Sport

Atletët e Kosovës larg pozitave të para në Lojërat Evropiane, Shqipëria dukshëm më mirë

Shumë atletë të Kosovës kanë garuar të martën në Lojërat Evropiane, që zyrtarisht nisin të mërkurën me ceremoninë hapëse. Lojërat e treta Evropiane po mbahen në Krakow dhe Malopolska të Polonisë, ndërsa gara e atletikës llogaritet edhe Kampionat Ekipor Evropian në këtë sport. Kampionati Ekipor Evropian është i ndarë në tri divizione, ndërsa në divizionet dy e tre garat nisën të martën.

Kosova është në Divizionin e tretë dhe të paktën në ditën e parë nuk është shquar për ndonjë sukses.

E para që garoi ishte Arbesa Shala në hedhje të gjyles. Me distancë prej 9.57 metra, Arbesa u rendit e nënta në Divizionin 3. Fituese ishte një atlete e Gjeorgjisë me hedhje prej 15.86 metra. Arbesa Shala ka lënë prapa tri garuese, nga Maqedonia e Veriut, San Marino dhe Andorra.

Në vrapim 400 metra garoi Emine Jenuzi. U rendit e 13-ta gjithsej me kohë prej 59:31 sekonda. Prapa la dy garuese, nga Lihtenshtajni dhe San Marino. 51.55 sekonda ishte koha fituese e një atleteje nga Irlanda.

Në hedhje të diskut garoi Medina Kutleshi. Ajo ishte e dhjeta me hedhjen më të mirë prej 26.39 metra. Ishte hedhje dukshëm larg asaj fituese prej 57.17 metra. Pas atletes kosovare mbeten tri garuese nga vende si Armenia, Andorra e San Marino.

Në trehapësh garoi Erudit Rysha. Edhe ai ishte i dhjeti, ndërsa kërceu 13.06 metra. 16.36 metra ishte distanca fituese. Prapa Ryshës mbetën atletët nga Maqedonia e Veriut, San Marino, Mali i Zi dhe Andorra.

Granit Ahmeti ishte i 11-ti në vrapim 400 metra. Prapa la tre garues, nga Armenia, Gjeorgjia dhe Mali i Zi. Koha e Ahmetit ishte 49.92 sekonda, ndërsa koha fituese në Divizionin e tretë ishte 46.30 sekonda.

Ejona Shala ishte e 12-ta në vrapim 5000 metra. Koha e saj ishte 20:03.19 minuta. Prapa saj ishin dy garuese, nga San Marino dhe Gjeorgjia.

Fituese ishte Luiza Gega e Shqipërisë me kohë 15:32.39 minuta. Garuesja e Kosovës mbeti pesë minuta pas saj.

Astrit Kryeziu ishte i dhjeti në 800 metra. Koha prej 1:57.44 minuta i mjaftoi për të lënë prapa katër garues, nga Maqedonia e Veriut, San Marino, Mali i Zi dhe Azerbajxhani.

Në 3000 metra me pengesa, Genc Isufi ishte i parafundit (12). Prapa la një atlet nga San Marino. 11:41.27 minuta ishte koha e Isufit. Koha fituese ishte 8:48 minuta.

Sara Susuri ishte më e suksesshmja në ditën e parë. Ajo garoi në 100 metra vrapim dhe u rendit e pesta. Kishte kohë prej 12.03 sekonda, që është evidentuar si rekord nacional. Koha fituese ishte 11.57 sekonda. 14 garuese ishin gjithsej në 100 metra. Atletja prizrenase, Susuri, e fitoi baterinë e saj. Madje ishte bindëse.

Te atletët, në 100 metra garoi Leon Thaqi. Ai u rendit i 12-ti me kohë prej 11.46 sekonda. Prapa e la një armen, ndërsa një izraelit u diskualifikua. Koha fituese ishte 10:36 sekonda.

Dukshëm më të suksesshëm ishin atletët e Shqipërisë. Pos Luiza Gegës vend të parë kishte edhe Franko Burraj në 400 metra vrapim. Vetëm Sara Susuri prej atletëve të Kosovës ka lënë prapa atletët nga Shqipëria. Në të gjitha disiplinat tjera, ku kishte garues, Shqipëria ishte para.

Pas ditës së parë të garave, Kosova renditet e 14-ta në Divizionin tre, përkatësisht e parafundit. I ka 56 pikë. Lihenshtajni është i fundit me 13 pike. Shqipëria renditet e teta me 80 pikë. Austria është e para me 159 pikë.

Atletët garojnë edhe të mërkurën e të enjten. Më shumë sukses pritet në dy ditët e ardhshme.

Image