Klubet e hendbollit nuk kanë përfituar shumë nga përvoja e gjatë në skenën evropiane. Klubet kosovare të hendbollit në kupa evropiane luajnë prej edicionit 2005\06, ndërkohë që nuk ia kanë dalë të kalojnë më tepër se një kundërshtar për edicion.
Në Federatën e Hendbollit të Kosovës shpresojnë për më shumë sukses në edicionin e ardhshëm, kur sistemi garues do të jetë pak më ndryshe, raporton Koha.net. Në fakt FHK-ja të martën ka njoftuar se EHF-ja ka arritur marrëveshje të re për transmetim të ndeshjeve dhe ka bërë ndryshime në sistem të garave. Gara elitare e hendbollistëve do të vazhdojë të jetë Liga e Kampionëve, ku Kosova nuk ka debutuar ende dhe nuk do të marr pjesë as në edicionin e ardhshëm.
Kupa e EHF-së tani do të zhvillohet me sistem tjetër dhe do të quhet Liga Evropiane. Në Ligën Evropiane do të paraqitet kampioni i Kosovës. FHK-ja shpreson që kampioni i Kosovës do të kaloj raundet kualifikuese dhe do të garojë në fazën grupore, që nuk ka ndodhur më parë. Liga Evropiane do të ketë dy raunde kualifikuese, ndërsa nuk është bërë e ditur se në cilin raund do të nis kampioni i Kosovës.
Ndërkohë Challenge Cup ka ndryshuar emrin në Kupa Evropiane. Në këtë garë Kosova e ka të drejtën e prezantimit me tri skuadra. Me këtë numër pjesëmarrjen e ka pasur të mundur edhe deri më tani, por që nuk është shfrytëzuar nga ana e klubeve.
EHF-ja ka anuluar edicionin aktual, që për klubet kosovare kishte përfunduar herët në vjeshtë. Nuk janë anuluar vetëm turnetë final të Ligës së Kampionëve në të dy konkurrencat, që shpresohet të mbahen në fund të vitit. Por kjo nuk është e sigurt.
EHF-ja ka prezantuar edhe ranglistën e vendeve, duke u bazuar në suksesin e skuadrave në kupa evropiane.
Kosova është e 29-ta, para vendeve të regjionit, Serbisë, Bosnjës, Bullgarisë, Malit të Zi. Në fakt me Serbinë e ndanë vendin e 29-të, por EHF-ja e ka vendosur Kosovën para saj.
