“Verë n’Dimër” bashkon qytetarë e vizitorë për pije dhe ushqim, përmes shtëpizave të vendosura në shesh.
Blend Ymeri është njëri nga qytetarët që, së bashku me familjarë dhe shoqëri, shijon pijet dhe ushqimet që ofrojnë këto biznese.
Erodita Haziri thotë se shumicën e pauzave i kalon pikërisht këtu, në “Verë n’Dimër”. Sipas saj, vendasit dhe turistët kanë mundësi të shërbehen me ushqim, pije dhe të shijojnë atmosferën festive të kryeqytetit.
Ajo shton se, edhe pse sheshet e Prishtinës mirëmbahen rregullisht nga kompanitë e pastrimit, ka persona të pandërgjegjshëm që lënë mbeturina, gjë që ajo e cilëson si veprim të pahijshëm.
Fisnik Jahiri, menaxher me përvojë shumëvjeçare në gastronomi, tregon se sivjet për herë të parë është bërë pjesë e “Verë n’Dimër”.
Ai thotë se mëngjeset janë më të qeta, ndërsa frekuentimi i qytetarëve fillon pas orës 12:00 gjatë pauzave të punës, si dhe mbrëmjet janë të mbushura me klientë.
Jahiri thotë se fillimet nuk kanë qenë shumë të kënaqshme, por shpreson që periudha e fundvitit t’i sjellë më shumë të ardhura.
Ai thekson se, përveç anës financiare, “Verë n’Dimër” i sjell Prishtinës edhe turizëm, duke u ofruar turistëve vende për të ngrënë, pirë dhe shijuar atmosferën festive.
Shtëpiza e tij njihet për çokollatën dhe verën e nxehtë, të cilat i përgatit vetë.
“Verë n’Dimër” është hapur më 28 nëntor dhe do të jetë e hapur deri më 3 shkurt.
Gjithsej janë 80 biznese gastronomike që marrin pjesë në “Verë n’dimër” me shtëpizat e tyre.