Sport

E detyruan të largohej nga Kosova, Alvin Karaqi me përgjigje të veçantë

Ishte fillimi i janarit të vitit 2020 kur Alvin Karaqi përmes një letre konfirmonte se do të garonte sërish për Shqipërinë e jo më për Kosovën. Në shtator të vitit paraprak një lëvizje të tillë e kishte bërë Orges Arifi, ndërsa bashkë me Karaqin te Shqipëria nga Kosova kaloi edhe karateisti tjetër Blodin Pakashtica. Të tre shkruan një letër ku tregonin arsyet se pse po largoheshin nga Përfaqësuesja e Kosovës për të garuar për Shqipërinë.

“Në Kosovë ne i jemi nënshtruar një trajtimi tërësisht të urrejtjes dhe hakmarrjes primitive, që është tërësisht e pakuptueshme”, shkruante në letrën e tre karateistëve që atëbotë ishin pjesë e klubit prishtinas Ippon.

Alvin Karaqi, që tani jeton në Zvicër, të premten shkroi histori. Fitoi medalje të artë për Shqipërinë në Lojërat Evropiane. Ishte medalja e parë e Shqipërisë në Lojërat Evropiane. Ishte edhe suksesi më i madh në karrierën e karateistit prishtinas.

Karaqi ka garuar për Kosovën në Lojërat Evropiane të vitit 2015 dhe ato të vitit 2019. Në të dyja rastet i ishte afruar medaljes, të cilën e fitoi vetëm të premten duke garuar për Shqipërinë në kategorinë deri 84 kilogramë. Shënoi katër fitore, ndërsa pësoi një humbje në rrugën drejt majës së podiumit.

Në rrethana të tjera, Karaqi do të mund të fitonte medalje për Kosovën. Por është shumë i lumtur që ka fituar medalje për Shqipërinë, për gjithë shqiptarët. Pra, edhe për Kosovën.

Në fund të vitit 2019 jo të gjithë në Federatën e Karatesë të Kosovës ishin të bindur me potencialin e Karaqit. Asnjë karateist që përfaqëson Kosovën nuk është paraqitur në Lojëra Evropiane.

“Asnjëri prej nesh nuk është dërguar në shtatë gara tejet të rëndësishme dhe të domosdoshme për arritjen e normës olimpike. Na kanë dërguar në gara me autobus nga Prishtina në Roterdam, Paris, Berlin e Salzburg. Kemi qenë të dërrmuar nga rruga më shumë se nga lufta”, shkruante tutje në letrën e fillim-janarit të vitit 2020 të tre karateistëve.

Karaqi e Arifi kishin garuar për Shqipërinë deri në vitin 2014. Pas pranimit të Kosovës në asociacionet ndërkombëtare të karatesë, i ishin bashkuar Përfaqësueses së Kosovës. Por u larguan sërish.

Atëbotë Federata e Karatesë e Kosovës drejtohej nga Ismet Krasniqi, tani kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.

FKK-ja kishte mohuar vlerësimet për trajtim jo të duhur të karateistëve. Kishte thënë se klubi Ippon ishte kundër çdo lëvizjeje pozitive në Federatë. Madje Federata kishte akuzuar karateistët se po lobonin kundër FKK-së.

Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ndoqi nga afër paraqitjen e Karaqit në Lojëra Evropiane. Madje u nderua nga Komiteti Olimpik Evropian që të ndajë medaljet. Pra, ia ndau medaljen edhe Karaqit. Krasniqi e Karaqi janë përqafuar fort gjatë ceremonisë së medaljeve. Ishte një shenjë se ajo që ka ndodhur disa vjet më parë i takon të kaluarës.

Karaqi ka folur për KOHËN lidhur me këtë.

“Prej që ka përfunduar ai kapitull nuk jam marrë më me atë çështje. Më ka marrë shumë energji ajo gjë dhe më ka shkaktuar dëme të mëdha. Por e kam përmbyllur atë kapitull. Kam kuptuar që për mua, për karrierën time, është gjëja e duhur të mos merrem me atë që ka ndodhur”, ka thënë Karaqi.

Ai ka treguar se kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka bërë dy orë rrugë për ta përcjellë nga afër. Garat e Lojërave Evropiane në Poloni po mbahen në qytete të ndryshme.

“Më pas erdhi ceremonia e medaljeve dhe kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, u nderua që të ndajë medaljet. Nuk më është dukur gjë e keqe kjo. Përkundrazi. Është gjë e mirë ajo që ka bërë ai e po ashtu ajo që kam bërë unë. Mendoj se ishte veprim burrëror edhe prej tij që më ndau medaljen e edhe prej meje që u përqafuam dhe festuam bashkë. E kemi kaluar atë që ka ndodhur. Ismet Krasniqi ishte pjesë e karrierës sime dhe unë e respektoj këtë. Pavarësisht se në çfarë mënyre ishte pjesë e karrierës sime, ky mendoj se ishte një fund i lumtur i asaj që ndodhi. Nuk jam i ngarkuar me atë që ndodhi. Madje më vjen mirë që ai më ndau medaljen. Me ceremoninë e medaljeve për mua ajo që ka ndodhur është e përmbyllur”, ka theksuar Karaqi.

Nuk është që Karaqi e ka kaluar lehtë trajtimin jo të duhur nga përgjegjësit e karatesë së Kosovës. Thotë se prej asaj që kishte ndodhur duhet të nxirren mësime. Por mësime konstruktive, që me situata të tilla të mos përballen në të ardhmen sportistët nga Kosova. Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Karatesë e Kosovës kanë uruar Karaqin për medaljen e artë në Lojërat Evropiane.