Dy gola e një asistim ishte kontributi i Albion Vrenezit në ndeshjen e fundit të skuadrës së tij, Jahn Regensburg, në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Regensburgu fitoi 3:0 ndaj Eintracht Braunschweigut javën e kaluar, ndërsa 27-vjeçari shkëlqeu.
Ai po kalon formë të mirë në Bundesliga 2 dhe shpreson të futet në “radarin” e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Bundesliga 2 vlerësohet prej ligave të dyta më të forta në Evropë, nëse jo më e forta. Po ashtu, vlerësohet se ka nivel më të lartë se shumë liga elitare prej nga merr Kosova lojtarë, shkruan KOHA.
Në përfaqësuesen e Kosovës janë disa lojtarë që bëjnë karrierë në klube të kategorisë së dytë gjermane. Leart Paqarada luan për St. Paulin, ndërsa Florent Muslija po lufton për minuta te Hannoveri. Muslija në ndeshjen e fundit shënoi gol, ndërsa në dy të mëparshme qëndroi në stol. Paqarada po ashtu po ka telashe me hapësirë, të paktën në dy ndeshjet e fundit. Besar Halimi nuk po ka fare hapësirë te Sandhauseni.
Vrenezi nuk ka ndonjë kontakt me Kosovën. Por, shpreson që forma e mirë që po kalon të mos kalojë pa u vërejtur nga përgjegjësit në Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Nuk kam pasur ndonjë kontakt me Kosovën deri më tani. Por shpresoj shumë që të më jepet rasti te Kosova. Unë kam shumë dëshirë të luaj për Kosovën”, ka thënë Vrenezi për KOHËN, të enjten.
Ai ka startuar në të gjitha pesë ndeshjet e këtij edicioni. Ka deri më tani dy gola e dy asistime, ndërsa po vlerësohet lartë për paraqitjen. Vrenezi luan kryesisht si sulmues krahu, pozitë në të cilën te Kosova konkurrenca është goxha e madhe. Por si çdo lojtar shpreson në ftesë.