Kanë kaluar 27 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Gjatë kësaj kohe në fshatin Strofc dhe fshatrat përreth të Vushtrrisë nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë për mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga personat e keqtrajtuar gjatë luftës, shumë prej të cilëve edhe sot vuajnë pasojat e asaj periudhe.
Së fundmi, me iniciativë të Policisë së Kosovës ka nisur një nismë për dokumentimin e këtyre dëshmive.
Kryetari i fshatit Strofc, Behar Duraku, thotë se interesimi për të raportuar është i vogël, ndaj ka nisur t’i kontaktojë vetë personat që kanë qenë viktima të krimeve të luftës.
“Para disa ditësh kam marr një telefonatë nga disa hetues policorë të krimeve të rënda në Prishtinë, të cilët më kërkuan që t’i njoftoja banorët e këtyre zonave lidhur me krimet e luftës që kanë ndodhur në këto pjesë, viktimat civile, të burgosurit e fshatit dhe të tjerët. Unë i kam njoftuar të gjithë banorët të cilët kanë dëshmi për keqtrajtim nga forcat serbe, të më kontaktojnë mua dhe t’i fus në listë’, thekson Duraku.
Ai thotë se pavarësisht interesimit të kufizuar, po vazhdon t’i thërrasë vetë banorët, pasi shumë prej tyre ende hezitojnë të flasin.
“Interesimi është, por jo i kënaqshëm, mirëpo unë po vazhdoj t’u bëj thirrje të deklarohen. Por, unë po i thërras edhe vetë për shkak se shumicën e fshatit i njoh dhe po i thërras një nga një. Disa janë duke e mirëpritur, kurse disa të tjerë po me tregojnë që për herë të parë e kanë marrë një mesazh të tillë pas 27 vjetëve”, shton Duraku.
Ai thekson se, megjithëse e vonuar, kjo nismë është shumë e rëndësishme për të dokumentuar krimet e kryera dhe për t’ua përcjellë të vërtetën brezave të ardhshëm.
“Edhe pse kjo iniciativë është e vonuar, mirëpo unë besoj që kemi kohë edhe pak. Për shkak se disa që janë gjallë të vazhdojnë t’i dhënë dëshmitë e tyre dhe të tregojnë atë që kanë përjetuar në mënyrë që gjeneratat e reja të dinë më shumë”, deklaron Duraku.
Ish-komandanti i UÇK-së në atë zonë, Rrahim Tahiri, sjell në kujtesë një nga momentet më të dhimbshme që ka përjetuar gjatë luftës, rastin e dëshmorit Mehdi Fazliu, i cili kishte qëlluar veten për të mos rënë në duart e armikut.
“Po dua që ta potencoj edhe një rast të cilin unë e kam përjetuar rëndë. Kemi qenë shumë afër në dyluftim me forcat serbe, diku 10 metra na u kanë afruar. Gjatë luftimit Enver Fazliu vritet, kurse Mehdi Fazliu plagoset. Gjatë tërheqjes Mehidut i bie një pjesë e granatës dhe ia këput këmbën e majtë dhe gjatë asaj kohe serbët afroheshin edhe më tutje, ne ishim një numër i vogël, ne e kemi dhënë një betim që të mos biem në dorë të armikut dhe Mehdiu kur e sheh që po i afrohen ai e merr armën dhe e qëllon veten”, thekson ai.
Edhe Tahiri e konsideron këtë nismë të vonuar, por të domosdoshme për të dokumentuar të kaluarën dhe për të ruajtur kujtesën historike.
“Është nismë e vonuar, mirëpo më mirë vonë se kurrë. Tani do të kemi regjistra dhe për gjeneratat e reja do të shërbejnë si dëshmi për krimet e luftës së fundit në Kosovë të bëra nga okupatori serb”, shton ai.
Përveç Strofcit, dëshmitë për krimet e luftës po mblidhen edhe në fshatrat Zhilivodë, Gllavatin, Bequk dhe Bivolak.