Prishtinë, 12 janar – Pak lëvizje të futbollistëve shqiptarë janë realizuar në afatin kalimtar të janarit. Lëvizje të tjera, por jo edhe shumë, pritet të kompletohen deri në fund të këtij afati, që nuk është më i favorshmi për shkak të pandemisë. Klubet evropiane të futbollit nuk po shpenzojnë shumë në mes të pandemisë.
Por është thuajse e sigurt që Albion Ademi do të ndryshojë skuadër në afatin e janarit. Për këtë janë të bindur edhe te klubi i tij, IFK Mariehamn. Ademi 21-vjeçar ka bërë emër në edicionin 2020 të Veikkausliiga, kampionatit të Finlandës. Ka realizuar plot 14 gola e tri asistime në 22 paraqitje kampionale. Ishte realizuesi i dytë më i mirë në ligë, ndonëse luajti në një ekip të vogël. Dhe interesimi për të prej verës është goxha i madh. Këtë e kanë pranuar edhe në klubin finlandez. Ai ka kontratë deri në fund të vitit, kurse të IFK Mariehamn janë të interesuar të përfitojnë financiarisht nga shitja e tij.
IFK Mariehman ka pranuar tashmë oferta konkrete për shitjen e kosovarit.
“Po, kjo është e vërtetë. Është gjëja me të cilën po merremi tani. Gjithsesi po presim se çka do të arrijë ende. Unë besoj dhe shpresoj se oferta tjera do të vijnë në javët e ardhshme”, ka thënë drejtori i IFK Mariehman, Peter Mattsson, të martën. “Interesi për Albionin është i madh dhe ne nuk duam që të pranojmë menjëherë ofertën e parë”, ka shtuar ai.
Trabzonspori në Turqi, Baseli në Zvicër, AZ Alkmaari në Holandë, Hajduku në Kroaci dhe Greuther Fuerthi në Gjermani janë prej klubeve që kanë shfaqur interes për Ademin, raportojnë mediat finlandeze.
Por me shumë mundësi Albion Ademi do të përfundojë në Suedi. KOHA ka mësuar se njëri prej klubeve më të mëdha të Suedisë ka paraqitur ofertën te Mariehamni dhe po pritet vendimi i klubit finlandez. Vetë Ademi ka njoftuar se nga transferimi i tij Mariehamni pritet të përfitojë nga 200 deri në 300 mijë euro në emër të dëmshpërblimit. Klubi natyrisht po mundohet të sigurojë ofertë sa më të mirë, ndërsa futbollisti është i interesuar që të transferohet sa më shpejt.
“Ka oferta nga Suedia, Polonia. Klubi po pret për të parë a ka oferta të tjera, nuk po dëshiron të pranojë të parën. Besoj që javën tjetër do të marrim ndonjë ofertë të pranueshme nga të gjitha palët. Klubi po kërkon 200 deri në 300 mijë euro dëmshpërblim. Të shohim se cilat oferta do t’i kemi deri të premten. Ka ofertë edhe nga një klub i Bundesliga 2 të Gjermanisë”, ka thënë Ademi.
“Është kohë e keqe për transferime, për shkak të pandemisë. Situata nuk është e lehtë, ndoshta klubi nuk dëshiron të më shes atje ku dua unë të shkoj. Një klub i Suedisë po insiston dhe do të ishte lëvizje e mirë si hap i ardhshëm. Aktualisht klubi nuk është i kënaqur me ofertën e suedezëve, por të shohim”, ka shtuar Ademi.