Sport

Asnjë fitore për taekwondistët kosovarë në Botëror

Prej 29 majit deri të dielën në Baku të Azerbajxhanit është mbajtur Kampionati Botëror i taekwondos. Taekwondo është sport olimpik që po merr hapësirë gjithnjë e më të madhe në mesin e arteve marciale.

Në Botëror, sipas të dhënave zyrtare, garuan mbi 900 taekwondistë nga 144 shtete të ndryshme. Kosova mori pjesë me pesë garues, por që nuk arritën ndonjë sukses. Në fakt, asnjëri prej garuesve të Kosovës nuk arriti fitore në ngjarjen kryesore të vitit. U ndalën në luftërat e para.

Suleyman Vizdiklar garoi për Kosovën në kategorinë deri 54 kilogramë. Pësoi 2:0 (16:6, 14:2) nga Kurt Bryan Barbosa i Filipineve.

Denis Bllaca garoi në kategorinë deri 58 kilogramë. Humbi 2:0 (9:3, 8:1) nga kinezi Kai Cheng.

Arnis Agushi u përball me danezin Tobias Hyttel në kategorinë deri 63 kilogramë. Humbi 2:0 (10:7, 10:6), por me rezultat më të përafërt. Hyttel arriti deri në çerekfinale.

Në kategorinë deri 68 kg, Arbër Azemi e kishte përballë garuesin e Kolumbisë, David Paz. Kosovari humbi 2:0 (17:5, 8:0).

12:0 e 15:3 humbi Arbnor Bajra nga Boubacar Mangue i Nigerit në kategorinë deri 74 kg. Bajra ka fituar disa tituj të Belgjikës në të kaluarën, ndërsa ka disa vjet që garon për Kosovën.

Taekwondistët kosovarë ende po fitojnë përvojë në nivelin e lartë ndërkombëtar. Ky sport vlerësohet se po rritet edhe në Kosovë, ndonëse ndarja e komunitetit të taekwondos për shumë vjet e ka dëmtuar këtë disiplinë luftarake.

Në Botëror, Koreja e Jugut e Turqia i kanë fituar nga tri medalje të arta. Kroacia ka siguruar gjashtë medalje, prej tyre dy të arta. Dy të arta i ka edhe Franca, ndërsa Britania e Madhe, Hungaria e Italia kanë nga një të artë. Një të artë ka fituar edhe një garues i Rusisë, që garon si i pavarur.

Ky ishte Botërori i 26-të i taekwondos.

Në vitet 1988 e 1992 takewondo ishte sport demonstrues në Lojërat Olimpike. Në programin olimpik si sport garues u përfshi në vitin 2000. Prej atëherë është vazhdimisht sport olimpik, ndërsa do të jetë edhe në Parisi 2024.