Sport

Afrim Visoka, shtyllë shumëvjeçare e mbrojtjes së KEK-ut

Një fotografi e publikuar nga KOHA me rastin e transferimit të Vedat Muriqit te Lazio, ka kthyer në kujtesë një gjeneratë të suksesshme të KEK-ut të Obiliqit. Fotografia, e publikuar për të paraqitur rrugëtimin e Muriqit nga futbolli kosovar në Serie A, paraqet sulmuesin e Kosovës në një duel me Afrim Visokën. Fotografia është e edicionit 2010/2011 të Superligës së Kosovës në futboll dhe është bërë në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.

Muriqi atëbotë ishte një sulmues i ri, që vlerësohej me potencial, por që jo të gjithë ia vlerësonin atë. Ndërkohë lojtari prapa Muriqit, Visoka, ishte i konfirmuar në futbollin kosovar. Për shumë vjet ishte shtyllë e KEK-ut në mbrojtje.

Gjatë karrierës së gjatë, Visoka është përballur me shumë sulmues. Mbahet mend si mbrojtës i pakompromis që ka dhënë më të mirën për skuadrën. Një kohë ishte pjesë e gjeneratës që me sukses të plotë luante në Superligën e Kosovës në futboll.

Kur orari i ndeshjeve nuk dirigjohej nga kompanitë që transmetojnë ndeshjet, KEK-u ishte skuadër e njohur që luante ndeshjet të shtunën, në fushën e bukur të stadiumit “Agron Rama në Obiliq. Shikuesit kryesisht nuk ishin të shumtë, por loja e bukur nuk ka munguar. Në një kohë kur jo në të gjitha fushat ishte e mundur të luhej futboll i vërtetë, KEK-u është shquar për mikpritje dhe për ofrim të mundësive për paraqitje të denjë në fushë. Nuk kanë munguar incidentet, njëjtë si në fushat e tjera, por momentet e mira ishin dominante.

Image