Te Ferizaj janë plotësisht të vetëdijshëm se ndeshja e këtij vikendi do të jetë përcaktuese në garën për t’i ikur rënies nga Superliga e Kosovës në futboll. Kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të edicionit, derisa të dielën janë ndeshjet e xhiros së 34-t.
Ferizaj e pret Trepçën ’89, kurse kjo ndeshje vendimtare fillon në ora 15:00.
Sikurse Ferizaj, edhe Trepça ’89 po lufton për të mos u kthyer në Ligën e Parë pas vetëm një edicioni në elitë. Mirëpo Ferizaj është në situatë më të vështirë se ekipi mitrovicas. Skuadrat i ndajnë vetëm dy pikë në tabelë.
Aktualisht Ferizaj është i parafundit me 35 pikë. Pozita e parafundit dërgon në një kategori më poshtë. Trepça ’89 mban vendin e tetë me 37 pikë. Pozita e tetë dërgon në ndeshjen e barazhit.
Drenica, si e fundit në tabelë, tashmë e ka të konfirmuar rënien në Ligën e Parë. Por se cila skuadër do t’i bashkohet asaj, mund të dihet pas ndeshjes në Ferizaj.
Për Ferizajn opsioni i vetëm është fitorja. Me tri pikë eventuale në këtë takim, Ferizaj do të dilte në pozitën e tetë, duke e zhvendosur Trepçën ’89 në pozitën që dërgon në kategorinë e dytë.
Kapiteni Bujar Shabani ka thënë të premten për KOHËN se do të bëjnë të pamundurën për t’i ndalë pikët e plota. Ai ka thënë se kanë punuar fort gjatë tërë javës për t’u përgatitur për “derbi të barazhit”.
“Ndeshja me Trepçën ’89 pa dyshim që është më e rëndësishmja e sezonit dhe kjo as që do diskutim. Ne jemi në një pozitë që nuk na lejohet asnjë rezultat tjetër veç fitores dhe për këtë arsye do të futemi për të marrë pikët e plota. Jemi përgatitur maksimalisht dhe fokusin e kemi vetëm te kjo përballje, pasi fitorja do të thotë shumë për ne”, ka thënë mesfushori i Ferizajt, Shabani.
“Me fitore do të ishim larguar prej pozitës në të cilën jemi aktualisht. Trepça ’89 është kundërshtari ynë direkt në këtë luftë për të shmangur rënien dhe vendin e nëntë në tabelë. Andaj çdo rezultat tjetër veç fitores mund të them se për ekipin tonë do të ishte dështim”.
Kjo do të jetë përballja e katërt mes Ferizajt dhe Trepçës ’89. Në tri ndeshjet e mëparshme bilanci është i përafërt. Ferizaj në dy ndeshjet e luajtura në Mitrovicë ka arkëtuar katër pikë, falë fitores 1:0 dhe barazimit 1:1. Ndërsa Trepça ’89 ka triumfuar në Ferizaj, 3:2.
“Besimi është i madh në ekipin tonë . Me grupin e lojtarëve që kemi dhe lojën që e kemi treguar në pranverë, jam optimist i madh se do të mbijetojmë këtë edicion në Superligë. Ky është synimi dhe misioni i Ferizajt të cilën në fund do ta kompletojmë me sukses”, shtoi Shabani.
Ferizaj në këtë përballje futet pas barazimit pa gola ndaj Llapit dhe fitores me Drenicën (3:1). Ndërsa Trepça ’89 ka një fitore, një barazim dhe një humbje në tri duelet që i ka luajtur së fundmi.
Pas duelit me 89-shin, Ferizaj udhëton në Suharekë të përballet me Ballkanin dhe edicionin e mbyll në shtëpi kundër Dukagjinit.
Ndërkohë, Trepça ’89 luan në udhëtim me Dukagjinin dhe në xhiron e fundit përballet në Mitrovicë me Prishtinën. Ferizaj në këtë ndeshje pritet të jetë i kompletuar, ndërsa te Trepça ’89 do të mungojnë Ahmet Haliti e Ardian Muja.
Superliga – 34
E diel (15:00)
Gjilani – Drita
Ballkani – Llapi
Malisheva – Prishtina
Ferizaj – Trepça ‘89
Drenica – Dukagjini
1.Drita 33 19 9 5 59:28 66
2. Ballkani 33 18 12 3 59:32 66
3. Gjilani 33 13 12 8 31:31 51
4. Prishtina 33 11 11 11 40:32 44
5. Dukagjini 33 12 8 13 33:33 44
6. Llapi 33 11 9 13 40:44 42
7. Malisheva 33 10 9 14 47:49 39
8. Trepça ’89 33 9 10 14 43:57 37
9. Ferizaj 33 8 11 14 28:47 35
10. Drenica 33 6 5 22 24:51 23