Në një kohë ku paraja ka peshë çdo ditë e më shumë, edukimi financiar është domosdoshmëri, e menaxhimi i saj nuk është vetëm për të rriturit, por në fakt zakonet financiare duhet formuar shumë më herët.
Fëmijët qysh nga mosha e hershme duhet mësuar të marrin vendime, të planifikojnë dhe të kuptojnë vlerën e gjërave. E ngjashëm duhet vepruar edhe me mësimet që u japim atyre për menaxhimin e parasë, në mënyrë që e ardhmja e tyre kur të rriten të jetë më pak stresuese, kështu thotë edhe psikologia për fëmijë, Mirjeta Pestisha.
“Edukimi financiar fillon kur janë fëmijët e vegjël, kur intervenohet në fëmijëri, që atëherë mësojnë kulturën e të kursyerit, kështu kemi me pasë të rritur me më pak ankth e stres nga ana financiare, me një jetë të qëndrueshme. Nuk ka të bëjë vetëm me paranë, por edhe vetëkontrollin që u siguron fëmijëve dhe rëndësinë e të jetuarit përmes mjetit që siguron ekzistencën e tij”, ka thënë Pestisha.
Sipas psikologes, fëmijët duhet ta kenë një arkë kursimi, përmes së cilës mësohet menaxhimi i parasë, e po ashtu shpenzimi i saj kur është i nevojshëm.
“Prindërit janë më tolerues se sa dikur siç kanë qenë prindërit tanë. Jo vetëm te pjesa si i mësojmë me rolin e parasë, kur fëmijët janë të vegjël nuk i lejojmë ata me i shpenzu të gjitha gjërat që i kanë dhe i mësojmë që atë sasi ta ndajmë edhe për ditë tjera, e jo të gjitha përnjëherësh. Arka e kursimeve që kanë grumbulluar t’i vendosin te pjesa e arkës dhe të mësojnë që duhet përdorur kur është e nevojshme”, ka shtuar ajo.
Ajo thotë se prindërit janë modeli më i mirë për fëmijët, nëse ne dimë të jemi të durueshëm dhe ta përdorim paranë kur është e nevojshme dhe jo gjitha përnjëherësh, edhe kjo qasje do të jetë e krijuar te fëmijët.
“Durimi mësohet në të gjitha aspektet e pastaj të praktikohet në para. Ne duhet të jemi model i atyre që ato para të cilat i kemi të mos i shpenzojmë menjëherë, por ata të shohin nga ne që do t’i përdorim kur të jetë e nevojshme, e nga ky model ata do ta procesojnë në karakterin e tyre”, ka thënë ajo.
Por për edukimin e fëmijëve në këtë çështje, rol të madh ka edhe Shoqata e Bankave të Kosovës. Vesa Vuçiterna nga kjo shoqatë tregon se për çdo vit organizojnë javën e parasë nëpër shkollat e vendit për t’u ndërgjegjësuar gjeneratat e reja.
“Shoqata e Bankave të Kosovës si OJQ edukimin financiar e ka kryesor. Që nga 2012 jemi duke organizuar javën ndërkombëtare të parasë, që fokusohet në ndërgjegjësimin e të rinjve në konceptin financiar, jemi katalizator që punojmë rreth ndërgjegjësimit të moshave të reja”, ka thënë Vuçiterna.
Ajo shton se viteve të fundit nga bankat ka kërkesa më të shumta rreth hapjes së llogarive të kursimit të fëmijëve, e po ashtu një gjë e tillë ofrohet pa pagesë nga bankat e vendit.
“Si fenomen kursimi te qytetarët ka qenë gjithmonë prezent, por jo në këtë dimension siç është tani. Bankat kanë llogaritë e kursimit pa pagesë për fëmijët, prindërit mundën me shku në banka me hap llogari kursimi pa paguar shtesë dhe shtesat tani që u jepen nënave të Kosovës u kanë mësuar konceptin e parasë”, ka thënë ajo.
Vuçiterna tregon se fëmijët tanimë janë më të informuar rreth kursimit dhe rolit të parasë, madje edhe stafi i shkollave e mirëpret fushatën e përvitshme të organizuar nga Shoqatat e Bankave.
“Fëmijët çdo vit e më shumë kur jemi prezent në shkolla e njohin konceptin e kursimit dhe edukimin financiar. Më herët nuk e kanë kuptuar shumë, por me fushata që po bëjmë fëmijët dhe mësuesit kanë fillu me kuptu se sa e rëndësishme është kjo çështje, meqë i pranojnë edhe aktivitetet tona në shkollat e tyre”, ka shtuar tutje ajo.
Ajo thotë se kur i edukojmë fëmijët që nga fillimi, ata do të dinë se si ta menaxhojnë paranë dhe në të ardhmen kur të rriten nuk do të jenë borxhlinj.
“Në një ekonomi komplekse, e cila po ndodh edhe te ne, edukimi financiar është bërë domosdoshmëri. Sipas statistikave, një i ri që nga fëmijëria që merret me shprehi kursimi bëhet i rritur i përgjegjshëm që do të ketë të ardhme financiare të qëndrueshme dhe nuk do të ketë borxhe, ku do të dallojë po ashtu dëshirën nga nevoja”, ka deklaruar ajo.
Edukimi financiar nuk është vetëm mësim për fëmijët, por investim në të ardhmen e tyre, të cilët do të dinë të menaxhojnë paranë, të jenë kursimtar e po ashtu shpenzues me to në rastet kur është e nevojshme.