Suksesin historik të edicionit të shkuar në garat evropiane, kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, është i bindur se do ta përsërisë edhe këtë edicion. Ballkani, u bë ekipi i parë nga Kosova që u paraqit në fazën e grupeve në njërën prej tri garave të UEFA-s. Luajti në fazën grupore të Ligës së Konferencës, në të cilën po synon të kualifikohet edhe për këtë edicion.
Pas eliminimit në rundin e parë të Ligës së Kampionëve këtë edicion nga Ludogoretsi i Bullgarisë, Ballkani garat i ka vazhduar në Ligën e Konferencës, që është niveli i tretë i garave të UEFA-s. Në duelin e parë të rundit të dytë kualifikues, Ballkani triumfoi 3:0 ndaj kampionit të Irlandës së Veriut, Larna. Me këtë fitore, Ballkani me një këmbë është në rundin e tretë kualifikues të kësaj gare, ku do të përballet me Lincolnin e Gjibraltarit.
Në fakt, nëse eliminon Larnan, atëherë Ballkani nuk është larg fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, vetëm dy runde përfshirë këtu edhe plejofin. Edhe edicionin e shkuar, Ballkani pati një rrugëtim të ngjashëm në Evropë. Pas eliminimit në rundin e parë kualifikues të Championsit, vazhdoi garat në Ligën e Konferencës për të eliminuar tre kundërshtarë dhe për ta shkruar historinë. Fitorja ndaj Larnas në Prishtinë, ka kthyer besimin te Ballkani që u zhgënjye pas eliminimit nga Ludogoretsi. E këtë e ka pranuar edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, të mërkurën për KOHËN. Thaqi shtoi se pas eliminimit të Larnas, synohet edhe eliminimi i Lincolnit për të arritur në prag të kualifikimit në fazën e grupeve – plejof.
“Në Champions jemi eliminuar nga një skuadër shumë e fortë si Ludogoretsi edhe pse pritshmëritë tona u rritën shumë se mund të kualifikoheshim në fazën e dytë të kësaj gare pas fitores në Prishtinë. Në fakt, arritëm në një pikë ku shpresonim diçka më shumë, por mes shumë faktorëve që ndikuan në ndeshjen e dytë u eliminuam dhe patëm një zhgënjim të madh për shkak se humbi vlera e madhe e asaj fitoreje në Prishtinë. Mirëpo, kjo ndodhi dhe nuk mund ta kthenim pas, kështu që me fitoren ndaj Larnas, sadopak e kemi kthyer besimin dhe tani na pret një punë e madhe për të arritur të paktën deri në plejof dhe pastaj nuk dihet se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Thaqi.
Edhe pse ka epërsi bindëse pas ndeshjes së parë, Ballkani do të udhëtojë drejt Irlandës së Veriut për ta fituar edhe duelin e dytë ndaj Larnas. Thaqi ka insistuar se me dy fitore duan të konfirmojnë synimet që i kanë edhe këtë edicion në garat evropiane.
“E kemi përfunduar vetëm ndeshje e parë dhe e kemi të dytën në udhëtim. Normalisht, që kemi një rezultat të favorshëm, por ne duam që këtë rund ta kalojmë me fitore edhe në ndeshjen e dytë. Pra, ky është synimi ynë me të cilin do të udhëtojmë drejt Irlandës së Veriut”, është shprehur Thaqi.
Thaqi ka pranuar se shorti i Ballkanit për të arritur deri në plejofin e Ligës së Konferencës mund të duket i lehtë, por ka paralajmëruar se duhet të tregohen maksimalisht të kujdesshëm nëse duan ti afrohen kualifikimit në fazën e grupeve. Sipas tij, Ballkani llogaritet favorit edhe ndaj Lincolnit në rundin e tretë, nëse konfirmon avancimin nga rundi i dytë përball Larnas.
“Duke e parë shortin, mund të them se duket i lehtë në letër, por assesi edhe në fushë, për shkak se përvoja na ka dëshmuar se në fushë mund të zhgënjehemi. Andaj, duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm dhe të respektojmë kundërshtarët. Jemi favorit por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë për të arritur deri te plejofi, e sigurisht edhe kualifikimi në grupet e Ligës së Konferencës”, ka shtuar Thaqi. “Në fund, mund të them se jam tepër krenar që jam pjesë e një ekipi si Ballkani që ka një kryesi e staf teknik të mrekullueshëm, pasi edhe më të tjerët jemi pjesë e këtij projekti të këtyre sukseseve historike”.
Ballkani në dy edicionet e fundit është shpallur kampion i Kosovës, ndërsa ky është edicioni i dytë që po paraqitet në garat evropiane. Krahas Ballkanit, këtë edicion në Evropë po paraqiten edhe Drita e Dukagjini, skuadra që do të luajnë të enjten ndeshjet e para në kuadër të rundit të dytë kualifikues. Ndërkohë, skuadra e Gjilanit është eliminuar në rundin e parë kualifikues të kësaj gare.