Egzon Gjuka për herë të dytë rresht është shpallur hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Gjuka ka udhëhequr skuadrën pejane, Besa Famgas, drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës. Ishte prej më të mirëve edhe te Përfaqësuesja e Kosovës.
Federata e Hendbollit e Kosovës të enjten mbrëma ka mbajtur ceremoninë “Laureatët e Vitit 2022”.
Hendbollistja më e mirë e vitit të kaluar në Kosovë është shpallur braziliania Tainara Luna Gonçalves. Ajo ka udhëhequr Istogun drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës. Gonçalves në vjeshtë luajti edhe për Brazilin.
Klubet kampione, Besa Famgas e Istogu janë shpallur më të mirat e vitit. Besa e Pejës është shpallur klubi më i mirë edhe në tri kategoritë e reja.
Por befasisht kishte më pak lojtarë se Prishtina në shtatëshen më të mirë të vitit. Besa Famgas ka dominuar plotësisht vitin e kaluar, ndërsa me Prishtinën ka fituar vazhdimisht me rezultat të thellë.
Pos Gjukës, në shtatëshen e parë ka zënë vend edhe Arbios Mushkolaj i Besës. Ai në pjesën e parë të vitit të kaluar ishte te Deçani. Shtatëshen e parë e kompletojnë Oltion Beshiri, Rron Ramadani e Agon Bajqinovci të Prishtinës, Arbër Curri i Rahovecit e Festim Mustafa i Kastriotit.
Mustafa ishte edhe golashënuesi më i mirë, ndërsa pivoti Rron Ramadani u shpall edhe lojtari më i mirë i mbrojtjes.
“Normal, është një ndjenjë e mirë kur i gjithë mundi të shpaguhet nga zgjedhja e trajnerëve si lojtari më i mirë i vitit. Viti 2022 ishte mjaft i mirë dhe i suksesshëm për mua, pasi me ekipin e fituam titullin e kampionit dhe kupën, ndërsa jemi edhe kampion vjeshtorë“, ka thënë Egzon Gjuka. “Në vitin 2023, sigurisht se kam synime të mëdha. Fillimisht dua t’i mbroj trofetë e fituar me Besën dhe pastaj të kualifikohem me Kosovën në Kampionatin Evropian, që do të ishte një arritje e jashtëzakonshme”.
Prishtina e ka dhënë edhe trajnerin e vitit, ndonëse nuk fitoi trofe vitin e kaluar. Trajner i vitit 2022 te hendbollistët u shpall Verim Zherka.
Ndërkohë te hendbollistet, Istogu ka dominuar në shtatëshen më të mirë. Pos Tainara Luna Gonçalves në shtatëshen më të mirë nga Istogu ishin edhe Blerta Ahmetxhekaj, Yllka Shatri e Natalia Milatoviq. Vend kanë zënë edhe Argoneta Goqi e Shqiponjës, Burneta Rama e Vushtrrisë dhe Melike Ipçi e Prishtinës. Shkurta Mehmeti e Prishtinës u shpall lojtarja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Edona Radoniqi e Vëllaznimit ishte golashënuesja më e mirë.
Faruk Shala i Istogut u shpall trajneri më i mirë i skuadrave të hendbollisteve.
Brazilianja Luna Gonçalves u shpreh e lumtur që u shpall hendbollistja më e mirë në Kosovë.
“Është një ndjenjë fantastike. Në fakt, ishte një befasi e madhe për mua të zgjidhem si hendbollistja më e mirë në Kosovë, duke pasur parasysh se jam lojtare e huaj. Jam shumë, shumë e lumtur që e mora këtë çmim. Synimi për këtë vit është t’i fitoj sërish titullin dhe kupën me Istogun “, ka thënë Gonçalves.
Si zakonisht, janë dhënë edhe shumë çmime e mirënjohje të tjera.