Është bërë sfidë zhvillimi i ndeshjeve të Kupave Evropiane në sportet kolektive për shkak të situatës me koronavirus. Numri i rasteve me COVID-19 vazhdon të jetë shumë i madh në kontinentin e vjetër, ndërsa edhe kufizimet në udhëtim kanë ndikim.
Por garat në Kupat Evropiane megjithatë po vazhdojnë. Po vazhdon edhe garimi i skuadrave kosovare të hendbollit, që për dallim nga skuadra të vendeve të tjera, nuk kanë hequr dorë nga garimi.
Këtë fundjavë në Kosovë luhen katër ndeshje të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale. Kampionia te hendbollistët, Besa Famgas, e pret në Pejë skuadrën boshnjake, Bosna Visoko. Ndeshjet i takojnë raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Besa Famgas, që dominon garat vendore, ka pretendime për të shkuar larg në Kupën Evropiane. Ka formuar skuadër të fortë, që drejtohet nga spanjolli Javier Cabanas. Bosna Visoko është në krizë të rezultateve në kampionatin boshnjak, ndërsa është pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë në Pejë. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 16:00, kurse e dyta të dielën nga ora 15:00.
“Nisim garimin evropian me mendje për të kaluar në raundin e tretë. Kemi pritje të mëdha. Do të jetë vështirë pasi Bosna Visoko është ekip i mirë. Por i luajmë dy ndeshjet në shtëpi dhe kjo duhet të jetë përparësi për ne. Nëse mbrohemi mirë dhe mund të vrapojmë në kundërsulm, besoj se mund të fitojmë”, ka thënë trajneri i Besës, Javier Cabanas, që është legjendë e hendbollit në Spanjë.
Bosna Vispak të hënën ka rifilluar stërvitjet pas izolimit për shkak të koronavirusit.
“Marrë parasysh që nuk ka shikues në këto ndeshje, kemi vendosur të pranojmë që dy ndeshjet t’i luajmë në Kosovë. Duhet të theksojmë se këtë e pranuam edhe për shkak të problemeve të shumta administrative lidhur me vizat për ekipin kosovar. Edhe ne kemi pasur probleme të shumta me viza, por për fatin tonë dhe me ndihmën e Besa Famgas, në fund megjithatë i morëm vizat”, ka njoftuar Bosna Visoko. Te ekipi boshnjak kanë pranuar se ndaj Besës do të jetë shumë vështirë. Pjesë e ekipit pejan është legjenda e hendbollit boshnjak, Nikola Prce.
Dy ndeshje në shtëpi i luan edhe KHF Istogu, që edicionin e kaluar mbeti pa trofe. Istogaset në raundin e dytë të Kupës Evropiane e eliminuan Vushtrrinë, ndërsa tani e kanë përballë skuadrën nga Bjellorusia, Victoria-Berestie. Ndeshja e parë luhet të shtunën nga ora 18:30, kurse e dyta të dielën nga ora 18:00. Dy ndeshjet luhen në Istog.
“Skuadra e Istogut është e mobilizuar maksimalisht për këto dy ndeshje të rëndësishme që përcaktojnë skuadrën që do të jetë pjesë e 1/8 së finales të Kupës Evropiane. Skuadra është në formë të mirë dhe e përgatitur fizikisht për këto ndeshje. Skuadra jonë është e gatshme për të dhënë maksimumin ndaj kundërshtarit shumë të fortë, që vjen nga kampionati bjellorus, i njohur për cilësinë që ka. Victoria-Berestie po dominon në kampionatin e Bjellorusisë këtë vit dhe ndoshta është kundërshtari më i fortë që kemi pasur përballë deri më tani. Por hendbollistet e mia kanë kualitetin e duhur që t’i zhvillojnë dy ndeshje të mëdha. Me pak fat, që shpresojmë të jetë me ne, kalojmë tutje. Fakti që dy ndeshjet i luajmë në Istog na bën më të fortë dhe më të motivuar. Gjithë këto vite jemi angazhuar për të rrisim emrin e qytetit tonë. Tani që luajmë në qytetin tonë do të kemi edhe më shumë motiv e besim”, thotë Faruk Shala, trajner i Istogut.

Nga kjo garë pos Vushtrrisë është eliminuar edhe KHF Ferizaj, që pësoi dy humbje të thella në Turqi nga Muratpasha, javën e kaluar.
Ndërkohë Prishtina (meshkujt) ka avancuar në raundin e tretë të Kupës Evropiane pa lojë. Skuadra bullgare, Dobrudja, hoqi dorë nga gara, ndonëse fillimisht ishte pajtuar të luante dy ndeshjet në Kosovë.
Te hendbollistët janë anuluar plot nëntë përballje mes skuadrave, në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Ndërsa te hendbollistet në raundin e tretë të Kupës Evropiane janë anuluar pesë përballje.