Erëleta Memeti bëri dallimin të premten në ndeshjen ndaj Estonisë. Ajo asistoi në dy golat që i shënoi Përfaqësuesja e Kosovës në futboll.
Memeti dëshmoi se do të japë shumë për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, që është në fillim të “rrugëtimit” të saj evropian.
Kosova fitoi 2:0 ndaj Estonisë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2021”. Ishte fitorja e tretë e lojtareve të Kosovës në gjashtë ndeshje të luajtura. Të tjera fitore priten në vazhdim të kampanjës, ndërsa me formën e Memetit kjo është më e mundur.
Erëleta Memeti i është bashkuar Kosovës pas karrierës te Përfaqësuesja e Gjermanisë. Tani po luan në Bundesligën e Gjermanisë, që është prej ligave më të forta në botë. Është në nivelin më të lartë prej të gjitha lojtareve të Kosovës.
“Jam e kënaqur me paraqitjen. Kemi pasur shumë mungesa për shkak të pandemisë. Prandaj jam shumë e lumtur që kemi fituar ndeshjen. Kemi treguar se edhe me lojtaret e klubeve të Kosovës mund të luajmë futboll. Ishim të përqendruara dhe dominuese prej minutës së parë. Ka qenë një lojë shumë e veçantë”, ka thënë Memeti të dielën për KOHËN.
Ajo ishte njëra prej dy lojtareve të Kosovës që bëjnë karrierë jashtë vendit e që ishin nën urdhrat e selektores Afërdita Fazlija për këtë sfidë.