Sport

EJU-ja e vlerëson të pandalshme Distria Krasniqin

Ka shkuar në 14 fitore seria pozitive e Distria Krasniqit në garat e nivelit më të lartë të xhudos. Distria është në formë jetësore dhe vlerësohet pretendente e madhe për medalje në Evropianin për seniorë, që të enjten nis në Pragë të Çekisë.

Në vitin e pandemisë, Evropiani është ngjarja më e madhe për xhudistët nga kontinenti i vjetër. Distria garon të enjten në kategorinë deri 48 kilogramë. Është bartësja e parë dhe rrjedhimisht favoritja kryesore për titull të kampionit.

Më 25 gusht të vitit të kaluar, Distria pësoi humbjen e fundit. U ndal në gjysmëfinale të Botërorit nga Funa Tonaki e Japonisë. Fitoi më pas medaljen e bronztë botërore për suksesin më të madh të deritashëm në karrierë. Më 12 dhjetor në Mastersin në Qingdao arriti katër fitore dhe fitoi të artën. Mastersi mbledh xhudistët më të mirë në kategori.

Më 8 shkurt, Distria garoi në Grand Slamin e Parisit dhe atë në kategorinë deri 52 kilogramë. I fitoi pesë përballje për tjetër sukses madhor, të artën në garën më të famshme. Prej shkurtit garat e xhudos ishin të pezulluara për shkak të pandemisë.

Më 23 tetor u mbajt gara e parë e madhe pas rikthimit të aktiviteteve të xhudos. Në Grand Slamin e Budapestit, Distria Krasniqi arriti katër fitore dhe iu gëzua të artës tjetër. 24-vjeçarja merr medalje në secilën garë, ndërsa gjatë tërë vitit ka treguar formë të lartë edhe në stërvitje. Në tri garat e fundit, të nivelit superior, ajo ka medalje të arta të fituara.

Edhe faqja zyrtare e Federatës Evropiane të Xhudos (EJU) ka shkruar për gjasat e mëdha të Krasniqit për të fituar të artën.

“Kampionia aktuale e Mastersit dhe fituesja e medaljes së artë në Grand Slamin e Budapestit, muajin e kaluar, Distria Krasniqi, duket e pandalshme. Xhudisteve të tjera iu duhet një angazhim i jashtëzakonshëm për të befasuar atë”, ka shkruar EJU-ja.

Distria Krasniqi më herët ka konfirmuar se synim e ka medaljen evropiane. Ndërkohë trajneri Driton Kuka kohë më parë ka theksuar për KOHËN se “Distria është në formë të lartë dhe ka gjasa reale për medalje”. Në ditët e fundit para garave të mëdha, Kuka nuk deklarohet.

Distria Krasniqi vlerësohet pretendente edhe për medalje olimpike, vitin e ardhshëm. Ajo në vitin 2018 fitoi medaljen e argjendtë evropiane. Vjet nuk garoi në Evropian pasi nuk arriti peshën e duhur.

Kosovën në Evropian do ta përfaqësojnë edhe disa xhudistë të tjerë, që po ashtu janë konkurrentë për medalje.