Mbrojtësi bullgar, Lubomir Gutsev ka udhëtuar nga Kosova për në Bullgari falë një korridori diplomatik dhe sidomos falë ambasadës bullgare në Kosovë.
Kështu kanë raportuar të premten mediat bullgare. Gutsev është lojtar i Flamurtarit të Prishtinës, ndërsa pas forcimit të masave në luftë ndaj koronavirusit ai ka vendosur të kthehet në Bullgari. Por kjo nuk do të ishte e mundur pa asistencën e misionit të Bullgarisë në Kosovë. Sipas mediave bullgare korridori diplomatik nënkupton kalim të garantuar dhe të papenguar të kufijve.
“Dua të falenderojë të gjithë ekipin diplomatik të vendit tonë në Prishtinë, sidomos Stoiko Yordanovin, që ka bërë punë të jashtëzakonshme. Ai na ka ndihmuar të organizojmë gjithë udhëtimin dhe na ka shoqëruar deri te kufiri me Maqedoninë Veriore”, ka thënë Gutsev.
Futbollisti i skuadrës kosovare ka treguar se ka kaluar testet për Covid – 19 dhe se tani duhet të qëndrojë i izoluar për 14 ditë. Ai ka thënë se është në kontakt me Flamurtarin dhe do të shoh se si do të zhvillohet situata. Ka thënë se do të vazhdoj stërvitjet me program individual, të cilin ia ka dhënë klubi.
Edhe për Koha.net, Gutsev ka konfirmuar se të enjten ka udhëtuar për në Bullgari, së bashku me familjen.
“Kufiri me Maqedoninë Veriore ishte i mbyllur, po ashtu Prishtina ishte e izoluar. Kështu ambasada bullgare më ka ndihmuar të siguroj të gjitha dokumentet e nevojshme. Gjatë qëndrimit në Kosovë nuk kam pasur ndonjë problem”, ka thënë Gutsev për Koha.net.
“Mezi pres të kthehem në Kosovë dhe te Flamurtari. Më ka pëlqyer shumë dhe tashmë jam mësuar me jetën në Kosovë. Më pëlqen Prishtina dhe Kosova. Tani jam në shtëpi dhe do të qëndroj i izoluar për 14 ditë, por nuk do të ndërpres stërvitjet”.