Boksieri kosovar, Musa Avdimetaj, ka zgjedhur palestrën e Haxhi Krasniqit për t’u përgatitur për meçin më të madh në karrierë. Krasniqi është kampion i botës në boksin profesionist, ndërsa suksese kulmore synon edhe Avdimetaj, 24-vjeçari me prejardhje nga Deçani.
Tashmë është firmosur marrëveshja për një meç të Avdimetajt me boksierin shumë të njohur në Gjermani, Felix Sturm. Sturm, 42-vjeçar, është me prejardhje nga Bosnja dhe emrin e vërtetë e ka Adnan Çatiq. Ndërkohë, Avdimetaj në Gjermani dhe në boksin profesionist njihet me emrin James Kraft.
Meçi i kategorisë gjysmë të rëndë pritet të zhvillohet në sallën e kompanisë së njohur “Universum” në Hamburg. Të dy boksierët janë pjesë e kompanisë promovuese “Universum”.
Por, Avdimetaj ka zgjedhur që për meçin më të madh në karrierë të përgatitet në kampin e Krasniqit, me trajnerin Magomed Schaburow. Palestra moderne e Krasniqit, e destinuar sidomos për boks, është në Augsburg të Gjermanisë.
Meçi Sturm – Kraft në Gjermani është vlerësuar si betejë gjeneratash. Sturm ka pasur suksese të mëdha në boksin profesionist. Ka mbajtur tituj të botës, ndërsa bilanci i tij është 41 fitore, pesë humbje e tri barazime. Ai e kishte ndërprerë boksin në shkurt të vitit 2016, por ishte kthyer me sukses më 19 dhjetor të vitit të kaluar kur e mposhti Timo Rostin.
Avdimetaj ka bilanc prej 19 fitoresh e një barazimi deri më tani. Dhjetë prej fitoreve i ka arritur me ndërprerje. Karrierën e zhvillon së bashku me vëllain, Safet Avdimetaj.
“Ka rreth një javë që jam duke ushtruar në palestrën e Haxhi Krasniqit. Po ushtroj me Haxhiun, trajnerin Schaburow, vëllain e Haxhiut dhe vëllain tim. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë”, ka thënë Avdimetaj për KOHËN.
Ai ka respekt për Sturmin dhe karrierën e tij, por është i bindur në fitore.
“Duhet të respektojmë karrierën e Sturmit. Pesë herë ishte kampion i botës në boksin profesionist. Por, unë jam i sigurt në sukses. E kam një ekip shumë të mirë pranë vetes. Përmes meçit me Sturmin, do ta rris shumë emrin tim në boks. Për këtë jam i sigurt”, ka shtuar boksieri kosovar.
Avdimetaj thotë se meçin e zhvillon për Kosovën. Do të dala në ring me muzikë shqipe, ndërsa premton se do ta mbajë edhe flamurin e Kosovës.
“Është meç shumë i madh. Po përmendet mundësia që fituesi të luftojë për titull të botës. Të shohim nëse do të ndodhë kjo. Por, sigurisht që me fitore do të më hapen shumë dyer të boksit profesionist”.
Edhe Sturm e vlerëson meçin e qershorit. Ai pret fitore të radhës që të jetë sërish kandidat për titull të botës.
“James Kraft është i pamposhtur dhe kundërshtar serioz. Po shikoj përpara për këtë luftë”, ka thënë Felix Sturm.