Sport

Bajselmanit i humb mundësia që të luajë për Kosovën U-21

Të premten u përfshi në listën e Kosovës U-21, ndërsa të shtunën pësoi lëndim në stërvitje. Destan Bajselmani, që ka shpresuar të debutojë te Shpresat e Kosovës, më nuk do të ketë mundësi të luajë me këtë grupmoshë, të paktën në ndeshje zyrtare.

Bajselamani, që bën karrierë në Holandë, është i vetëdijshëm që i ka humbur mundësia e fundit të luajë për Kosovën U-21. Ai tani shpreson të marrë ftesë nga përfaqësuesja A.

Bajselmani është pjesë e skuadrës PEC Zwolle. Është 21-vjeçar dhe për shkak të moshës më nuk do të jetë në dispozicion të Shpresave të Kosovës. Lojtarët e lindur më 1 janar 1998 apo më vonë janë në dispozicion për këtë cikël eliminator për Euro 2021. Për ciklin e ardhshëm, atë për Evropianin 2023, të drejtën e paraqitjes do ta kenë lojtarët e lindur më 1 janar 2000 apo më vonë. Bajselmani është i lindur në maj të vitit 1999 dhe nuk do ta ketë të drejtën e paraqitjes.

Ai është ftuar nga Rafet Prekazi për ndeshjet me Shqipërinë (13 nëntor, Prishtinë) dhe atë me Turqinë (17 nëntor, Samsun). Janë këto ndeshjet e fundit të Kosovës U-21 në eliminatoret e Euro 2021.

“Sot e kam pasur fluturimin për në Kosovë, por nuk kam udhëtuar. Të shtunën në stërvitje, duke vrapuar kam pësuar lëndim të ijës. Të hënën e kam kontrollimin mjekësor për të parë se sa do të mungojë. Shpresoj të kthehem shpejt. Sa i takon përfaqësueses U-21 më nuk kam të drejtë loje. Pra për shkak të lëndimit më ka humbur rasti që të luaj për U-21 të Kosovës. Shpresoj të marr ftesë në të ardhmen nga Kosova A”, ka thënë Destan Bajselmani të dielën për KOHËN.

Ai është në kërkim të stabilizimit te PEC Zwolle që garon në Eredivisie të Holandës. Ka luajtur në tri prej tetë ndeshjeve të këtij edicioni. Fitoi rastin pasi u lëndua një lojtar titullar dhe mbeti në stol pas kthimit të tij.

Edhe në edicionin e kaluar, mbrojtësi kosovar i krahut të djathtë luajti tri ndeshje në kampionatin holandez. Më shumë ndeshje ka për U-21 e U-19 të Zwolles.

“I kënaqur jam me tri paraqitjet e këtij edicioni. Jam ende i ri dhe duhet të kem durime. E di që mundem edhe më shumë. Ekipi është i mirë për Holandë, por kemi lëshuar pikë të rëndësishme”, ka shtuar Bajselmani.

Ai për herë të parë është ftuar nga Kosova. Kohë më parë e kishin ftuar edhe Shpresat e Shqipërisë.

“Vendimi ishte i lehtë. Unë e kam familjen nga Kosova. Unë jam i lindur në Holandë, por familja ime është nga Suhareka e nga Skenderaj. Kosovën nuk e kam përcjellë shumë, por e di që ka pasur ndeshje të mira. Prej lojtarëve i njoh Rashicën e Zenelin që kanë luajtur në Holandë”, ka theksuar mbrojtësi i krahut të djathtë.

Bajselmani ka mësuar futbollin në Akademinë e Twentes kurse prej vitit 2015 është te Zwolle. Ai kishte nisur si sulmues i krahut të djathtë, por ndërkohë është kthyer në mbrojtës të djathtë dhe po vazhdon në këtë pozitë.

Bajselmani ishte një prej shtatë lojtarëve të ftuar për herë të parë te Kosova U-21. Ndonjë prej tyre mund të luaj vetëm këto dy ndeshje dhe të “përfundoi” karrierën me Shpresat. E ndonjë mund ta përfundojë karrierën me Shpresat pa debutuar fare. Ashtu si Bajselmani.