Sport

Blesa, amerikani që synon suksesin në futbollin kosovar

Në ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Prishtinës, sulmuesi amerikan, Jalen Blesa, ka pasur paraqitje ëndrrash. Ai shënoi dy gola dhe bëri një asistim për ta ndihmuar Prishtinën që të avancojë në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Prishtina e eliminoi Dukagjinin me rezultatin 3:1, ndërsa Blesa shkëlqeu me fanellën bardhekaltër.

Dy gola e një asistim amerikani i realizoi për 68 minuta të kaluara në fushë, për t’u bërë debutuesi i dytë më i mirë te Prishtina.

Në një intervistë për KOHËN, Blesa ka pranuar se ky ishte starti më i mirë në karrierën e tij. Ai ka thënë se ka pritur të ketë paraqitje të mirë në ndeshjen e parë zyrtare me Prishtinën, por jo të realizojë dy gola dhe të bëjë një asistim.

“Po, mund të them se është starti më i mirë i mundshëm për mua. Dy gola, një asistim në fitoren ndaj Dukagjinit dhe atë me fanellën e klubit më të madh në Kosovë është përrallore. Kam pritur të bëjë një debutim të mirë, por të shënojë dy gola dhe të bëjë edhe një asistim ishte përtej parashikimeve të mia”, ka thënë Blesa.

Shënimi i golave për sulmuesin 22-vjeçar nuk është i pazakontë. Ai te Prishtina është transferuar për të shënuar gola pas formës së mirë që e ka treguar te skuadra e Rahovecit në Ligën e Parë të Kosovës.

Blesa para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Rahovecit, ndërsa stinorin vjeshtor e ka përfunduar me dhjetë gola në 12 paraqitje.

“Nuk kam pasur shumë njohuri për Kosovën, por pranova ofertën e Rahovecit. Pas paraqitjeve të mira në Ligën e Parë, mora oferta të shumta nga Superliga dhe pastaj zgjodha Prishtinën. Te Rahoveci u transferova me idenë për të luajtur mirë dhe për ta ndihmuar ekipin në Ligën e Parë, pasi e dija se nëse do të shënojë gola do të mund të siguroja një lëvizje të shpejtë në Superligë dhe ia arrita qëllimit”, thekson amerikani.

Blesa po ndihet mirë në Kosovë, ndërsa thekson se si në Rahovec, ashtu edhe në Prishtinë është pritur shumë mirë. Ai ndihet krenar që është pjesë e Prishtinës, ekip me të cilin ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025.

Synimet me Prishtinën futbollisti amerikan i ka të mëdha. Dëshiron trofe.

“Synimi im është që me gola të shënuar ta ndihmojë ekipin të fitojë sa më shumë ndeshje dhe të fitojë trofe këtë edicion pasi është 100-vjetori i klubit. Shpresoj ta festojmë me trofe dhe me dalje në garat evropiane. Mund të fitojmë trofe, pasi kemi ekip të mirë dhe lojtarë shumë cilësorë”, u shpreh Blesa.

Amerikani e ka parasysh se Superliga është më cilësore se Liga e Parë dhe se kundërshtarët janë dukshëm më të fortë. Por insiston se do të jetë i gatshëm për ndeshjet në elite. Premton edhe më shumë gola e asistime.

“Pres kundërshtarë më të fortë sesa në Ligën e Parë, por do të jem i gatshëm edhe për këto përballje. Premtoj gola dhe asistime, pra ta ndihmoj ekipin ta fitojë secilën ndeshje”, insistoi Blesa.

Rrugëtimi i Blesas në futboll ka nisur në Spanjë, në qytetin e Barcelonës. Pas disa vjetësh në Spanjë, ai është zhvendosur në Angli, ka luajtur nëpër rangje të ulëta, përpara se të vijë në Kosovë.

Në Angli, Blesa ka luajtur tek ekipi Arlesey Town.

“Në Spanjë jam i lindur dhe kam filluar me futboll. Pastaj pas disa vjetësh u zhvendosa në Angli për të luajtur, përpara se agjenti im të më sigurojë transferimin në Kosovë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e futbollit kosovar, pasi mund të zhvillohem edhe më tej si futbollist”, thotë Blesa.

Kosova është e mbushur me lojtarë amerikanë, por në basketboll. Blesa si rrallë ndonjë amerikan tjetër synon suksesin në futboll.