Sport

Galatasaray synon ta eliminojë Unitedin

Trajneri Erik ten Hag ka urdhëruar futbollistët e Manchester Unitedit që të mbajnë qetësinë për ndeshjen ndaj Galatasarayt, në të cilën do të luftojnë për të mbetur në garë për kalim të grupit në Ligën e Kampionëve.

Unitedi është i fundit në Grupin A dhe do të eliminohet nëse mposhtet në Stamboll nga Galatasaray. Edhe nëse e mposht Galatasarayn, e më pas edhe Bayernin, Unitedi nuk e ka të garantuar avancimin në fazën nokaut. Dy fitore të Copenhagenit, që ka katër pikë, një më shumë se Unitedi, do ta dërgonin ekipin danez tutje.

Unitedi asnjëherë nuk e ka mposhtur Galatasarayn në Turqi, ku ka regjistruar dy barazime dhe një humbje. Dueli Galatasaray – United zhvillohet të mërkurën prej orës 18:30. Galatasaray ka katër pikë në vendin e tretë dhe synon t’i bashkohet Bayernit në fazën nokaut. Bayerni tashmë ka fituar grupin. Ka 12 pikë nga katër ndeshje.

Ten Hag thotë se ekipi i tij është maksimalisht i motivuar për ta mposhtur Galatasarayn.

“E dimë shumë mirë si të përballemi me këtë situatë dhe jam më se i bindur se edhe në fushë do të tregojmë vetëbesimin e madh që e kemi si ekip. Është me rëndësi ta ruajmë qetësinë dhe mos të emocionohemi. Duhet të tregojmë pjekuri pasi kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për ne, të cilën duhet ta fitojmë për të mbajtur gjallë gjasat për kalim tutje”, ka thënë Ten Hag, të martën në konferencën për shtyp. “Kemi përparuar shumë prej humbjes që Galatasaray na e shkaktoi muajin e shkuar në shtëpi. Kështu që jemi optimistë për fitore në këtë ndeshje”.

Galatasaray kishte fituar 3:2 më 3 tetor në “Old Trafford”.

Te Galatasaray kanë thënë se e kanë parasysh rëndësinë e duelit me Unitedin. Portieri Fernando Muslera beson në fitoren e skuadrës turke. Ai natyrisht llogarit në përkrahjen e fuqishme që do ta kenë nga tifozët.

“Nuk dua të flas shumë për këtë ndeshje, pasi e kemi parasysh se çfarë duhet të bëjmë në fushë. Liga e Kampionëve është gara më e madhe në nivel klubesh dhe ne duam të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj gare. Kështu që jemi gati për këtë duel që duhet ta fitojmë, sigurisht edhe me përkrahjen e tifozëve tanë që janë lojtari i 12-të i ekipit tonë”, ka theksuar Muslera.

Dueli tjetër i këtij grupi është ndërmjet Bayern Munichut dhe Copenhagenit, që zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena” nga ora 21:00.

Në Grupin B gara po ashtu është e hapur. Arsenalit i mjafton një pikë në shtëpi ndaj Lensit për të avancuar tutje. Kjo ndeshje nis në orën 21:00. Arsenali i prinë grupit me nëntë pikë, katër më shumë se Lensi që renditet i treti. Pesë pikë në këtë grup i ka edhe PSV Eindhoveni, i cili prej orës 18:45 luan në udhëtim te Sevilla. Sevilla i ka vetëm dy pikë. Kjo ndeshje nuk është e rëndësishme vetëm për këto dy skuadra, por edhe për Arsenalin. Nëse Sevilla mposht PSV Eindhovenin, ekipi anglez do ta sigurojë kalimin në fazën nokaut pa e filluar ndeshjen kundër Lensit.

Në Grupin C, Real Madridi ka katër fitore dhe nuk e ka presionin e kalimit të grupit. Madridi e ka siguruar avancimin tutje, ndërsa e pres Napolin nga ora 21:00. Kampioni i Italisë, Napoli, ka shtatë pikë dhe po lufton të jetë skuadra e dytë nga ky grup që do të kalojë tutje. Ekipi madrilen do të ketë mungesa të shumta në këtë ndeshje. Trajneri Carlo Ancelotti nuk do t’i ketë në dispozicion tetë futbollistë, përfshirë Luka Modriqin, për shkak të lëndimit. Realit do t’i mungojnë edhe Thibaut Courtois, Kepa Arrizabalaga, Eder Militao, Aurelien Tchouameni, Eduardo Camavinga, Arda Guler dhe Vinicus Junior.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, e cila po ashtu nis në orën 21:00, do të jetë ajo mes Bragas dhe Union Berlinit tashmë të eliminuar. Braga i ka tri pikë, ndërsa Berlini vetëm një.

Në Grupin D tashmë janë caktuar dy skuadrat që avancojnë në raundin nokaut. Por ka mbetur të caktohet fituesi i grupit. Real Sociedadi prin me 10 pikë, sa i ka edhe skuadra e Interit por që ka goldallim më të dobët. Interi është mysafir i Benficas, ndërsa Real Sociedadi e pret në shtëpi Salzburgun, ndeshje këto që startojnë në orën 21:00. Salzburgu i ka tri pikë, ndërsa Benfica është ende pa pikë.

E mërkurë

Grupi A

Galatasaray – Man. Utd (18:45)

Bayern M. – Copenhagen (21:00)

1. Bayern M. 4 12

2. Copenhagen 4 4

3. Galatasaray 4 4

4. Man. Utd 4 3

Grupi B

Sevilla – PSV Eindhoven (18:45)

Arsenal – Lens (21:00)

1. Arsenal 4 9

2. PSV Eindhoven 4 5

3. Lens 4 5

4. Sevilla 4 2

Grupi C

Real Madrid – Napoli (21:00)

Braga – U. Berlin (21:00)

1. Real Madrid 4 12

2. Napoli 4 7

3. Braga 4 3

4. U. Berlin 4 1

Grupi D

Benfica – Inter (21:00)

R. Sociedad – Salzburg (21:00)

1. R. Sociedad 4 10

2. Inter 4 10

3. Salzburg 4 3

4. Benfica 4 0