Sport

Braha premton ta kthejë boksin mitrovicas në rrugën e sukseseve

Sefedin Braha ka qenë bashkëpunëtor i Lah Nimanit në klubin e boksit “Prishtina”, kur ky klub arriti sukseset më të mëdha në histori. Braha ka punuar me gjeneratën e artë të Prishtinës, klub në të cilin ishte prej vitit 1978 e deri në vitin 1989. Prej vitit 1992 e deri para disa muajve, ai ka punuar si trajner i boksit në Gjermani, ku ka udhëhequr emra të njohur të ringut. Braha ka një jetë në boks dhe në punën me të rinj që synojnë të bëjnë karrierë në këtë sport të vështirë.

Përvojën shumë të gjatë e të suksesshme në boks Sefedin Braha tani e ka vënë në shërbim të sportistëve mitrovicas. Ai dy muaj më parë e ka hapur klubin e boksit në Mitrovicë, që quhet “Trepça”. Është njëri prej tri klubeve të boksit në qytetin e minatorëve. Aktualisht boksierët e Trepçës ushtrojnë në një sallë të vogël në objektin multi-sportiv “Omnisport”. Salla duket e pajisur mirë, ndërsa Braha tregon se për të gjitha është kujdesur vetë.

Vendimi për t’u kthyer nga Gjermania nuk ishte i vështirë për Brahën. Ai thotë se edhe në Bayern kishte formuar një klub shumë të suksesshëm, porse erdhi koha për diçka të re.

“Vendosa të kthehem që ta kthej primatin e boksit, i cili veçse ka filluar. Ashtu si pata filluar atëherë, edhe tash kam filluar. Dua të konsolidoj ekipin dhe në fund të shkurtit apo në fillim të marsit e kam në plan ta organizoj një manifestim. Edhe pse është shumë vështirë, besoj se do t’ia arrij. Dua ta zgjeroj sallën, ta bëj për profesionalizëm dhe amatorizëm”, thotë Sefedin Braha, një prej emrave të respektuar të boksit kosovar.

Në stërvitjen e paradites, të hënën, kur ekipi i KOHËS bëri vizitën, kishte pak boksierë. Por, Braha tregon se pasdite salla është e mbushur me boksierë. Ai mban stërvitje dy herë në ditë, ndërsa jep maksimumin gjatë tyre.

Braha pranon se niveli i boksit në Kosovë ka rënë. Thotë se e rëndësishme është shprehia e punës, që me raste mungon.

“Me angazhimin e trajnerëve dhe vullnetin e boksierëve nuk do të mungojnë kurrë rezultatet. Aspiratat e mia janë që këta boksierë të arrijnë suksese ndërkombëtare. Me një sponsor do t’i tuboj të gjithë boksierët më të mirë nga Kosova për t’i përgatitur. Unë vetëm dua t’u ndihmoj atyre”, ka theksuar Braha.

Ai pranon se boksit të Kosovës i duhet një reformim për t’u kthyer te sukseset. Talentin për boks te të rinjtë kosovarë nuk e konteston.

“Ka boksierë që veçse kanë ngritur cilësinë dhe janë të gatshëm të ballafaqohen në arenën ndërkombëtare. Angazhimi dhe përgatitja nuk po mungojnë dhe kjo është e rëndësishme. Talentet do të dalin në sipërfaqe, sukseset nuk do të mungojnë dhe për këtë garantoj personalisht”.

Trajneri mitrovicas është i bindur se boksierët e Trepçës shpejt do të kenë suksese në skenën vendore dhe atë ndërkombëtare. Thotë se gjashtë prej tyre janë të gatshëm tashmë. Te Trepça ushtrojnë 16 boksierë, por kërkesa për një vend në ekip, sipas Brahës, është dukshëm më e madhe.

Në Kosovë numri i klubeve po rritet, por numri i boksierëve cilësorë po shkon duke rënë. Këtë trend shpreson ta ndalojë Braha.