Shtojca për Kulturë

Vrasja e arkitektit

Skenë nga shfaqja “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, e dhënë premierë më 23 maj në teatrin “Oda” në Prishtinë  (Foto: Noar Krasniqi)

Skenë nga shfaqja “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, e dhënë premierë më 23 maj në teatrin “Oda” në Prishtinë (Foto: Noar Krasniqi)

Nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj edhe ishte vrarë nga vrasës të panjohur, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit, veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinë, ky pagoi çmim shumë më të lartë. Pas vrasjes së tij, askush tjetër më nuk ka guxuar të konfrontohet me mafinë e ndërtimit në Prishtinë

Sipas disa bilanceve (jozyrtare) të dëmeve të luftës, thuhet se rreth 60 për qind të fshatrave të Kosovës kanë qenë të djegura e shkatërruara. Ka ekzistuar një plan sistematik, mirë i menduar, që ushtria dhe paramilitarët serb e kanë zbatuar në shumicën e fshatrave shqiptare të Kosovës, e që ka përfshirë djegien e shkatërrimin e shtëpive dhe pastaj plaçkitjen e tyre. Prandaj, kur përfundoi lufta në qershor të vitit 1999, streha mbi kokë ishte njëra ndër çështjet më emergjente për shumicën e njerëzve që po ktheheshin nga kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe në Shqipëri. Njerëzit hallexhinj vërshuan qytetet, në fillim uzurpuan banesat e serbëve që largoheshin nga Kosova, por ato ishin të pamjaftueshme. UN-i e organet lokale që po administronin Kosovën, nuk kishin zgjidhje të shpejtë, por atë e ofruan njerëzit e nëntokës, biznesmenët e kompanitë e ndërtimit të lidhura me botën e krimit. Një shoqëri e tërë e traumatizuar nga lufta, në një përpjekje epike për t’iu rikthyer jetës, iu nënshtrua, pavullnetshëm, këtij grupi të nëntokës, që u ofronte “zgjidhje” banimi. Prishtina filloi të gëlojë nga ndërtesat që po mbinin brenda natës, me cilësi të dobët ndërtimi, pa përfillur asnjë kriter ndërtimi e pa plan urbanistik. Parqet ktheheshin në kantier ndërtimi, sheshet ngushtoheshin e në to ndërtohej, shtëpitë e vogla rrënoheshin e mbi atë truall mbinin rrokaqiej. Arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, po bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik në Prishtinë. Ai kishte punuar si drejtor i Zyrës për Planifikim Hapësinor që nga vitet e 70-ta. Ishte larguar nga puna dhunshëm në kohën e Millosheviqit, por tani pas luftës ishte kthyer sërish, me shpresë që mund ta vazhdonte implementimin e master-planit të tij urbanistik, që e kishte quajtur “Vizioni për Prishtinën 2000-2005”, e që ishte modeluar mbi një plan urbanistik ekzistues të viteve të 80-ta. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj edhe ishte vrarë nga vrasës të panjohur, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit, veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinë, ky pagoi çmim shumë më të lartë. Pas vrasjes së tij, askush tjetër më nuk ka guxuar të konfrontohet me mafinë e ndërtimit në Prishtinë. Një qytet i tërë, nga ajo kohë, i është dorëzuar në heshtje shkatërrimit e degradimit urbanistik. I njëjti sindrom shkatërrimi është kopjuar edhe në krejt qytetet tjera të Kosovës. Duke u ndërtuar pa plan e pa kontroll, qytetet janë bërë ngufatëse, të pasigurta dhe jo miqësore. Prishtina, e tre apo katërfishuar në përmasa, sot është prej qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Ndërtimet nuk kanë të ndalur akoma edhe sot, madje, janë intensifikuar. Banesat i blejnë kryesisht njerëzit nga diaspora, të cilët natyrisht nuk vijnë të jetojnë në to. Prishtina për këta 25 vjet ka qenë një kantier i madh ndërtimi – ndoshta më i madhi në planet – mbi të është ndërtuar një qytet paralel, fantazmë, që i rri kërcënueshëm jetës dhe të ardhmes… 

Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit 
Botohet në shqip me leje të autorit.