Skuadra finlandeze, IFK Marihamn, ashtu si pritej, ka shfrytëzuar opsionin për të vazhduar edhe për një vit kontratën me sulmuesin Albion Ademi. Ademi kishte kaluar në fund të vitit të kaluar te Mariehmani, me synimin për të luajtur rregullisht.
Por, ka pasur një edicion të shkëlqyeshëm deri më tani, duke realizuar 12 gola e tri asistime në 17 paraqitje. Numri i golave në ndeshjet e deritashme ka bërë që për Ademin të interesohen skuadra nga vende të ndryshme, e po ashtu skuadrat më të mëdha finlandeze. Dhe Mariehmani me vazhdimin e kontratës është siguruar që të përfitojë një shumë të majme nga transferimi i Ademit.
Sikur të mos e shfrytëzonte Mariehmani opsionin për të vazhduar kontratën edhe për një vit, Ademi në janar do të mund të largohej si i lirë. Por, klubi finlandez ka vepruar.
Sulmuesi i krahut nuk ka shënuar në katër ndeshjet e fundit, por pret të kthehet shpejt te goli.
“Ishte goxha e qartë. Ai ka fituar shumë besim nga trajneri dhe ka shkëlqyer në fushë. Natyrisht, ka shumë interesim për Albionin nga skuadra të tjera. Dhe tani jemi siguruar që ai ose do të luajë me ne në edicionin e ardhshëm, ose ne do të kompensohemi financiarisht në mënyrën e duhur”, ka thënë drejtori i IFK Mariehman, Peter Mattsson.
21-vjeçarit nuk i janë ndryshuar planet nga veprimi i fundit i klubit. Për të është e pritshme që klubi ka shfrytëzuar të drejtën. I ka takuar klubit të vendosë nëse do ta shfrytëzojë opsionin për një vit shtesë. Lojtari nuk ka pasur të drejtë vendimi.
“Klubi ka shfrytëzuar të drejtën, por unë pres që të transferohem ose në këtë afat, ose gjatë janarit. Ka oferta nga vende të ndryshme evropiane, por të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë Ademi të hënën për KOHËN.
KOHA ka mësuar se oferta konkrete për Ademin kanë ardhur nga klube kroate dhe daneze. Por, për transferim duhet që ai të jetë i kënaqur me klubin, e po ashtu që Mariehmani të pranojë ofertën. Kërkesat e klubit finlandez janë të mëdha.