Hetimet e nisura një vit më parë, FIBA i përmbylli javën e kaluar me vendim për arbitrin kosovar të basketbollit, Daut Mehmeti. Mehmeti është përjashtuar përjetë nga basketbolli për kurdisje dhe bastvënie ilegale. Sipas vendimit të FIBA-s, Mehmeti ka kurdisur të paktën katër ndeshje në Ligën Ballkanike në basketboll. Mehmeti ka mohuar përfshirjen, ndërsa ka vlerësuar se FIBA e ka dënuar pa fakte dhe pa të drejtë. Ai ka paralajmëruar ankesë.
Por FIBA nuk është institucioni i vetëm që është marrë me Daut Mehmetin, që ka një vit që nuk drejton ndeshje basketbolli. Prej nëntorit të vitit të kaluar dosja e arbitrit prishtinas është edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Megjithatë, vendim të Prokurorisë nuk ka ende. Dosjen e Mehmetit në Prokurori e ka dërguar Federata e Basketbollit e Kosovës.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin nëntor të vitit 2022 ka pranuar kallëzim penal kundër personit me inicialet D.M., në drejtim të veprës penale ‘Kurdisja e ndeshjes ose e sportit’ dhe i njëjti është në proces”, ka njoftuar Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka konfirmuar se FBK-ja u është drejtuar organeve të vendit.
“Në momentin që kemi marrë raportin e parë që ka shprehur dyshime për përfshirjen e gjyqtarit Mehmeti në manipulime, ne i kemi njoftuar organet e reja”, ka thënë Fetahu për KOHËN.
Pos tri ndeshjeve për të cilat KOHA ka shkruar më herët, shumë e dyshimtë ishte edhe një ndeshje mes Ibarit dhe Sigal Prishtinës e zhvilluar në Rozhajë të Malit të Zi. Ajo është detektuar nga sistemi i “Sportradar”.
Bëhet fjalë për një ndeshje të zhvilluar më 18 janar të vitit të kaluar. Prishtina ishte duke udhëhequr 46:45 pas pjesës së parë, ndërsa pësoi 89:83 në fund. Në raportin e “Sportradar” shkruan se ka fakte të qarta që elemente të ndeshjes ishin të manipuluara me synim për të përfituar nga bastet. Nga bastet e vëna është vlerësuar se bastvënësit kishin fakte që Prishtina do të pësonte me të paktën gjashtë pikë dallim.
Prishtina e kishte fituar çerekun e parë me rezultat 25:19, ndërkohë që kishin nisur bastet shumë të dyshimta. Prishtina më pas kishte humbur çerekun e dytë, ndërsa në të tretin ishte kthyer duke fituar 22:20. Por në të fundit pësoi 24:15 dhe humbi ndeshjen me 89:83, ashtu si ishin vendosur shumica e basteve. Ognjen Jokiq i Malit të Zi ishte arbitri i parë, ndërsa ai ishte ndihmuar nga Daut Mehmeti e Elldin Uglari. Jokiq është i suspenduar nga FIBA për shkak se refuzoi të bashkëpunojë. Nuk përjashtohet mundësia që të dënohet më gjatë.
Jokiq e Mehmeti kanë drejtuar edhe tri ndeshjet tjera për të cilat u dënua arbitri kosovar. Njëra prej tyre ishte e Rahovecit.
Më 2 nëntor të vitit 2021, Prishtina e kishte mposhtur Ibarin me rezultat të lartë 110:85. Më pas humbi me gjashtë pikë në Rozhajë dhe kjo ngjalli dyshime.
Por kryetari i FBK-së mohon mundësinë e përfshirjes së lojtarëve apo skuadrave kosovare, në këtë rast Rahovecit e Sigal Prishtinës.
“Ne e kemi bërë analizën e të gjitha ndeshjeve në të cilat kanë qenë të përfshira klubet e Kosovës. Por nuk kemi ndonjë indicie apo ndonjë shtytje të mendojmë që veprimet e lojtarëve në fushë, apo trajnerëve të cilët e kanë drejtuar ndeshjen, i kanë dhënë kontribut shkuarjes së rezultatit në një drejtim apo tjetrin. Në realitet ka qenë më shumë ndikimi i atyre që është dashur ta ndajnë drejtësinë në terren”, ka thënë Arben Fetahu.
Është e qartë se ndeshjet e Ligës Ballkanike ishin pre e manipuluesve. Udhëheqësi i kësaj lige, Shay Shtriks, ka thënë se “BIBL nuk është duke diskutuar dhe nuk është i përfshirë në çështjet dhe vendimmarrjet e FIBA-s dhe FIBA Evropës”.
Kosova ka pasur prezencë të madhe në këtë ligë me skuadra e gjyqtarë.