Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Viti 1992: Shqipëria ia kthen shpinën të kaluarës

Tiranë, 1992 (Foto nga koleksioni i universitetit “St. Andrews” të Skocisë)

Tiranë, 1992 (Foto nga koleksioni i universitetit “St. Andrews” të Skocisë)

“Problemi i Kosovës peshon rëndë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit. Vetë Serbia, sipas fjalëve të presidentit që para zgjedhjes së tij mbajti fjalime shpërthyese duke bërë thirrje për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, udhëheq një politikë luftarake dhe shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ajo duhet të respektojë termat e Aktit të Helsinkit. Gjuha e tij më e moderuar gjatë audiencës, lë të kuptohet se disa fuqi e kanë ftuar atë të qetësojë shpirtrat për të mos helmuar edhe më shumë marrëdhëniet e tensionuara”, shkruhet në një shkresë së ambasadorit të Zvicrës në Jugosllavi, më 29 prill 1992

AMBASADA E ZVICRËS NË JUGOSLLAVI

Beograd, 29 prill 1992

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

K O N F I D E N C I A L

RP Nr. 5

Raporti i fundit të misionit

Fitorja dërrmuese e partisë demokratike, e cila fitoi 92 nga 140 vendet në parlament në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar, dhe zgjedhja e liderit të saj, karizmatikut dr. Sali Berisha, në presidencën e Shtetit, i kanë dhënë fund një të kaluare të dominuar nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, e cila e la vendin në një gjendje nënzhvillimi dhe mjerimi të krahasueshme vetëm me vendet më të varfra të globit. Pasardhësi dhe trashëgimtari i diktatorit, Ramiz Alia, i ndikuar thellë nga rënia e regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe nga fati i rezervuar për diktatorin rumun Nicolae Ceausescu, hapi rrugën drejt demokratizimit që në vitin 1990 duke “liberalizuar” regjimin, duke i bërë ballë kundërshtimit të besnikëve të Hoxhës, përfshirë të venë e tij. Kjo hapje çoi në zgjedhjet e para të përgjithshme shumëpartiake të marsit 1991, gjatë të cilave partia komuniste, e ripagëzuar si partia socialiste ashtu siç ndodh shpesh në ish-demokracitë popullore, mbeti më e madhja. Padurimi i popullsisë shqiptare përballë ngadalësisë së reformave të premtuara nga Alia, përkeqësimi i rendit publik pas trazirave në veri të vendit, dhe eksodi masiv i shqiptarëve të kthyer mbrapsht nga Italia, detyruan udhëheqësit e partisë socialiste të formonin qeveri koalicioni me opozitën demokratike në shenjë qetësimi. Pavarësisht shpirtit liberal dhe reformator të socialistëve, bashkëpunimi me demokratët rezultoi i vështirë dhe nuk u rezistoi presioneve ekonomike dhe sociale. Shqipëria po zhytej gjithnjë e më shumë në anarki politike, ekonomike dhe sociale. Sali Berisha atëherë udhëhoqi anëtarët e partisë së tij për të dhënë dorëheqjen kundër këshillës së rivalit të tij Gramoz Pashko, zëvendëskryeministër dhe ministër i ekonomisë. Presidenti Alia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t’i drejtohej përsëri elektoratit për t’i kërkuar të shprehte vullnetin e tij dhe të vendoste.

Triumfi i partisë demokratike dhe i Sali Berishës, si dhe disfata e partisë socialiste u pritën me gëzim dhe entuziazëm. Shqipëria më në fund u çlirua nga këta zinxhirë.

Të gjitha shpresat janë varur te Berisha dhe ekipi i tij. Shqiptarët ushqejnë pak keqardhje për Ramiz Alinë, të cilit megjithatë i njihet merita e drejtimit të vendit drejt një sistemi demokratik dhe shumëpartiak pavarësisht kurtheve dhe pengesave të ngritura nga e veja e Hoxhës dhe elementët e ashpër të ish-regjimit, me bashkëpunimin e Sigurimit, policisë sekrete. Alia e shmangi Shqipërinë nga trazirat e rënda që ish-komunistët i dëshironin me gjithë zemër për të justifikuar një shtypje të armatosur që mund të kishte degjeneruar në luftë civile.

Që nga e nesërmja e zgjedhjes së tij në presidencën e Shtetit, dr. Sali Berisha, popullariteti i të cilit daton që nga dhjetori 1990 kur mori drejtimin e lëvizjes së studentëve që ishin barrikaduar në Universitetin e Tiranës në një manifestim proteste kundër Sigurimit, i është përveshur detyrës së emërimit të një kryeministri në personin e Aleksandër Meksit, 53 vjeç. Ky i fundit ka formuar një qeveri të përbërë kryesisht nga anëtarë të partisë demokratike. Me pak përjashtime, dy anëtarë përfaqësojnë partinë republikane dhe dy anëtarë janë të papartishëm. Lënia mënjanë e Gramoz Pashkos vulos përçarjen brenda partisë demokratike midis mbështetësve të Berishës dhe atyre të Pashkos, me frymë më radikale, të cilit presidenti i faturon gabime politike kur ishte ministër.

Gjatë audiencës së lamtumirës që i akordoi të nënshkruarit, i cili pati nderin të ishte ambasadori i parë i huaj që u prit zyrtarisht nga presidenti që nga zgjedhja e tij, dr. Sali Berisha parashtroi me linja të trasha prioritetet e tij. Është urgjente të rivendoset rendi publik. Duhet luftuar anarkia në rritje, dukuritë e kontrabandës në forma spontane dhe të organizuara. Ata që kërkojnë të diskreditojnë demokratët kanë gjithë interesin të inkurajojnë kriminalitetin. Duhet që kjo të pushojë. Në një vend ku populli beson ende në ligjin e gjakmarrjes, duhet me çdo kusht të shmangen aktet e hakmarrjes dhe larjes së hesapeve.

Tiranë, 1992 (Foto nga koleksioni i universitetit “St. Andrews” të Skocisë)

Bujqësia është gjithashtu një fushë prioritare. Tokat u janë kthyer fshatarëve, natyrisht, në një përpjekje të partisë socialiste për të blerë simpati dhe vota. Kjo nuk pati sukses. Por fshatarët nuk kanë as mjetet e as farërat për të mbjellë apo kultivuar fushat. Atyre u mungojnë gjithashtu plehrat kimike.

Vëzhguesi i huaj që kthehet në Shqipëri pas një intervali prej gati një viti e gjysmë vëren ndryshime të rëndësishme – qarkullim i automobilave më i dendur, njerëz të veshur më mirë, një numër bagëtish shumë më i madh, zhdukja e rreshtave të mrekullueshëm me pemë në fshat, me drurin që përdoret për ngrohje. Ndërsa media flet shumë për urinë, duket se njerëzit nuk janë të uritur, por vuajnë më tepër nga kequshqyerja. Nuk mbetet më pak e vërtetë që prodhimi bujqësor duhet të rinisë sa më shpejt.

Punëtorët që, sipas presidentit, marrin 80 për qind të pagës së tyre edhe nëse nuk punojnë, duhet të rifillojnë rrugën drejt fabrikës ose minierës. Partia Socialiste kishte tentuar të siguronte vota me një masë që përfundoi duke paralizuar prodhimin industrial. Pasi të kalojnë afatet, punëtorët që nuk rifillojnë punën nuk do të marrin më pagë.

Qeveria do të iniciojë një seri masash për të krijuar kushtet ligjore që synojnë nxitjen e investimeve të huaja. Masat e privatizimit kanë për qëllim shëndoshjen e situatës ekonomike dhe lehtësimin e aksesit në pronën private në të gjithë sektorët ekonomikë dhe në tregun imobiliar. Qeveria do t’u japë fund subvencioneve. Duke gëzuar një shumicë prej dy të tretave në parlament, kryeministri ka marrë pa vështirësi miratimin e deputetëve për programin e tij të reformave.

Presidenti synon të integrojë Shqipërinë në Evropë: pjesëmarrje aktive në KSBE, afrim me Këshillin e Evropës, KE-në dhe EFTA-n, anëtarësim në FMN, thellim i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, të cilave duket se Shqipëria është në prag t’u ofrojë kundrejt pagesës në dollarë një bazë detare për Flotën e 6-të për të ndërhyrë nëse është e nevojshme në çështjet jugosllave kundër Serbisë (!), së fundi vendosja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me shtetet ballkanike. Për këtë pikë të fundit, Sali Berisha pranon se është bërë një gabim i rëndë ndaj pakicës greke para zgjedhjeve, gabim që u korrigjua dhe pakica greke mundi të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Shqipëria do të kujdeset për trajtimin e mirë të refugjatëve shqiptarë në Greqi.

Problemi i Kosovës peshon rëndë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit. Vetë Serbia, sipas fjalëve të presidentit që para zgjedhjes së tij mbajti fjalime shpërthyese duke bërë thirrje për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, udhëheq një politikë luftarake dhe shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ajo duhet të respektojë termat e Aktit të Helsinkit. Gjuha e tij më e moderuar gjatë audiencës, lë të kuptohet se disa fuqi e kanë ftuar atë të qetësojë shpirtrat për të mos helmuar edhe më shumë marrëdhëniet e tensionuara.

Për sa i përket Maqedonisë, presidenti u shpreh optimist se do të mund të gjendet një zgjidhje për pakicën shqiptare që do t’i lejojë Shqipërisë të njohë Maqedoninë si një shtet të pavarur, ashtu siç janë njohur Kroacia, Sllovenia dhe Bosnje-Hercegovina. Rënia e njëhershme në vendet që përbënin ish-Jugosllavinë dhe integrimi në Evropë do të çojnë në prishjen e kufijve që i pengojnë popujt e rajonit të jetojnë në paqe dhe në harmoni.

Zvicra përfaqëson përfundimisht për Shqipërinë një shembull drejt të cilit ajo aspiron. Si presidenti ashtu edhe ministri i punëve të Jashtme, dr. Alfred Serreqi, i cili sapo kishte marrë detyrën në prag të vizitës që i nënshkruari i bëri, shprehën mirënjohjen e tyre ndaj vendit tonë dhe autoriteteve të tij për një ndihmë humanitare të spikatur dhe të vlerësuar. Të dy ata theksuan faktin se marrëdhëniet me Zvicrën do të jenë prioritare për ta. Ata dëshirojnë të vendosin lidhje personale me autoritetet tona dhe shprehën dëshirën për të vizituar Zvicrën ose për të pritur një anëtar të Këshillit Federal sa më shpejt të jetë e mundur.

Hapja e një ambasade në Tiranë u prit me entuziazëm. Mbi të bazohen shpresa të mëdha për bashkëpunim me Zvicrën. Një mision prej rreth dy vjetësh me radhë pranë Shqipërisë po përfundon për të nënshkruarin me një notë keqardhjeje, fillimisht për mosnjohjen më mirë të një vendi që thuhet se është i mrekullueshëm dhe të një populli simpatik dhe të hapur, sepse zhvillimet në Jugosllavi si dhe situata gjithnjë e më e pasigurt në rrugët shqiptare penguan vizita më të shpeshta, dhe pastaj për braktisjen e Shqipërisë në pragun e një epoke të re plot premtime, por edhe të mbjellë me gracka. Populli shqiptar, krenar për pavarësinë e tij, i thyer, megjithatë, asnjëherë i nënshtruar nga një pushtet i urryer dhe mizor, meriton simpatinë dhe mbështetjen tonë. Udhëheqësit e tij janë të vetëdijshëm për vështirësitë që i presin (rezistenca e të vjetërve, kriminaliteti ekonomik dhe social, riintegrimi në jetën civile të të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre, gjë së cilës po i përkushtohet edhe KNKK, përpjekjet e mundshme të vazhdueshme për të diskredituar demokracinë), por ata e dinë kuptimin e thënies “ndihmo veten dhe qielli do të të ndihmojë”. Shqipëria, pavarësisht nga të gjitha fatkeqësitë e saj, gëzon një kapital njerëzor dhe natyror që bën të mos dëshpërohet për një të ardhme më të ndritur. I takon Perëndimit, Zvicrës në veçanti, që të mos e zhgënjejë pritshmërinë e shqiptarëve. Kostoja e ndihmës sonë do të jetë një investim për të ardhmen duke na kursyer një fluks masash të varfëruara, duke marrë arratinë dhe të gatshme për çdo dhunë për të pasur pjesë nga mirëqenia dhe prosperiteti ynë.

Ambasadori i Zvicrës

(Nënshkrimi)

J.-J. Indermühle