SOT

Fiona, gjyqtarja e sportit vetëm për vajza e licencuar ndërkombëtarisht

Fiona Konxheli nisi me baletin klasik si 7-vjeçare në mungesë të një klubi për gjimnastikën ritmike. 
Por nuk hoqi dorë derisa e përmbushi ëndrrën për të qenë gjimnaste profesionale, andaj zgjodhi që të studionte e të trajnohej jashtë shtetit.

Konxheli nga Ferizaj, pos gjimnaste e trajnere, tani është edhe gjyqtare me licencë ndërkombëtare për gjimnastikën ritmike. 

“Jam përfaqësuese e Kosovës në gjimnastikën ritmike, njëherësh edhe trajnerë e klubit ‘Ritmiks’ dhe së fundi jam gjyqtare ndërkombëtare e licencuar nga Federata Internacionale e Gjimnastikës. Gjimnastika ritmike është një disiplinë ritmike që është një kombinim mes baletit dhe gjimnastikës dhe realizohet prej disa elementeve që i përdorim për gjimnastikën ritmike. Është fiongo, topi, rrethi, litari dhe shkopinjtë. Meqenëse në Kosovë nuk ka pasur gjimnastikë ritmike, atëherë pata filluar me baletin klasik qysh në moshën 7-vjeçare, por prapë ëndërr e imja të bëhesha gjimnaste ritmike, prandaj zgjodha rrugëtimin tim në shtete të tjera. Si 14-vjeçare jam shpërngulur në Shkup ku edhe kam studiuar e edhe i kam kryer ushtrimet për gjimnastikë ritmike, pastaj në Budva për trajnime profesionale dhe në fund në Sofia të Bullgarisë për studimet master, po aty pata fatin edhe ta përfaqësoj për herë të parë Kosovën me gjimnastikë ritmike”, thekson Konxheli.

Fiona thotë se të qenit gjyqtarja e parë ndërkombëtare nga Kosova e ngrit edhe më shumë shtetin në fushën e sportit.

“Ëndërr e kisha që të bëhesha një gjyqtare ndërkombëtare në mënyrë që ta kemi sa më të lehtë kyçjen në arenën ndërkombëtare. Ia dola fatmirësisht dhe kjo nuk është vetëm një arritje individuale, por që i bën mirë edhe imazhit të Kosovës. Federata Internacionale e Gjimnastikës kërkon pjesëmarrjen nëpër trajnime, njohuritë teorike e praktike se si i vlerësojmë ne gjimnastet e reja. Që të gjitha këto kanë qenë detaje të përfshira për licencim si gjyqtare”, shton Konxheli.

Vështirësitë i pati të shumta, duke nisur nga shpërngulja në shtete të tjera për shkollim në këtë sport olimpik. 

Por synimet i kishte të qarta. 

Thotë se punoi intensivisht që të arrinte titullin e gjyqtares së parë nga Kosova me licencë ndërkombëtare.

“Gjimnastika ritmike është një nga sportet më elegante dhe më i duhuri për krijimin e drejt të vajzave. Element kyç është disiplina dhe në shtetet e tjera për të qenë gjyqtare kërkohet fillimisht përvojë ndërkombëtare, ndërkaq mua mu desh përgatitje intensive për muaj të tërë që të arrij ta kem këtë titull”, deklaron Konxheli.

Fiona ka themeluar edhe klubin e saj të gjimnastikës ritmike. 

Si sport që ajo e quan vetëm për vajza, thotë se po zhvillohet dita-ditës në Kosovë falë interesimit të prindërve që t’i aktivizojnë vajzat në këtë disiplinë olimpike.