SOT

Fëmijët e kopshtit shesin produkte në shesh, me të hollat ndihmohen fëmijët me kancer

Të mërkurën të vegjlit e kopshtit “Shtëpia Magjike” nga fshati Besi, në sheshin “Skenderbeu” e zunë një hapësirë ku gjatë ditës shitën produkte të punuara nga duart e tyre.

Ushqim e gjëra kozmetike, të përgatitura dhe dekoruara nga vetë ata u ekspozuan për shitje për kalimtarët, e me ato të holla që do grumbullohen do të ndihmohen më pas fëmijët e tjerë të cilët jeta po i sfidon me sëmundjen e kancerit.

Drejtoresha e kopshtit, Saime Alshiqi thotë se produktet nuk kanë kosto të caktuar, do të mbetet në dëshirën e kontribuuesve se sa duan të ofrojnë.

“Ne jemi kopshti ‘Shtëpia Magjike’, sot për shkak të muajit rozë për ndërgjegjësimin e personave me kancer në kuadër të aktiviteteve kemi zgjedhur të bëjmë një aktivitet humanitar ku fëmijët e kopshtit me ndihmën e edukatoreve dhe prindërve, kanë përgatitur produkte të vogla, ku mjetet e grumbulluara i dedikohen për fëmijët e prekur me kancer. Do t’i dërgojmë në pediatrinë e fëmijëve. Janë produkte kozmetike që kanë sjellë prindërit, ata i kanë përgatitur, ato po i shesim, nuk kanë çmim, por do jetë në bazë të vullnetarëve se sa duan të kontribuojnë”, tha Alshiqi.

Sipas drejtoreshës, përmes aktivitetit fëmijët po mësojnë për jetën dhe të qenit human me të tjerët.
“Fëmijët janë të parashkollores, por këtë iniciativë po e realizojmë me ta sepse janë më të mëdhenjtë e kopshtit. Fëmijët e dinë për aktivitetin, e dinë rëndësinë që do ndihmojnë fëmijët që kanë nevojë për ndihmë. Sipas meje, nuk është vetëm aktivitet humanitar, por fëmijët po i mësojmë për jetën, po i mësojmë ndjenjën njerëzore, edukimin emocional e moral, po mësojnë se mirësia dhe solidariteti janë vlera që duhet t’i zhvillojnë”, thekson Alshiqi.

Mjetet e grumbulluara do ndahen për 5 fëmijët që aktualisht po trajtohen në pediatri, ose do të u blihen lodra.

“Aktivitete të tilla kemi bërë vazhdimisht, por ky është ndryshe, për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje. Meqenëse fëmijët janë të vegjël, do të jetë vetëm sot aktiviteti dhe do shkojnë menjëherë në pediatri. Do shohim sa mjete do mblidhen, sepse janë 5 fëmijë me kimioterapi do ndahen te këta fëmijë, por nëse mjetet janë më pak, do blejmë lodra për t’i gëzuar sepse i motivojmë me to”, shton Alshiqi.

Edhe prindërit ishin mbështetje e kyçe për këtë aktivitet, Alma Ajdini thotë se djali i saj ishte i angazhuar dhe kureshtar për secilin detaj që përgatitej për aktivitetin.

“Si prind jam e lumtur që jam pjesë e kësaj nisme. Fëmija im është në këtë kopsht sot. Na bashkon një qëllim i vetëm, të falim dashuri dhe shpresë aty ku ka nevojë për ne. Fëmijët tanë mësojnë se sa i rëndësishëm është të ndihmojnë njëri-tjetrin. Djali ka qenë shumë kureshtar në përgatitje të ushqimit, ka qenë pjesëmarrës në dekorim, edhe pse është i vogël, por ka qenë kurioz pse ngjyra është rozë”, thotë Ajdini.

“Kujdesi për veten është dhuratë për jetën. Të gjitha nënat janë të forta” është mesazhi që 5-vjeçari Troi Dragusha e përcolli në aktivitet.

“Unë jam Troi Dragusha, 5 vjeç. Kam ardhur me shokë dhe shoqe me shit gjëra që i kemi bërë vetë. Këto ushqime që i kemi përgatitur, kemi me i shit me i ndihmu fëmijët tjerë. Kujdesi për veten është dhuratë për jetën. Të gjitha nënat janë të forta”, thekson ai.

Në aktivitet ishin të përfshira disa grupe të fëmijëve dhe prindërve, por vetëm 7 fëmijë qëndruan për të shitur, e interesimi nga kalimtarët për të kontribuuar ishte i kënaqshëm, madje kishte edhe fëmijë tjerë që ishin kureshtar rreth aktivitetit dhe blenë diçka.