Mëngjeset i nisin bashkë në shtëpi e pastaj bashkë rrugës për në shkollë.
Dorë për dorë me nënën e saj, Sumea Shaqiri i drejtohet klasës së saj në Shkollën e Artit në Ferizaj, si nxënëse e klasës së 10-të.
Vajza me këtë sindromë me vetëdëshirë zgjodhi të vijonte mësimet në Shkollën e Artit falë prirjes për pikturën, për të cilën fillimisht u aftësua duke ndjekur kurse.
“Sumea e ka filluar vitin sivjet, pra e ka filluar klasën e X-të. Shkolla jonë nuk është herë e parë që ofron mbështetje për nxënësit me nevoja të veçanta. Ne jemi me fat që i kemi këta fëmijë këtu, sepse vet si shkollë e artit i ka specifikat e veta pasi që mundem me u shpreh vet këta fëmijë përmes artit dhe është kënaqësi kur të ofrojnë aq shumë dashuri, saqë ndihemi aq me vlerë dhe jo thjeshtë si një kujdestare. Sumea dinë me ta shpreh falenderimin në mënyrë shumë të veçantë dhe të bën me u ndi e vlerësume, prandaj jemi me fat që e kemi në mesin tonë. Unë jam habitur edhe për mënyrën se si ajo dinë shkrim e lexim dhe sa e përgatitur është”, thotë kujdestarja e Sumeas Rrezarta Halili.
Ajo tregon se sa të dashur janë këta fëmijë me aftësi të kufizuara, për të cilët kërkon që t’i përfshijë sa më shumë në shkolla të drejtimeve të ndryshme.
“Kisha bë apel që sa më shumë me i pranu, sepse ata nuk them që janë vetëm të barabërtë, por shumë më shumë, sidomos në anën humane janë shumë më të padjallëzum sesa shumica prej neve, pra janë shumë më të sinqertë ta shprehin atë që e ndjejnë dhe mendoj se duhet me ju dhënë përkrahje sidomos shkollave të artit”, deklaron Halili.
“Sumea është bekim për mua”, kështu nis çdoherë përshkrimin për vajzën nëna e saj.
Fillimisht ajo kishte hezituar ta regjistronte vajzën në shkollë të mesme, por duke e parë prirjen në pikturë, Beharja zgjodhi t’ia realizonte dëshirën Sumeas, 17-vjeçare.
“Deri para dy viteve unë nuk kamë menduar që Sumean me dërgu në shkollë të mesme duke i parë rrethanat që i kemi në vendin tonë, mirëpo një kurs që e ka ndjek Sumea dhe prej aty ka fillu ta ketë një dëshirë të madhe për pikturën. Që atëherë e mendova si mundësi që Sumea të jetë në shkollën e artit dhe e falenderoj shumë edhe stafin e shkollës e gjithashtu edhe nxënësit, të cilët e kanë pranuar shumë mirë. Fillimi nuk është edhe aq i lehtë për të, sepse është një ndryshim për Sumean, por vet prindërit e shokëve dhe shoqeve të Sumeas më dhanë jetë që e pranuan kaq mirë”, thekson Shaqiri.
Si nënë e një fëmije me aftësi të kufizuara, Behare Shaqiri thotë se është e zhgënjyer nga institucionet e vendit pasi, sipas saj, ende nuk po ofrohen kushtet e nevojshme për ta lehtësuar jetesën e tyre e të prindërve.
“Duke e ditur që nuk kemi kushte të mjaftueshme se ku t’i dërgojmë fëmijët tanë, prandaj është e rëndësishme për mua që ta sjell këtu në shkollë ku e kalon pjesën më të madhe të ditës, ndërkaq dy herë në javë i ka në Qendrën e Down Syndrome. Unë jam e zhgënjyer, sepse kam bërë hapa, por shteti nuk është se e ka fokusin aq sa duhet te fëmijët tanë, sepse edhe këta janë pjesë e shoqërisë. Më vjen keq për shumë nëna që nuk ja dalin t’i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak të rrethanave dhe shoqërisë në të cilën jetojmë”, shton ajo.