Sport

Beqiragiqi i befasuar nga seria e Yllit, synon ta mbajë pozitën e parë deri në plejof

Golden Eagle Ylli për herë të parë është bërë lider i Superligës së Kosovës në basketboll në këtë edicion. Kampionit në fuqi i janë nevojitur 18 xhiro për ta “rrëmbyer” pozitën e parë, të cilën deri më tani e kanë mbajtur Peja dhe Sigal Prishtina.

Ylli i Suharekës ka marrë kreun në elitën e basketbollit kosovar pas një ecurie pozitive, e cila nisi prej xhiros së pestë. Pasi i humbi katër ndeshjet e para, Ylli është kthyer fuqishëm me një seri prej 14 fitoreve, e cila i ka mundësuar të jetë në krye të tabelës me 32 pikë.

14 fitoret rresht e kanë befasuar edhe trajnerin Adis Beqiragiq, i cili në ndeshjet e para që i humbi Ylli nuk ishte me skuadrën për shkak të Eurobasketit, në të cilin e udhëhoqi Bosnjë-Hercegovinën.

“Nuk e kam pritur sinqerisht këtë seri, pasi liga është shumë e fortë dhe çdo ndeshje është e vështirë. Ia dolëm të kalojmë në krye të tabelës për herë të parë edhe pse kjo nuk do të thotë asgjë për shkak se më e rëndësishme është që të jemi të mirë në plejof”, ka thënë Beqiragiq të premten për KOHËN.

Pasi është ngjitur në pozitën e parë, Beqiragiq pranon se synimi i Yllit është ta mbajë kreun deri në fund të pjesës së rregullt të kampionatit. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që Ylli në garat e plejofit të startojë nga pozita e parë apo eventualisht e dyta, pasi do t’i evitonte ndeshjet çerekfinale. Trajneri boshnjak ka thënë se për këto dy pozita Ylli ka konkurrencë të fortë nga Peja dhe Prishtina.

“Synimi është të jemi në mesin e dy ekipeve të para në fund të pjesës së rregullt dhe t’u ikim dueleve çerekfinale në plejof. Por nuk do të jetë aspak e lehtë të sigurojmë ndonjërën prej tyre. E them këtë për shkak se për dy vendet e para kemi konkurrencë të fortë nga Peja dhe Prishtina. Mirëpo, do të përpiqemi të qëndrojmë këtu duke bërë paraqitje të mira deri në fund”, u shpreh Beqiragiq.

Edhe pse Ylli është në seri pozitive, Beqiragiq thotë se po punon për ta përmirësuar ende ekipin. Thekson se të gjithë kundërshtarët janë cilësorë dhe mund të befasojnë. Ai ka treguar se Ylli do të bëjë edhe një përforcim në mënyrë që të jetë më i kompletuar për pjesën e fundit të këtij edicioni.

“Sigurisht na pret edhe shumë punë dhe po punoj që ekipi të paraqitet sa më mirë nga ndeshja në ndeshje. Duam që të jemi sa më të gatshëm për fundin e sezonit dhe këtë lojtarët e kanë pranuar, pasi po angazhohen maksimalisht si në stërvitje ashtu edhe ndeshje”, u shpreh trajneri kampion. “Por i kemi dy mungesa në pozita të caktuara dhe për këtë arsye duhet të marrim një lojtar për ta zgjidhur këtë problem. Kemi telashe me Gëzim Morinën që është vazhdimisht i lënduar dhe me Malcolm Armsetadin, po ashtu. Dhe, nëse vazhdojnë kështu, atëherë do të kemi probleme të mëdha në plejof”.

Beqiragiq nuk e ka fshehur synimin e tij për ta mbrojtur titullin e kampionit me Yllin. Në fakt, ai dëshiron të shpallet kampion për herën e tretë rresht me ekipin nga Suhareka. Shton se ky nuk do të jetë mision i lehtë duke pasur parasysh ekipet e tjera, si Prishtina, Trepça e Peja.

“Po, sigurisht që duam sërish të bëhemi kampion dhe për herën e tretë do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Ky edhe është synimi ynë, por Prishtina dhe Trepça kanë ekipe të mira së bashku me Pejën, ndërsa edhe ekipet e tjera mund të bëjnë befasi përgjatë rrugës. Në fakt, Prishtina dhe Trepça kanë ekipet më të forta në Superligë dhe mbrojtja e titullit do të jetë shumë e vështirë nga ana jonë, por nuk do të dorëzohemi deri në fund”.

Skuadra e Yllit ndeshjen e radhës në Superligën e Kosovës e luan të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Prej orës 19:00 përballet me Vëllaznimin e Gjakovës.