Sport

Asistimi që shënon karrierën e Tomës

Ndonëse vetëm 21-vjeçar, Bastien Toma tashmë i ka 80 ndeshje në elitën e Zvicrës në futboll. Mesfushori i vlerësuar lart ka vendosur për hap tjetër në karrierë – të luajë në një shtet tjetër.

Klubi i njohur belg, KRC Genk, ka njoftuar të premten se ka firmosur për katër vjet me Bastien Tomën. Tomën e ka vlerësuar talent të madh të Zvicrës.

Toma ka kaluar te Genku nga Sioni, ku është zhvilluar si lojtar. Ai ka gjashtë gola e 12 asistime në 80 paraqitjet në Superligën e Zvicrës për Sionin.

Por është një asistim që ka shënuar karrierën e deritashme të Tomës, kosovarit të lindur në Zvicër. Për atë asistim të premten kanë shkruar si Genku ashtu edhe Sioni dhe sajti zyrtar i Ligës zvicerane.

Bëhet fjalë për një asistim mjeshtëror që Toma e ka bërë më 7 tetor të vitit 2018. Ai në minutën e 29-të kishte pasuar për Ermir Lenjain që realizoi gol. Ajo ndeshje ndaj Xamaxit përfundoi 1:1. Por incizimi i asistimit të Tomës ishte shpërndarë shumë në rrjetet sociale.

“Në tetor të vitit 2018, Bastien Toma depërtoi në mediat ndërkombëtare të futbollit me një asistim fenomenal. Me një pasim brilant ai ka eliminuar nëntë lojtarë kundërshtarë në të njëjtën kohë. Video e asistimit u bë virale dhe kishte miliona shikime në atë kohë. Toma konsiderohet një prej talenteve më të mëdha në futbollin e Zvicrës. Është pjesë e U-21 të Zvicrës.

“Toma do të mbahet mend nga shumë tifozë për golat e tij vendimtarë dhe për aftësinë e jashtëzakonshme të pasimit. Ndaj Neuchatel Xamaxit, pasimi i tij vendimtar për Lenjanin bëri xhiron e botës. Goli i tij në kohën shtesë ndaj kundërshtarit të njëjtë po ashtu mbetet prej pikave kulmore të karrierës së tij në fanellën e Sionit. I gjithë Sioni falënderon Bastienin për profesionalizmin e tij, disponimin e mirë dhe i dëshiron sukses në të ardhmen. Ai gjithnjë do të jetë pjesë e familjes sonë”, ka shkruar Sioni.

Toma te Sioni i ka kaluar të gjitha grupmoshat. Në edicionin 2016/17 depërtoi në ekipin e dytë. Prej edicionit 2017/18 ka luajtur në ekipin e parë, në Superligë. Në edicionin e parë luajti 21 ndeshje, më pas 32 ndeshje dhe në edicionin e fundit 27 ndeshje.

Tani ka kaluar te një skuadër me pretendime të mëdha në Belgjikë. Por kampionati belg pritet të jetë vetëm stacion për Tomën, që së shpejti shpresohet të kalojë në top-ligat evropiane.

“Ekspertët e faqes zyrtare të SFL-së (ligës zvicerane v.j.) nuk ishin gabim kur zgjodhën Tomën si një prej talenteve që duhet përcjellë në edicionin 2020/2021. Mesfushori i talentuar qartë se do të ofrojë momente të mëdha atje. Ekspertët kanë shkruar se ai ka teknikë të mirë, është gjithnjë në lëvizje dhe pamje të mirë për lojën. Që në edicionin 2018/19 ai ka dëshmuar se ka sy të shkëlqyeshëm. Pasimi pa shikuar për golin e Ermir Lenjanit në ndeshjen ndaj Xamaxit e la gjithë mbrojtjen kundërshtare në habi. Video ishte shpërndarë shumë në rrjetet sociale. Mund të vini bast se Toma do të ofrojë momente të tilla edhe në edicionin e ri”, ka shkruar faqja zyrtare e Ligës së Zvicrës.

Klube të ndryshme nga shtete të tjera evropiane ishin të interesuara për Bastien Tomën. Atë shpreson ta ketë në radhët e veta edhe Kosova.

Toma pas 12 vjetësh te Sioni ka vendosur për të ngritur veten në Belgjikë. Toma pritet të luajë rregullisht te Genku, skuadër që fitoi titullin në vitin 2019. Edicionin e ri e ka filluar qetë, por me Tomën në mesfushë, gjërat pritet të përmirësohen shpejt.

 
Der Zuckerpass von Bastien Toma

??⚽️ Mit diesem sensationellen Assist geht Sion-Youngster Bastien Toma viral. SPORTbible adelte die Aktion bereits als «Pass der Saison».

Posted by Blick Sport on Tuesday, October 9, 2018