi në fund të shekullit XVII ose në fillim të shekullit XVIII. Pantiq gjithashtu hedh poshtë mendimin e mëparshëm se Andrija Zmajeviq është autori i poemës persatanase, dhe ia jep veprës një emër të ri –  “Beteja e Kosovës”. Ndryshe nga Paviq, ai beson se “Përralla” e Vërdnikut nuk erdhi nga Perëndimi, por përkundrazi  poema perastanse u krijua si imitim i saj. 

Ndryshe nga Benedikt Kuripeçiq, i cili në vitin 1530 dinte për këngët e Kosovës në rajonet perëndimore, midis kroatëve, udhëpërshkruesit e huaj dhe të Dubrovnikut të shekujve XVI dhe XVII nuk i përmendin këngët e Kosovës midis serbëve në Turqi, dhe as që e  elaborojnë traditën popullore rreth Betejës së Kosovës.
                      
Serbizimi i Legjendës së Kosovës dhe i Millosh Kopiliqit

Në fund të shekullit XVII, gjatë luftës austro-turke, në territorin tonë ekzistonin dy qendra anti-turke, të cilat fillimisht bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Ajo katolike në Gjirin e Kotorrit, e lidhur me Republikën Veneciane, dhe ajo ortodokse në Pejë, e kryesuar nga patriarku Arsenije Çarnojeviq, më e prirë drejt një aleance me Austrinë, dhe veçanërisht me Rusinë. Por me kalimin e kohës, lindi antagonizmi midis këtyre qendrave. 

Klerit serb, i cili po hynte në konflikt të hapur me turqit, ndër të tjera, nuk i pëlqente interpretimi perëndimor i Legjendës së Kosovës, orientimi katolik i së cilës u shpreh veçanërisht në “Betejën e Kosovës” të Perastit. Për këto arsye, disa nga poetët dhe autorët e ditur serbë e “serbizuan” poemën. Kështu, do të vijë deri te redaktimi pravosllav në prozë i “Betejës së Kosovës”,  në të cilën do të ruhen përzierjet e interpretimit perëndimor, pra katolik të Legjendës së Kosovës. Në fakt, në fillim të shekullit XVII me “Tregimin…” do të fillojë edhe serbizimi i veprave të huaja, karakteristikë kjo e letërsisë serbe deri në mesin e shekullit XIX. 

Për temën tonë, “Beteja e Kosovës” e Perastit është veçanërisht interesante për shkak të motiveve të saj mitike, të cilat nuk gjenden në poezitë heroike dhe kronikat, por as në tekstet e mëparshme serbo-sllave. Deri atëherë, i njohur me emra të ndryshëm: Milon, Bilish Kobila, Milosh Kable, Milosh Koboli, Millo Komneni, Milosh. Koblaku, Milosh Kobiloviq, Milosh Kobiliq, në “Betejën e Kosovës” heroi legjendar, përveç emrit Kobilia, i fitoi edhe dy emra të rinj, të dy mitikë: Koviiliq (bimë - halëz) dhe Obiliq. 

Përveç kësaj, në vend të festës së shenjtorit Amos, prej kësaj kohe si ditë reflektimi heroik në Kosovë shfaqet Dita e Shën Vidit  (Vidovdani).

Vidovdani – enigma e Legjendës së Kosovës

Pse dita e vdekjes së Lazarit në Kosovë quhet Vidovdan? Kjo gjithashtu është njëra prej enigmave të Legjendës së Kosovës, e cila e kërkon një zgjidhje. Deri në Betejën e Kosovës në vitin 1389, 15 qershori i kushtohej shenjtorit Amos. Kisha e krishterë në Perëndim e ka lidhur prej kohësh 15 qershorin me shenjtorin Amos krahas Shën Vitit, por jo kisha në Lindje. 

Edhe Patrikana e Pejës nën osmanët dhe murgjit e pabesë Shtojca për Kulturë 1 j. më parë Patrikana e Pejës nën osmanët dhe murgjit e pabesë

Në kalendarin e vjetër grek, të cilin e ndiqnin edhe serbët, emri i Shën Vitit nuk përmendet nën 15 qershor ose ndonjë datë tjetër. Ky shenjtor nuk gjendet në kalendarët serbë të shekullit XIV, e as në kalendarin e Kishës së Mërkshës të shekullit XVI. Emri i Vitit do të hyjë në librat liturgjikë serbë më vonë përmes atyre katolikë, dhe veçanërisht në shekullin XVII, kur Kisha Ortodokse Serbe miratoi liturgjinë ruso-sllave, përmes burimeve ruse (“Jetët e Shenjtorëve”). Por edhe atëherë, Viti nuk do të bëhej shenjtori i saj, e as nuk do të mbahej kurrfarë shërbesë në kishë lidhur këtë shenjtor. 
Si festë, Shën Viti nuk gjendet në asnjë kalendar ortodoks serb të shekullit XVIII. Vetëm në kalendarin vjenez “Mjesecoslov” të vitit 1771, nën 15 qershor është Lazari (“Lazari, princi i madh serb”). Përndryshe, shenjtori Amos është kudo. 

Është interesante se Vidovdani nuk përmendet as në kalendarët e almanakëve patriotikë të gjysmës së parë të shekullit XIX. Nuk është as në kalendarin gjysmë-pagan të “Danicës” së Vukut të vitit 1826, i cili, meqë ra fjala, përfshinte edhe festa të tjera popullore. Në “Zabavnik”-un e Davidoviqit (1815-1816; 1818-1821; 1833-1836) nën 15 qershor, qëndron “Amos dhe princi Lazar”. Në “Uranija” të Beogradit (1837-38), “Bleta Serbe” të Segedit (1830-41) 15 qershori përcaktohet njëjtë. Në “Grlica” të Cetinës (1835-39) do të gjejmë gjithashtu “Amos dhe princi Lazar”. “Amos dhe princi Lazar” nën 15 qershor do të jetë edhe në “Mesecoslov" të Beogradit (1839-50). Vetëm në “Shematismus”, në kalendarin e tij zyrtar, do të ndodhë një ndryshim i caktuar në vitin 1860. Në vend të Amos dhe Lazar, 15 qershori do të quhet Dita e Lazarit (“Shën Princi Lazar”). Diçka të ngjashme do të kemi në vitin 1858 në vjetarin malazez “Orliq”: ku qëndron “Perandori Serb Lazar”. 

Në dokumentet serbo-sllave, përveç njërit që do të diskutohet veçmas më vonë, as Shën Viti dhe as Dita e Shën Vitit nuk përmenden si dita e Betejës së Kosovës, por vetëm 15 qershori. Nga burimet e shumta të shqyrtuara në gjuhë të huaja, italisht, latinisht, gjermanisht, turqisht dhe polonisht, vetëm në dy sosh përmendet festa e Shën Vitit si ditë e Betejës së Kosovës: pra, në “Kronika Anonime” të Dubrovnikut nga fundi i shekullit XV dhe në “Kujtimet e Jeniçerit ose Kronika Turke” të vitit 1497. E para thotë “Adi 15 giungnio, in giorno di Sto Vido”; në të dytën, Konstantini i Ostrovicës, në polonisht, shkruan se Beteja e Kosovës “filloi të mërkurën, në ditën e Shën Vitit”. Të dyja burimet burojnë nga një sfond katolik. Duke ditur se 15 qershori festohet si një festë e rëndësishme në atë vend, është e mundur që autori i panjohur i Dubrovnikut dhe Konstantini nga Ostrovica pa dashje, nga inercia, e kanë emërtuar ditën e Betejës së Kosovës sipas shenjtorit katolik. 

Jernej Kopitar bëri diçka të ngjashme kur, së bashku me tekstin origjinal të Vukut në “Srpski rječnik”, dha një shpjegim në gjermanisht si  “St. Veits Tag”.

Është interesante se edhe autorët ruso-sllavë të shekullit XVIII, të cilët dinin për Shën Vitin nga “Jetët e Shenjtorëve” rusë, të pranuara në këtë shekull dhe në Kishën Serbe, nuk e lidhin ditën e Betejës së Kosovës me këtë shenjtor.    

Në “Historinë e popujve të ndryshëm sllavë” të Rajiqit, një lloj ungjilli kombëtar nga i cili sllavo-serbët mësuan për mbretërit e tyre, madje edhe në fund të shekullit XVIII, në vitin 1794, nuk përmendet Viti, por shenjtori Amos, si shenjtori në ditën e të cilit u zhvillua beteja në Fushë të Kosovës. “1389. і нія Месеца 15. день, на памят Пророка Амоса”.

Pra, në vend që të gjendet në shkrimet dhe kalendarët serbo-sllavë, Vidovdanin do ta gjejmë në traditën popullore në fund të shekullit XVII, përkatësisht në poemën së Perastit “Beteja e Kosovës” dhe “Tregimit për Betejës së Kosovës”, vepra në të cilat, sipas mendimit tonë, Vidovdani erdhi duke u mbështetur  nga tradita popullore.
 


Miodrag Popoviq (1920 - 2005) ka qenë historian i letërsisë serbe dhe autor i shumë studimeve. Librin “Vidovdani dhe Kryqi i Ndershëm: një përmbledhje e arkeologjisë letrare” (Видовдан и часни крст: оглед из књижевне археологије) ai e publikoi në vitin 1976 në Beograd. Siç shihet edhe nga titulli, libri ka për temë lindjen, zhvillimin dhe pasojat e “Mitit të Kosovës”. Duke e pasur parasysh se ky mit bashkë me komponentët e tjerë përcjellëse, në fakt u shndërrua në “Tapi serbe të Kosovës” dhe një tapi e tillë u perceptua ashtu edhe nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar, pas leximit të librit mund të thuhet me të drejtë se autori Miodrag Popoviq ia ka dalë me sukses që ta shpërfytyrojë “tapinë serbe mbi Kosovën”. Ky shkrim është pjesa e tretë e fragmenteve nga libri. Titulli dhe nëntitujt janë të Skënder Latifit 
 

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Edhe Milloshi, prej Dukagjinit deri te “heroi i Kosovës” Shtojca për Kulturë 3 j. më parë Milloshi, prej Dukagjinit deri te “heroi i Kosovës”