Sport

Ajaxi paralajmëron ristrukturim për edicionin e ri, largohen yjet e ekipit

Ajaxi hyn në edicionin 2023/24 pa ambicie të mëdha, por me shpresën për të korrigjuar gabimet e edicionit të fundit.

Edicioni i parë i gjigantit të Amsterdamit pa trajnerin Erik ten Hag në krye që nga viti 2017, përfundoi në mënyrë katastrofale. Ajaxi u rendit i treti në kampionat, pas Feyenoordit dhe PSV Eindhovenit. Ky plasman në “Eredivisie” bëri që Ajaxi të mbetet pa Ligën e Kampionëve në edicionin e ri. Do të jetë hera e parë që nga viti 2017 që Ajaxi nuk do të jetë në garën kryesore të klubeve evropiane. Është diçka shqetësuese duke pasur parasysh se financat e klubit varen nga pjesëmarrja në Champions dhe shitja e lojtarëve.

Vitin e kaluar Ajaxi ka shitur shumë nga yjet, përfshirë Lisandro Martinezin, Antonyn dhe Sebastien Hallerin. Po ashtu pati një eksperiment të dështuar me Alfred Schreuderin si trajner kryesor dhe madje emëroi ish-mbrojtësin e Evertonit, John Heitinga, si trajner të përkohshëm për të drejtuar “anijen që po fundosej”.

Ndërsa rezultatet fillestare me Heitingan ishin pozitive, bilanci nuk ishte i mjaftueshëm për t’ia garantuar atij postin e trajnerit të përhershëm. Heitinga u la i lirë në fund të edicionit. Për më tepër, Edwin van der Sar, ish-portieri i cili kishte qenë shef ekzekutiv i klubit që nga viti 2015, u largua pas një sërë vendimesh të dobëta gjatë 18 muajve të fundit. Largimet nuk ndalen me kaq.

Kjo verë do të shohë një mori klubesh të mëdha evropiane të bëjnë lëvizje për shumë talente te Ajaxi. Ato tashmë kanë nisur.

Oferta e paraqitjes në Ligë të Kampionëve dhe stimulimet e mëdha financiare shpesh rezultojnë shumë të vështira për t'u refuzuar edhe për lojtarët më të përkushtuar të ekipit holandez.

Shitja e profilit më të lartë tashmë u realizua. Mbrojtësi Jurrien Timber të premten kaloi tek Arsenali për 40 milionë funte. Përparimi konstant i Timberit është vërejtur në të gjithë Evropën. Ai u bë titullar edhe te Përfaqësuesja e Holandës, si nën drejtimin e Louis van Gaalit ashtu edhe të Ronald Koemanit.

Vitin e kaluar Ten Hag u përpoq ta bindte atë të transferohej te Manchester Unitedi. Timber e refuzoi duke e shtyrë ish-shefin e tij të bënte lëvizje për partnerin e mbrojtjes, argjentinasin Martinez. Komoditeti i Timberit me top, aftësia për të luajtur në pozicione të shumta dhe pjekuria përtej viteve të tij, janë tipare të admiruara. Mikel Arteta e ka vërejtur këtë duke insistuar ta ketë nën urdhrat e tij për edicionin 2023/24. Dhe më në fund e transferoi.

Historikisht Ajaxi ka qenë negociator i vështirë, gjë që u konfirmua edhe verën e shkuar kur zvarriti transferimet e Martinezit dhe Antonyt tek Unitedi, duke përfituar 67 milionë euro, respektivisht 100 milionë euro. Timber ishte një nga talentet më të mëdha të Ajaxit dhe ekzistonte një besim i madh se ia vlente të paguhej për potencialin e tij. 22-vjeçari pritet të jetë transferim i qëlluar për “Topçinjtë”.

Një tjetër yll i Ajaxit i lidhur me një lëvizje në Premier League është Mohammed Kudus, i cili së bashku me Steven Berghuisin dhe Dushan Tadiqin, ishte një dritë shkëlqyese në sulmin e Ajaxit edicionin e kaluar. Ganezi më në fund fitoi minutazhë të madhe pas disa vjetësh përpjekjesh për t'u futur në formacionin e ekipit të parë. Ai e shfrytëzoi rastin mirë. Kudus gjithashtu shkëlqeu në Kupën e Botës me Ganën, duke shënuar dy herë. Kudus është kritikuar shpesh për mungesën e njohurive taktike, por ekziston një besim se ganezi është lojtar për të cilin ia vlen të investohet. Për kartonin e tij, Ajaxi po kërkon të paktën 45 milionë euro, duke pasur parasysh se po monitorohet nga Manchester Unitedi, Chelsea e Brightoni.

Ish-lojtari i Akademisë së Nordsjaellandit ka tërhequr vëmendjen edhe të Evertonit e Borussia Dortmundit, klube që ende nuk kanë bërë oferta konkrete.

Një tjetër largim i profilit të lartë mund të jetë ai i mesfushorit meksikan Edson Alvarez, i cili pati paraqitje të mira edicionin e fundit. Alvarez u kërkua nga Chelsea verën e kaluar, por Ajaxi bllokoi gjithçka në ditën e fundit të afatit kalimtar. Dortmundi prej kohësh po e vëzhgon Alvarezin, i cili po kërkohet edhe nga West Ham Unitedi, ekip që e sheh meksikanin si zëvendësueses për kapitenin Declan Rice. Me shitjen e kësaj tresheje, Ajaxi mund të fitojë të paktën 150 milionë euro këtë verë, para që do të jenë të dobishme në rindërtimin e skuadrës me shpresën për të rifituar vendin si ekipi kryesor i Holandës. Ka lojtarë të tjerë, përfshirë Brian Brobbey, Calvin Bassey dhe Jorge Sanchez, të cilët kanë tërhequr interesim dhe mund të largohen këtë verë. Drejtuesi i negociatave të transferimeve do të jetë ish-drejtori i Arsenalit, Sven Mislintat, i cili iu bashkua klubit këtë vit, duke pasuar Marc Overmarsin i cili u largua vitin e shkuar. Mislintat emëroi trajnerin Maurice Steijn, një emër i papritur, i cili u largua nga Sparta Rotterdam pas një edicioni mbresëlënës ku çuditërisht përfundoi i gjashti në Eredivisie.

Trajneri Steijn i mbështetur nga Mislintat, do të jetë përgjegjës për të mbikëqyrur fillimin e një epoke të re në “Johan Cruyff Arena”. Drejtori Mislintat ka ushtruar ndikim të menjëhershëm duke nënshkruar me talentin e ri të Romës, Benjamin Tahiroviq dhe mesfushorin e Toulouset, Branco van den Boomen. Në ditët e tij të para në klub, Mislintat ia bëri të qartë stafit se vetëm disa lojtarë në ekip ishin në gjendje të luanin në një nivel të lartë dhe ai rekomandoi shumë ndryshime. Me mundësinë e disa largimeve të mëdha, me trajner dhe drejtor sportiv të rinj, te Ajaxi po bëhen gati për edicionin 2023/24. Do të jetë një fillim i ri i Ajaxit të ristrukturuar.