Arbër Qerimi po e shijon maksimalisht paraqitjen në Kampionatin Botëror të hendbollit që po mbahet në Poloni e Suedi. Ai është lojtari i vetëm shqiptar në ngjarjen më të madhe të hendbollit.
32-vjeçari është pjesë e Belgjikës që po paraqitet në fazën e dytë grupore. Belgjika për herë të parë është kualifikuar në Botëror. Qerimi luan në pozitën e qendrës, ndërsa është prej lojtarëve kryesorë të Belgjikës.
“Ndjenja e parë është shumë e mirë, të mos them fantastike. Është kampionati i parë për mua dhe për Belgjikën, ndërsa kemi arritur në ‘Main Round’ që nuk është pak”, është shprehur Qerimi për KOHËN.
Belgjika në fazën e parë ishte në grup me Danimarkën, Bahrejnin dhe Tunizinë. Avancoi falë fitores ndaj Tunizisë.
Në fazën e dytë grupore pësoi humbje nga Egjipti, të enjten dhe është pa gjasa për të kaluar në çerekfinale. Belgjikën e Qerimin i presin ndeshjet me Kroacinë dhe SHBA-në. Rastin për pikë e ka ndaj SHBA-së.
Qerimi ka theksuar se synimi është të shënojnë fitore në rundin e dytë. Ai në fitoren ndaj Tunizisë ishte më efikasi me gjashtë gola.
Ferizajasi Arbër Qerimi thotë se paraqitja në Botëror është madhështore, por nuk e sheh si kulmin e karrierës. Ai thotë se pret që kulmin e karrierës ta arrijë më vonë, ndonëse thekson se nuk mund të anashkalohet as paraqitja në Ligën e Kampionëve me skuadrën e Zagrebit.
Qerimi prej vitit 2010 luan për Belgjikën, ndërsa është pjesë e ekipit belg, HUBO Handball.
“Nuk e di nëse është kulmi i karrierës, pasi mund të ketë qenë kur kam luajtur edhe në ‘Champions’ me Zagrebin. Po shpresoj se kulmi i karrierës është në ardhje e sipër. Megjithatë, është mirë që po marr pjesë në Kampionatin Botëror, por edhe më mirë të fitosh ndeshjet dhe të bësh paraqitje të mira. Shpresoj që edhe në ndeshjet e tjera që na presin të tregoj paraqitje të mira”, ka shtuar Qerimi.
Ai ka luajtur në shumë skuadra belge, ndërsa ishte edhe në Francë e Luksemburg. Ka luajtur edhe për Metalurgun e Shkupit e Zagrebin, kurse prej vitit 2019 paraqitet sërish në Belgjikë.
Arbëri është djali i selektorit të Kosovës, Bujar Qerimi. Ai shpreson që Kosova së shpejti të paraqitet në ndonjë ngjarje të madhe të hendbollit.
“E përcjelli Kosovën, pasi babai im është trajneri i Përfaqësueses A. Ndoshta jo aq shumë, por në ndeshjet e rëndësishme e përcjelli për të qenë më afër babit. Nuk e di a është në ngritje Kosova, pasi nuk jam personi adekuat të përgjigjem. Por, shpresoj që Kosova të arrijë të luajë në Kampionat Botëror dhe Lojërat Olimpike në të ardhmen, që do të ishte diçka e madhe”, ka theksuar Arbër Qerimi.
Kosova e Belgjika ishin në grup në kualifikimet e Botërorit, por Qerimi nuk ishte paraqitur.