Fshati Bubavec në Komunën e Malishevës vazhdon të ruajë me përkushtim traditën shekullore të mikpritjes dhe konakut. Me rreth 3.000 banorë, ky fshat është shembull i bashkëjetesës, historisë dhe kontributit kombëtar, ku çdo mysafir pritet me zemër të hapur, njësoj si në të kaluarën.
Edhe sot e kësaj dite banorët e fshatit Bubavec në Komunën e Malishevës e ruajnë me përkushtim traditën e mikpritjes dhe konakut, ashtu siç e kanë trashëguar nga të parët.
Çdo mysafir që troket në dyert e këtij fshati pritet me pije, ushqim dhe vend për të fjetur.
Fshati numëron mbi 400 shtëpi dhe rreth 3.000 banorë, të cilët në periudha të ndryshme historike kanë dhënë kontributin e tyre për çështjen kombëtare.
Bedri Kryeziu, kryetar i fshatit, rikujton një periudhë të veçantë të viteve ’90, kur banorët e Bubavecit hapën dyert për më shumë se 200 minatorë të strehuar në shtëpitë e tyre.
“Fshati Bubavec me të vërtetë është bukëdhënës dhe mikpritës. Fshati ynë ka strehuar, e që njëherësh jemi familjarizuar me minatorët në vitet ‘90, ku mbi 200 minatorë kanë gjetur strehë në familjet tona. Mund të them lirisht që jemi po ata persona që kemi qenë gjithmonë, mikpritës dhe bukëdhënës. Dyert e çdo shtëpie në fshatin tonë janë të hapura për ata që kanë nevojë, apo që dëshirojnë ta vizitojnë fshatin Bubavec”, thekson Kryeziu.
Sot Bubaveci është një fshat i gjallë me ekonomi të bazuar kryesisht në bujqësi dhe blegtori. Në të numërohen rreth 100 dele, mbi 500 lopë dhe bagëti të tjera. Tokat e fshatit mbillen kryesisht me grurë (80%) dhe misër (15%).
Sa i përket infrastrukturës, fshati nuk qëndron keq, por ka ende punë të mbetura përgjysmë nga Komuna që, sipas banorëve, duhet të përfundojnë sa më parë.
“Bubaveci është fshat që më së shumti është i përkushtuar në bujqësi, pra nuk ka djerrina. Si fshat gjatë luftës kemi qenë 100% i shkatërruar, pra shtëpi të shkatërruara plotësisht. Ndërsa tash infrastruktura në fshat është e mirë, ndonëse ka nevojë për intervenime nga ana e Kuvendi Komunal dhe e Qeverisë. Kemi nevojë që një rrugë e fshatit të rregullohet sa më shpejt. Kemi problem me ujin e pijshëm dhe një pjesë me kanalizim. Si fshat kem martirë e veteranë të luftës, si dhe ish-të burgosur politikë, të cilët janë celulat e para të luftës së fundit në Kosovë, një ndër ta jam edhe unë”, deklaron Kryeziu.
Në qendër të fshatit është ndërtuar një objekt për komunitetin, ku mbahen ngjarje kulturore, artistike, tubime të ndryshme dhe ceremoni mortore.
Ky objekt është financuar tërësisht nga vetë banorët.
“Njëri prej objekteve shumë të rëndësishme në fshatin tonë është edhe ky, në të cilin kryhen aktivitete të ndryshme si festive dhe ngjarje mortore. Objekti është në dispozicion për t’u shfrytëzuar edhe nga diaspora kur të vijnë në pushime”, shton Kryeziu.
Istref Kryeziu, banor i Bubavecit, tregon se jetesa në fshat është e mirë dhe se harmonia mes banorëve është shembullore.
“Jetesa në fshatin tonë është e mirë. Këtu nuk kemi asnjë problem me njëri- tjetrin, aq mirë e kalojnë rinia mes vete, janë të bashkuar për çdo gjë. Rrahje e ngatërresa mes vete nuk kanë, kjo është shumë e mirë që ne si fshat e kemi. Nuk hezitoj me shkua në ndonjë qytet me jetua, e dua fshatin tim”, thekson Kryeziu.
Fshati ka edhe një muze të vogël, ku ruhen fotografi dhe materiale të figurave historike, patriotike e publike që kanë kontribuuar për Kosovën.
Hoxha i fshatit, Xhevat Kryeziu, është përkujdesur për dokumentimin e shumë prej këtyre momenteve historike, përfshirë edhe pajtimin e gjaqeve.
Sipas tij, më 26 prill 1990, në Malishevë u themelua Lëvizja Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve, e cila njihet edhe si Kuvendi i Bubavecit.
Në këtë ngjarje historike, sipas tij, morën pjesë deri në 300 mijë persona.
“Këtë muze e kem ndërtuar me qëllim që t’ua lëmë gjeneratave të tjera një testament dhe trashëgimi kulturore e kombëtare, se nga ka kaluar populli ynë nëpër etapa historike. Ne kemi paraqitur katër shtylla. E para ajo studentore, pastaj greva e minatorëve, të cilët kanë kërkuar Kosovën të bëhet Republikë dhe më pas vjen Lëvizja kombëtare për pajtim të gjaqeve. Të gjithë këta që janë në këto fotografi i përkasin pjesëmarrjes së pajtimeve të gjaqeve në fshatin Bubavec”, deklaron Kryeziu.
Diaspora e Bubavecit, kryesisht e vendosur në Itali, Zvicër dhe Gjermani, kontribuon vazhdimisht për vendlindjen, qoftë financiarisht, qoftë me praninë e tyre gjatë pushimeve pranë familjes.