SOT

Gjyqtarja e parë nga Kosova që po shkruan histori në futsall

Erzë Surdulli

Si e para gjyqtare nga Kosova që arrin këtë nivel, Florentina Kallaba, tashmë renditet në mesin e 10 më të mirave në botë, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë sportistet e vendit.

Trajnera e futbollit të vogël këtë epitet e ka marrë nga UEFA pas rezultateve që tregoi në Kupën e Botës në futsall.

“Kam përjetuar shumë mirë, ka qenë një ndjenjë e mirë sepse kam punuar gjithë kohën që të jem në gara ndërkombëtare edhe kam qenë shumë e lumtur. Ndeshja më sfiduese, mund të them që të gjitha ndeshjet kanë qenë sfiduese, vetë fakti që je në kupën e botës, por mund ta veçojë ndeshjen e finales ku ka qenë një adrenalinë e papërshkueshme”, ka theksuar ajo.

Për çdo vendim që  merr në fushë është sfidë e jashtëzakonshme, përgjegjësia e madhe dhe presioni në Kupën e Botës merr kohë për t’u përgatitur gjatë, shtoi Kallaba.

Nuk kanë munguar edhe ditët ku gjithçka iu duk e pamundur dhe mendonte dorëzimin, por dëshira për të arritur ëndrrën e saj e mbajti në këmbë.

Përpos kupës së botës, Kallaba ka pasur edhe një sërë suksesesh të tjera ku ka qenë njëra ndër gratë e para të licencuara si trajnere e futbollit në Kosovë. 

Tashmë ajo është kthyer në Kosovë për të trajnuar vajzat e reja në futsall.