Sport

Firmino, Milner në mesin e kuartetit të lojtarëve që do të largohen nga Liverpooli

Përpara një rindërtimi të pritshëm të verës, Liverpooli ka konfirmuar se katër lojtarë të profilit të lartë do të largohen në fund të edicionit aktual. Roberto Firmino, Naby Keita, James Milner dhe Alex Oxlade-Chamberlain do të largohen të gjithë kur t’u skadojnë kontratat këtë verë, ka bërë të ditur klubi nga Premier League.

“Secili prej kuartetit do të nisë kapitull të ri në karrierë pas përfundimit të edicionit 2022/23, pasi e kanë ndihmuar Liverpoolin në sukseset më të mëdha gjatë periudhës së lavdishme që e kaluan në Anfield”, ka shkruar Liverpooli.

Skuadra e trajnerit Juergen Klopp ka duruar një fushatë zhgënjyese pasi ishte afër fitimit të katër trofeve vitin e kaluar.

Me vetëm dy ndeshje të mbetura deri në fund të këtij edicioni në Premier League, Liverpoolit i duhet që Manchester Unitedi ose Newcastle të rrëshqasin nëse dëshiron të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Në të kundërtën, edicionin tjetër do të paraqitet në Ligën e Evropës, gjë me të cilën edhe është pajtuar. Është një pikë larg pozitës së katërt në tabelë, pasi ka luajtur një ndeshje më shumë se dy skuadrat mbi të.

Në afatin kalimtar të verës, Liverpooli pritet të bëjë blerje të shumta për t’u rikthyer fuqishëm edicionin e ardhshëm. Klopp pritet gjerësisht të forcohet në repartin e mesfushës, pasi hapësira do të krijohet nga largimet e Keitas, Milnerit dhe Oxlade-Chamberlainit. Trajneri i Liverpoolit tashmë e ka riparuar sulmin e tij, me senegalezin Sadio Mane që u largua verën e kaluar dhe ardhjen e Darwin Nunezit, Luis Diazit dhe Cody Gapkos. Braziliani Firmino ka duruar një sezon të ndërprerë nga dëmtimet dhe zakonisht ka qenë në stol edhe kur ishte në gjendje të mirë fizike. Në 33 paraqitje deri më tani në të gjitha garat, 31-vjeçari ka shënuar 11 gola dhe ka bërë 11 asistime, ndërsa është pjesë e Liverpoolit prej vitit 2015 kur iu bashkua nga Hoffenheimi. Firmino, Keita, Milner dhe Oxlade-Chamberlain ishin të gjithë pjesë e skuadrës së Liverpoolit që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2019 dhe titullin e kampionit në Premier League në vitin 2020.

“Të katër lojtarët do të largohen me mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për kontributin që kanë dhënë”, vazhdoi me tej Liverpooli në njoftimin e tij.

Edhe Milner 37-vjeçar është pjesë e Liverpoolit prej vitit 2015 sikurse Firmino, Oxlade-Chamberlain iu bashkua në vitin 2018, ndërsa Keita një vit më vonë.