SOT

Platforma me inteligjencë artificiale për nxënës e mësimdhënës

Për ta realizuar platformën që e quajti "Zgjoi", iu deshën rreth gjashtë muaj punë intensive.
Inxhinieri i inxhinierisë elektrike, Agron Dida, ka krijuar këtë platformë me inteligjencë artificiale, duke e përshtatur plotësisht me kurrikulën shkollore në Kosovë, me qëllim që t'u vijë në ndihmë nxënësve dhe mësimdhënësve.

"Projekti 'Zgjoi.org' ka dy pjesë, pjesa që e përgatitë informacionin dhe pjesa tjetër është dhënia e një përgjigje të strukturuar për të cilën ka nevojë një nxënës ose arsimtar. Projekti me inteligjencë artificiale është për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, njëjtë si edhe për arsimtarët e për të gjitha fushat. Prandaj implementimi i inteligjencës artificiale në këtë projekt i ndihmon jashtëzakonisht mësimdhënësit e nxënësit, për këtë edhe e kam krijuar", thekson Dida.

Sipas tij, platforma si ChatGPT dhe tash edhe “Zgjoi” po e bëjnë më tërheqëse dhe më efikase mënyrën e marrjes së informacionit për të rinjtë, falë saktësisë dhe përshtatshmërisë që ofrojnë.

"Unë po e shoh që gjenerata e re është tepër e interesuar për ta përdorur Chatgbpt, e cila është falas dhe cka është më e rëndësishmja se pas 'Google' ku ne e kemi dhënë vetëm një fjali e sistemi na i jepte disa linqe, Chatgbt-ja është një vegël që mendon si njeriu e të përgjigjet si njeriu. Unë nuk jam i mendimit që inteligjenca artificiale i ka bërë më dembel nxënësit, sepse mendoj se Chatgbt në këtë rast nuk ta zgjidh problemin, por t'i hap horizontet edhe më tej. Ti e pyet për diçka, pastaj në fund ai të pyet për informata shtesë që lidhen me temën e që t'i mund të zbulohesh edhe më tej", deklaron Dida.

Qasja në platformën “Zgjoi” është e thjeshtë dhe e qasshme, ndërsa Dida ka bërë përpjekje që ta bëjë sa më gjithëpërfshirëse: ai e ka përkthyer atë në 11 gjuhë, përfshirë edhe gjuhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. 

"Platformën që e kam krijuar me inteligjencë artificiale e kam përhapur aq sa kam mundur në rrjete sociale, por për ta futur më gjerë në përdorim në vend mendoj se u takon institucioneve ta bëjnë në mënyrë më profesionale, nëse e konsiderojnë si diçka të vlefshme. Krejt data-bazat e 'zgjoit' i kam përkthyer në 11 gjuhë. 6 gjuhë botërore dhe të tjerat janë gjuhët e minoriteteve në Kosovë, sepse mendoj është e drejt ligjore t'u japim edhe atyre mbështetje, sepse edhe ata e kanë kurrikulën tonë”, shton Dida.

Ai thekson se inteligjenca artificiale duhej të ishte integruar më herët në sistemin arsimor, duke e lidhur këtë edhe me rezultatet e dobëta në testimet ndërkombëtare si PISA.

"Në një punim të mëhershëm e pata cekur rolin e inteligjencës artificiale në sistemin tonë arsimor. Aty i kam cekur edhe rezultatet e PISA-s dhe rolin e AI dhe kam parë dobësitë e nxënësve në të shprehur, alfabetizmin digjital, kjo kryesisht në fushën shkencore, por kemi raste kur nxënësit tanë renditen në top 10-shen botërore, sidomos me aftësinë e tyre për t'i përcjellë trendët globale", deklaron Dida.    

Platforma Zgjoi.org është konceptuar për të gjitha grupmoshat, dhe sipas Didës mund të japë një kontribut të madh në modernizimin dhe lehtësimin e sistemit arsimor në Kosovë – veçanërisht nëse i jepet mbështetja dhe jehona e duhur.