Dyshimet se Ligji për sponsorizime në sport është duke u keqpërdorur morën “mbështetje” të fuqishme të mërkurën. Në një konferencë për shtyp, që e mbajti Zyra Kombëtare e Auditimit, janë prezantuar vërejtje të shumta lidhur me Ligjin për sponsorizimin në sport, si dhe procesin me të cilin realizohet sponsorizimi. Në konferencë ka folur drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca.
Në fakt KOHA ka shkruar vazhdimisht lidhur me dyshimet se paratë që ndahen në bazë të këtij ligji nuk përfundojnë në adresën e duhur, përkatësisht te sportisti kosovar. Ka dyshime për marrëveshje të paligjshme mes personave në kompanitë që ndajnë mjete në bazë të ligjit dhe personave në klube sportive, që u mundësojnë atyre përfitime të shumta e të paligjshme.
Auditimi i bërë ka konfirmuar se ka keqpërdorime.
“Konkluzioni i auditimit është se aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private për sportin nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen siç duhet. MKRS-ja nuk ka arritur të miratojë strategjinë për zhvillimin e sportit, praktikat me të cilat vepron MKRS-ja për subvencionimin dhe lejimin e sponsorizimeve të kompanive private për organizatat sportive nuk ofrojnë qëllime të qarta për shfrytëzimin e fondeve. Kanë munguar mbikëqyrja dhe monitorimi i proceseve të sponsorizimit të sportit nga ana e MKRS-së dhe Administratës Tatimore të Kosovës, me gjithë kërkesat ligjore që rregullon Ligji për sponsorizim”, ka thënë Spanca në konferencë për shtyp.
Ndonëse janë ndarë miliona euro në bazë të këtij ligji, auditori ka konkluduar se “ekziston një mungesë e dukshme e dëshmive që vërtetojnë se kontributet financiare në mënyrë efektive kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë”.
Nuk ka dëshmi që sigurojnë se fondet janë shpenzuar, përkatësisht që aktivitetet janë realizuar në terren ashtu siç ishin planifikuar. MKRS-ja prej vitit 2020 deri në vitin 2022 nuk ka bërë asnjë monitorim dhe kjo ka lënë hapësirë për dyshime lidhur me përdorimin e efektshëm të mjeteve.
Auditori ka gjetur edhe shkelje direkte, pos që ka konkluduar që fondet nga sponsorizimi nuk kanë arritur qëllimet për ngritje të cilësisë së sportit në vend.
“Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private kanë rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare te klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit. Përveç kësaj, klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi 1 milion euro nga kompanitë private e për të cilat nuk kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga ana e MKRS-së”, ka thënë drejtoresha e zyrës kombëtare të auditimit.
Pra 490 mijë euro nuk kanë përfunduar te sportistët vetëm nga mostrat e testuara. Kështu që shifra që mund të jetë deklaruar se përfundon në sport e ka përfunduar diku tjetër, mund të jetë shumë më e madhe.
Auditori ka vlerësuar se nuk ka koordinim mes MKRS-së dhe Administratës Tatimore dhe kjo pamundëson kontrollin e duhur.
Ligji për sponsorizime është burimi kryesor financiar në sportin kosovar momentalisht. Vjet në bazë të këtij ligji janë ndarë për sport plot 15 milionë euro. Në vitin 2022 shifra ishte 11 milionë. Por një hise e mirë e këtyre mjeteve ka dyshime se nuk përfundojnë për zhvillimin e sportit, por në xhepa të përfituesve të ndryshëm.
Bashkëpunimi i kompanive që financojnë me drejtues klubesh e në raste edhe federatave, mundëson keqpërdorimin.
Ka plot raste interesante në listën e klubeve që kanë përfituar vjet nga sponsorizimi.
Më së shumti kanë përfituar klubet e basketbollit. Peja vjet i përfitoi 1.3 milionë euro, ndërsa Trepça e Prishtina nga mbi 1.1 milionë euro.
Vjet ishin lëshuar plot 1.519 vërtetime për realizim të sponsorizimeve në sport. Shumica e parave kanë përfunduar në klube të futbollit e basketbollit.
Prej futbollit, Ballkani i përfitoi mbi 1 milion euro, ndërsa Prishtina 781 mijë euro. Ka klube që janë formuar vetëm një vit më parë e që kanë përfituar mbi 300 mijë euro. Dhe kjo sjell dyshime edhe më të mëdha.
Në volejboll një klub kishte përfituar 262 mijë euro, ndërsa në hendboll një klub i kategorisë së dytë të femrave kishte të hyra prej plot 154 mijë euro. Natyrisht nga sponsorizimi.
Lista vazhdon me të tjera të dhëna interesante. Një klub skijimi kishte përfituar vjet 166 mijë euro, ndërsa një klub i arteve marciale 90 mijë euro.
MKRS-ja e ka paraqitur me mburrje rritjen e shifrës së milionave që nga sponsorizimi ka përfunduar në sport. Apo që është dashur të përfundojë në sport.